1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Klinikat private në Shqipëri - klinika të vdekjes?

Ani Ruci30 Prill 2008

Një 17 vjeçare vdes në Tiranë nga një enë e pambyllur gjaku pas operacionit të bajameve. Mjekët e Qendrës Spitalore Universitare nën hetim

https://p.dw.com/p/DrD9
Qendra spitalore, Tiranë. Të afërm në pritje të pacientëveFotografi: DW

Skandali i vdekjes së një vajze 17 vjeçare pas operacionit të bajameve ka tronditur opinionin publik në Shqipëri. Ngjarja e hidhur ka ngritur pikëpyetje mbi përgjegjësinë e autoriteteve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe kontrollin e tyre në klinikat private, ku kryhen operacione kirurgjikale.

Matilda Petriti, u operua ne fillim të këtij muaji në një klinikë private në qytetin e Pogradecit. Por hemoragjia e zgjatur e solli në Qendrën Spitale Universitare, (QSU) në Tiranë dhe në spitalin francez të kësaj qendre. Ndonëse u konstatua se shkaku i hemoragjisë ishte lënia hapur nga kirurgu e një ene gjaku, mjekët e kryeqytetit nuk arritën t´i shpëtonin asaj jetën. Në kartelën e 17 vjeçares shkaku i vdekjes figuron „shok hemoragjik."

Pati kushte teknike standarte operacioni në Pogradec?

Këtë nuk e di asnjë nga autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë. Ata nuk kanë kryer asnjë kontroll që nga koha kur kirurgu që e operoi nga bajamet vajzën e re pati marrë liçencën, tatimore por jo për plotësim të kushteve teknike, të domodsdoshme për ndërhyrje kirurgjikale. Një mungesë totale përgjegjësie kjo, me pasojë jetën e njerëzve.

Operation Krankenhaus Arzt
Klinikat privatë kanë mbirë si kërpudhat në Shqipëri, por kushtet e punës lenë mjaft për të dëshiruarFotografi: BilderBox

Në Shqipëri ka me dhjetra klinika kirurgjikale private që rezultojnë të pakontrolluara për kushtet teknike ku kryhen operacionet. Ato mbijnë si këpurdhat pas shiut, në katet epara dhe të dyta të pallateve, mes apartamenteve të banimit. Klinika private e mjekut, Xhevahir Hoxhollari, që kreu operacionin në Pogradec, njëherazi edhe mjek në repartin e Otorino- Laringologjisë në QSU në Tiranë është e liçensuar në vitin 2006.

Megjithëse tek dera e klinikës së tij nuk trokitën kurrë autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë kirurgu përjashton të ketë përgjegjësi ligjore për vdekjen e 17 vjecares. „ Si njeri dhe mjek më vjen shumë keq që nuk arrita t´i shpëtoj jetën por nuk ndjej asnjë përgjegjësi ligjore dhe jam i hapur ndaj çdo hetimi „ u deklaroi ai mediave të Tiarnës.

Por pavarësisht nga këto deklarime Xhevahir Hoxhollari ndodhet tani nën hetim. Prokuroria e Tiranës dhe oficeret e policisë gjyqësore kanë bllokuar kliniken e tij në Pogradec dhe kanë sekuestruar të gjitha kartelat e pacientëve ku janë të regjistruara procedurat kirurgjikale që janë ndjekur.

Të gjitha procedurat qe nga operacioni i pare ne fillim te këtij muaji dhe deri tek i fundit në spitalin francez në Tiranë janë duke u verifikuar. Urdheri i mjekut në Tiranë i kërkon autoriteteve të Ministrisë së Shëndëtësisë te kontrollojnë të gjtha klinikat private të vendit. Komuniteti i bluzave të bardha është tronditur keqazi.

Përgjigja e mjekësisë ligjore do te jetë vendimtare në zbardhjen e shkakut të humbjes së jetës së 17 vjeçares nga një operacion bajamesh.