1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Abuzim bjellorus

Natalia Makushyna
10 Gusht 2018

Në Bjellorusi po zhvillohet një proces i dyshimtë kundër gazetarëve të pavarur - midis tyre është edhe një korrespondent i DW. Procedura është një përpjekje për të diskredituar gazetarë kritikë, mendon Natalia Makushina.

https://p.dw.com/p/32vmS
Weißrussland Zeitung in einem Kiosk in Minsk
Fotografi: DW/E. Daneyko

Një komision hetimor bjellorus arrestoi të paktën dhjetë gazetarë të medieve të pavarura. Më 7 dhe 8 gusht u kontrolluan zyrat e portalit më të madh të internetit në vend "tut.by", të agjencisë së lajmeve "BelaPan", të portalit të pasurive të paluajtshme "Realt.by", të redaksisë së gazetës "Kultura" si dhe banesa të redaktorëve dhe të gazetarëve. U konfiskuan materialet e kompjuterave. Midis të arrestuarve është edhe korrespondenti i DW në Minsk, Paulyuk Bykowski. Themeluesin e "tut.by" Juri Zisser e ftuan për ta marrë në pyetje.

Shkas për procesin penal për "shkak të ndërhyrjes së paautorizuar në informacionet e kompjuterit" ishte një ankesë e administratës së agjencisë shtetërore të lajmeve "BeITA". Abonuesit, u tha se janë ankuar për ndërprerje në përdorimin e përmbajtjeve me pagesë. Gazeta e presidentit "Sowjetskaja Belorussija" botoi menjëherë në faqen e saj të internetit fotografi të kontrollit tek "tut.by" si dhe dy fragmente të shkurtra nga biseda telefonike. Në to, sipas hetuesve, kryeredaktorja e portalit Maria Solotova dhe kolegia e saj Anna Kaltigina flasin për mundësi që si mund t'i sigurojnë përmbajtjet e agjencisë së lajmeve "BeITA".

Asnjë monopol për informacionet

Ministria e Jashtme e Bjellorusisë njoftoi me shpejtësi se këtu nuk kemi të bëjmë me një proces kundër lirisë së shtypit, por vetëm për një "akses banal, të paautorizuar në informacione me pagesë". Por arrestimi i njerëzve për t'i marrë ata në pyetje tri ditë me radhë, si dhe gjoja një telefonatë e përgjuar, që merret si shkas për procedime penale, tregojnë se autoritetet bjelloruse veprojnë në mënyrë të qartë në frymën e kohës së Stalinit, kur një pranim ishte mbreti i të gjitha dëshmive.

Nuk është sekret, që abonuesit e lajmeve të "BeITA" mund t'i lexojnë ato fare pak më herët se të tjerët, se sa faqja e shfrytëzueshme publikisht në internet e agjencisë së lajmeve. Që 15 minuta pas publikimit lajmet mund të lexohen nga të gjithë. Edhe sikur dikush të ketë përdorur fjalë të huaja kalimi dhe hyrje të të tjerëve në sistem, për të lexuar përmbajtje me pagesë, ky është më tepër një problem i vetë agjencisë, që nuk e ka nën kontroll mbrojtjen e të dhënave të saj. Marrja e materialit të agjencisë së lajmeve - me shënimin "BeITA" si burim- nuk mund të vështrohet si vjedhje. As ka shpallur njeri në Bjellorusi një monopol për informacionet. Pse shndërrohet atëherë një proces i së drejtës civile në një proces penal me kontrolle, konfiskim dokumentash dhe me paraburgim të të dyshuarve në qeli të veçuara?

Gazetarët e pavarur shtypen

Procesi është një sinjal i qartë që frikësimi dhe diskreditimi i gazetarëve, të cilët nuk punojnë për medie të afërta me regjimin dhe të cilave u duhet të punojnë nën presion ekstrem, është bërë prej kohësh pjesë e punës së organeve të sigurisë.

Në Bjellorusi që tani është bllokuar hyrja në burimet e pavarura të internetit "charter97.org" dhe "belaruspartisan.by". Herë pas here ka arrestime me urdhër arresti dhe procese gjyqësore kundër korrespondentëve të jashtëm të stacionit televiziv "Belsat" dhe të radiostacionit "Racyja", të cilët transmetojnë nga Polonia në Bjellorusi. Gjobat kundër gazetarëve arrijnë shuma prej dhjetëra mijëra dollarësh. Natyrisht që do të ishte e arsyeshme që procedura penale kundër gazetarëve të ndërpritet dhe subjekteve ekonomike t'u jepet mundësia që ta sqarojnë vetë situatën. Por e kaluara ka treguar se autoritetet bjelloruse zor se e dëgjojnë zërin e arsyes.