1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kohë të vështira për qeverinë e Bushit - Kongresi i dominuar prej demokratëve nis punën

Linda Staude5 Janar 2007

Xhorxh Bush ka tanimë kundër vetes shumicën demokrate, ndonëse kjo është një mazhorancë e zbehtë. Por Demokratët mund të jenë kundërshtarë jo komodë për Bushin, ashtu siç është vënë re qysh pas zgjedhjeve për kongresin.

https://p.dw.com/p/ArJk

"Urime, mirëserdhët dhe pres me gëzim një bashkëpunim të mirë", ishin këto tonet miqësore të presidentit Xhorxh Bush drejtuar kongresit të 110 në SHBA përpara se ai të niste zyrtarisht punën.

"Unë jam plot shpresë, që demokratët dhe republikanët do të gjejnë një bazë të përbashkët për t´u shërbyer njerëzve tanë dhe për të kryer detyrën e tonë." Një dëshirë fisnike kjo e presidentit republikan, por tek e fundit mazhoranca e re demokrate në të dyja dhomat e kongresit do t´ia vështirësojë punën atij në dy vitet e fundit të mandatit. Kësisoj duke u kujdesur në avancë ai e paralajmëroi kundërshtarin politik: "Kongresi ka ndryshuar, por nuk kanë ndryshuar detyrimet tona për vendin."

Ndërkohë që udhëheqësi i emëruar i mazhorancës, Harry Reid, siguron qëkurse është zgjedhur për një bashkëpunim zemërgjerë dhe mbipartiak: "Zgjedhjet kanë mbaruar. Tani është e rëndësishme të bëjmë hapin përpara, në mënyrë që të mbizotërojë transparenca mbipartiake dhe të ruajmë rezultatet. Ne kemi dhënë një premtim dhe do ta mbajmë atë."

Një premtim, që Reid mund ta japë mëse i qetë, sepse demokratët do t´i kenë në të ardhmen të gjitha fijet e komandimit në dorë: fituesit e zgjedhjeve kanë kryesinë dhe shumicën në të gjitha komisionet, ata vendosin për buxhetin dhe për rendin e ditës në kongres. Të gjithë së bashku ata mendojnë ashtu si Nensi Pelozi, qe e para kryetare e dhomës së përfaqësueve, që deklaroi: "Shumica demokrate ka dëgjuar zërin e popullit amerikan. Ajo do të kthejë integritetin në Uashington. Ne do të drejtojmë kongresin më të ndershëm, më etik dhe më të hapur në histori."

Reforma në sistemin e shëndetësisë, rritja e pagës minimale, nxitja e studimeve me qelizat embrionale dhe burimet e ernegjive të rigjenerueshme si dhe kreditë për studentët, për të gjitha këto do të vendosë Nensi Pelozi në 100 orët e para të punës. E këtë ajo mund ta realizojë pa debate të mëdha nëpër komisione, gjë që i indinjon republikanët si David Dreier: "Unë jam shumë i zhgënjyer. Kjo nuk përputhet me atë që na është premtuar ne."

Një vendim i shpejtë për ligjet nuk është në kundërshtim me premtimin elektoral, kundërpërgjigjen demokratët. Të gjitha kërkesat janë konsultuar gjerësisht në kongresin e fundit dhe kanë dështuar vetëm prej shumicës republikane.

Pra perspektiva për kursin e paqtë e mbipartiak të shumëpërfolur nuk është dhe aq e keqe. Ndaj s´të habit fakti që Bushi të rinjtë në Uashington menjëherë i konfrontoi me pikat më të rëndësishme të axhendës së tij: paratë: "Muajin e ardhshëm do të paraqes një plan buxheti për pesë vitet e ardhëshme, që do të ekuilibrojë deificitin deri në vitin 2012. Ky do të kufizojë shpenzimet dhe do të ketë prioritet numër një domosdoshmërinë e mbrojtjes prej radikalëve dhe terroristëve."

Por një gjë e tillë jep lëndë të mjaftueshme për konflikt me demokratët në kongres, të cilëve ende u duhet të luftojnë me mazhorancën e zbehtë me vetëm një votë diferencë në senat. Kjo mund ta frenojë Nensi Pelozin në planin ambicioz të 100 orëve edhe pa ndërhyrjen e Shtëpisë së Bardhë.