1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Erdogani viziton Berlinin

Nina Werkhäuser5 Shkurt 2014

Gjatë vizitës së tij në Gjermani kryeministri turk Erdogan u shpreh përsëri për anëtarësim në BE të vendit të tij. Por edhe më e rëndësishme ishte e ardhmja e tij politike, mendon Nina Werkhäuser

https://p.dw.com/p/1B2l1

Gjatë vizitave të tij në Gjermani kryeministrit turk i pëlqen të luajë rolin e xhaxhait të dashur që kujdeset për të afërmit e tij jashtë vendit dhe mbron të drejtat e tyre. Në rast se ka ndonjë problem me bashkëjetesën mes gjermanëve dhe turqve këtu Rexhep Tajip Erdogan i fut qeverisë federale ndonjë shkelm në kërci. E paharrueshme mbetet thënia e tij se asimilimi është një krim kundër njerëzimit dhe se fëmijët me origjinë turke në Gjermani duhet që së pari të mësojnë turqisht.

Këtë herë Erdogani nuk kishte se ç'të kritikonte tek politika e integrimit e madje dhe e lëvdoi atë. Politikani autoritar dhe dëshirë për pushtet e ka tani sidomos hallin tek e ardhmja e tij - dhe për këtë arsye përdori në Berlin një ton pajtues.

Megjithëse Erdogani është ende njeriu i fuqishëm në Turqi dhe partia e tij konservatore-islamike AKP dominon peizazhin politik aty, skandali i korrupsioni dhe ndërhyrja e Erdoganit në organet e policisë dhe të gjyqësorit e kanë dëmtuar edhe atë po aq sa dhe ashpërsia e përdorur kundër demonstruesve në Gezi-Park. Negociatat e Turqisë me BE në lidhje me anëtarësimin janë të komplikuara, fjalët dhe veprimet e qeverisë në Ankara shpesh nuk përshtaten këtu me njëra-tjetrën. Për zhvillimin e mëtejshëm demokratik të shoqërisë turke Erdogani duket se nuk ka vizione.

Mesazh bashkëatdhetarëve

Që kur mori detyrën në vitin 2003 kryeministri i përkëdhelur nga sukseset njeh vetëm fitore në zgjedhje. Tani ai synon postin e Presidentit. Ky zgjidhet këtë verë për herë të parë drejtpërdrejt nga populli. Nëse Erdogan do të kandidojë, atëherë ai ka nevojë për votat e turqve që jetojnë jashtë vendit. Në Gjermani jeton komuniteti më i madh i turqve në Evropë, mbi një milion turq që jetojnë në Gjermani kanë të drejtë vote. Për këtë arsye Erdogani tha i kënaqur në zyrën e Kancelares se bashkatdhetarët e tij mund të votojnë në Gjermani në shtatë vende. Shumica e tyre e mbështesnin deri tani Erdoganin, takimi i të cilit me bashkatdhetarët e tij në Berlin mbante titullin "Berlini takon mjeshtrin e madh".

Por Erdogani nuk u prezantua si një mjeshtër i madh gjatë programit të vizitës së tij zyrtare. Retorika e tij e cila nuk thoshte asgjë për anëtarësimin e dëshiruar në BE dukej më shumë si një ushtrim i detyrueshëm. Në këtë mënyrë ai nuk do t'i bindë skeptikët si kancelaren gjermane Angela Merkel. Ajo i përsëriti rezervat e saj për anëtarësimin e Turqisë në BE, dhe zhvillimet e fundit në Turqi i japin asaj të drejtë.