1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

060709 G8 Zukunft

7 Korrik 2009

Gjatë viteve të fundit konstelacionet e pushtetit në mbarë botën kanë ndryshuar dukshëm. India, Kina dhe Brazili kanë depërtuar në radhët e vendeve kryesuese të Botës dhe duket se për G8-tën, po troket ora e fundit

https://p.dw.com/p/Iifd
Silvio Berlusconi ne pergatitje te G8
Samiti në L'Aquila pritet të bëjë të qartë, se formati i G8-tës nuk është më i mjaftueshëm.Fotografi: AP

Që klubi ekskluziv i shteteve të G-8-ës nuk mund t'i zgjidhë i vetëm problemet e botës, duket si një fakt i padiskutueshëm. Të ashtuquajturat vendet e reja të industrializuara janë afruar në këtë nivel dhe pa to nuk bëhet më. Shembulli më i mirë: samitet botërore të financave, në të cilat kërkohen rrugëdalje nga kriza. Nëntorin e kaluar në Uashington si dhe në fillim të prillit në Londër këto samite u zhvilluan në kuadër të G20-tës – pra vendet e G-8-ës plus ato të G5-sës – në këtë grup bëjnë pjesë Brazili, India, Kina, Meksika dhe Afrika e Jugut. Plus edhe disa vende të tjera që morën pjesë si Argjentina, Australia, Indonezia, Arabia Saudite, Koreja e Jugut dhe Turqia.

Ishte pikërisht kancelarja gjermane Angela Merkel ajo, që bëri këto ditë të dëgjohen përpara parlamentit gjerman për herë të parë këmbanat e përmortshme për G8-tën: "G8 u krijua gjatë një krize. Vendet më të rëndësishme të industrializuara u bashkuan për të krijuar një forum, në të cilin mund të bisedohet për të ardhmen e ekonomisë botërore. Samiti në L'Aquila do të bëjë të qartë, se formati i G8-tës nuk është më i mjaftueshëm. Bota po ngjizet duke u rritur së bashku. Problemet përpara të cilave ndodhemi nuk mund të zgjidhen më vetëm prej vendeve të industrializuara."

Kjo deklaratë vjen papritur, sepse kancelarja gjermane ka qenë ajo që ka pasur p.sh. qëndrim refuzues ndaj zgjerimit të klubit të G8-tës duke përfshirë edhe vendet e reja të industrializuara. Përpara dy vjetësh, kur Gjermania drejtonte kryesinë e radhës së G-8-ës, kancelarja krijoi të ashtuquajturin procesi i Heiligendamit. Me këtë synohej thellimi dhe institucionalizimi i kontakteve me vendet e reja të industrializuara, që gjithësesi merrnin pjesë në samitet e G8-ës. Por kriza financiare po vepron tani me efektin e një katalizori, ashtu si në fundin e viteve 70-të të shekullit të kaluar kriza e naftës, kur u vendos guri themeltar i grupit G8.

Liderët e G20 gjatë takimit në Londër, 01.04.09
Liderët e G20 gjatë takimit në Londër, 01.04.09Fotografi: AP

G8 dhe G20 në garë

Ndërsa tani po zhvillohet një lloj gare: cili grup mund ta shpëtojë botën? G8 vetëm, kjo duket qartë tashmë, nuk mundet t'ia dalë - pavarësisht se në vendet e saj gjenden shkaqet për krizën e ekonomisë botërore. G20 ka fituar prej kësaj krize dukshëm peshë. Edhe ky grup e ka zanafillën e vet në një krizë. Ky forum u krijua përpara 10 vjetësh si forum i ministrave të financave, në kohën që kriza përfshiu Azinë dhe Amerikën Latine. Por formati i duhur për shpëtimin e botës nuk mund të jetë as G20 - për aq kohë sa ky grup nuk bashkon asgjë më shumë veçse organizatat rajonale si Unioni Afrikan, NAFTA në Amerikën Veriore dhe Qendrore, apo bashkësinë e shteteve aziatike ASEAN.

Autor: Henrik Böhme/Vilma Filaj-Ballvora
Redaktor: Pandeli Pani