1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sensacion diplomatik!

Jens Thurau14 Dhjetor 2015

Çfarë triumfi! Askush nuk e priste, as para një viti, as para dy javësh arritjen e Konferencës së Parisit! Por me këtë marrëveshje kanë fituar të gjithë, mendon Jens Thurau.

https://p.dw.com/p/1HMrN
Frankreich Cop21 Klimagipfel in Paris Klimaabkommen beschlossen Fabius
Ministri i Jashtëm francez Fabius përqafon ambasadoren franceze për ndryshimet e klimës, Laurence Tubiana. Në krah Sekreterja e OKB-së për klimën, Christian FigueresFotografi: Getty Images/AFP/F. Guillot

Çfarë rezultati! Të 195 shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara pranojnë një marrëveshje për klimën, e cila duhet të kufizojë rritjen e temperaturës globale jo vetëm në 2 gradë, por madje deri në 1,5 gradë. Një marrëveshje që i vendos në një kuadër të detyrueshëm të së drejtës ndërkombëtare objektivat vullnetare të klimës, një marrëveshje që verifikon dhe përmirëson në rast nevoje, një marrëveshje që ofron ndihma financiare për vendet e varfra në një masë që deri më tani as nuk mendohej.

Të gjithë kanë fituar, kjo përtej marrëveshjes së klimës! Evropianët, kjo bashkësi që së fundmi ka rënë në sy më shumë për grindje që ende vazhdojnë: Kanë fituar shtetet e BE-së, që qëndruan të bashkuara për një marrëveshje ambicioze. Shtetet ishuj që vuajnë drejtpërdrejt pasojat e ndryshimeve të klimës dhe që pas konferencës për klimën në Rio në vitin 1992 kanë zhvilluar një vetëbesim të ri. Ishin pikërisht ishujt Marshall që në Paris krijuan një koalicion të ri të 79 vendeve të varfra me BE-në, të cilit iu bashkangjitën Brazili, Meksika, dhe SHBA. Shtetet e Bashkuara ndjekin ishujt Marshall?! E pabesueshme! Dhe në fund mund të thuhet se kanë fituar edhe shtetet në ekspansion ekonomik si Kina dhe India, që hoqën dorë nga kundërshtimi për të hapur rrugën për këtë sensacion diplomatik.

Kryevepra e Laurent Fabius

Me asnjë emër tjetër nuk do të lidhen këto ky javë më shumë se me emrin e Laurent Fabius. Pak kohë pas sulmeve të tmerrshme terroriste në Paris, ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius ka ndezur një dritë në vendin e tronditur. Me qetësi stoike dhe aftësi të jashtëzakonshme diplomatike ai e udhëhoqi këtë konferencë edhe në ditë të vështira. Kush e ka parë konferencën e dështuar të Kopenhagës para gjashtë vjetësh, di ta vlerësojë këtë arritje të jashtëzakonshme. Presidenca daneze atëherë gaboi me mosgjetjen e një ekuilibri mes vendeve të varfra dhe të pasura. Fabius këtë herë bëri të kundërtën.

Thurau Jens Kommentarbild App
Jens Thurau

Një triumf për organizatat e mjedisit që shpesh injorohen, të cilat që nga konferenca e Rios ishin pjesë e procesit të mbrojtjes ndërkombëtare të klimës. Ndoshta shpesh me kritika të ekzagjeruara, të ashpra, me kërkesa të pamundura për t'u përmbushur, por pa harruar asnjëherë paralajmërimet e shkencës. Këtu duhen përmendur edhe Kombet e Bashkuara që treguan në këtë rast se dinë të menaxhojnë problemet globale.

Tani duhet që impulsi i Parisit të kthehet në një frymë të përgjithshme: Investimet duhet të ndërrojnë kah, larg energjive fosile, drejt energjive të rigjenerueshme. Fondet e premtuara për vendet e varfra duhet të shkojnë në destinacion. Kjo vërtet ka filluar, por procesi tani duhet të marrë hov. Ndoshta në një botë krizash gjithnjë e më shumë në ashpërsim, shpresa vjen nga mbrojtja e mjedisit: Bashkësia ndërkombëtare mund t'i zgjidhë problemet e saj vetëm e bashkuar. Bravo Francë!

Ju mund të shprehni opinionin Tuaj poshtë këtij artikulli! Ne na gëzon ky bashkëpunim!