1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Merkeli humbet aleatë

Trippe Christian F. Kommentarbild App
Christian Trippe
15 Shkurt 2016

Dy persona që mungonin ndikuan te Konferenca e Sigurisë e Mynihut: Angela Merkel dhe Vladimir Putin. Kancelarja lufton për të mbijetuar politikisht, Presidentin rus kjo e gëzon, mendon Christian F. Trippe.

https://p.dw.com/p/1HvOE
Angela Merkel bei Wladimir Putin in Moskau
Fotografi: Getty Images/AFP/K. Kudryavtsev

John McCain është ujk i vjetër në politikë. Republikani nga Arizona u tregon një herë në vit vendin evropianëve dhe e shijon rolin e profetit të fatkeqësive në politikën e sigurisë. Paraqitja e tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih është pjesë e traditës popullore transatlantike. Por këtë vit, McCain e nisi fjalimin e tij me një lëvdatë që të tërhiqte vëmendjen, sepse nuk pritej nga goja e tij: ai e falenderoi Kancelaren gjermane Angela Merkel për aftësinë e saj udhëheqëse.

Merkelit i pakësohen aleatët

Ka arritur deri në SHBA lajmi se Kancelarja gjermane ndodhet nën një presion të tillë politik, që asaj mund t'i kushtojë postin dhe amerikanëve një aleate të besuar. Merkeli suvjet nuk ishte në Konferencën e Sigurisë, por fati i saj politik u diskutua edhe në Mynih, ndoshta edhe u vendos.

Fare hapur, kryeministri francez Manuel Valls e bëri të qartë në Mynih se vendi i tij e kundërshton politikën gjermane për refugjatët. Franca nuk ka dëshirë të pranojë refugjatë të tjerë; dhe Parisi kundërshton edhe planin e Merkelit, për të vendosur në mënyrë të detyrueshme në BE një lloj çelësi të shpërndarjes së migrantëve. Me këtë Merkeli humbet edhe shpresën e fundit për një aleat të fuqishëm në çështjen e refugjatëve. Në takimin e nivelit të lartë të BE javën e ardhshme ajo vetëm mund të dështojë.

Diplomaci e pafuqishme në krizën e Ukrainës

Kjo në një kohë kur kriza politike i ka absorbuar asaj kaq shumë energji politike, sa Merkeli - pa u vënë re nga shumë vetë - po humbet edhe në një fushë tjetër nga duart timonin e drejtimit. Dy vjet më parë, kur Rusia aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë dhe kur mbështeti me armë dhe luftëtarë një kryengritje separatiste në Ukrainën Lindore, Gjermania mori në dorë drejtimin në diplomacinë e krizës. SHBA ndenjën të tërhequra, Presidenti i SHBA Barack Obama u la përparësi gjermanëve.

Por në dy javët e fundit SHBA po angazhohet gjithnjë e më shumë në krizën e Ukrainës dhe po përpiqet që t'i japi sërish jetë me mjetet e diplomacisë së heshtur së ashtuquajturës Marrëveshje të Minskut. Në negociata të fshehta, amerikanët hetuan te rusët, nëse marrëveshja ka ndonjë shans që të shpëtohet. Sigurisht që Obamas do t'i vinte mbarë një sukses në politikën e paqes në vjeshtën e presidencës së tij. Por kjo ka kuptim edhe më të gjerë: diplomacia gjermane për Ukrainën është bërë e pafuqishme dhe pa substancë muajt e fundit.

Christian F. Trippe
Christian F. TrippeFotografi: DW

Moskës i përshtatet dobësimi i Merkelit

Sa më shumë refugjatë erdhën në Gjermani aq më pak energji politike mund të shpenzonte për tema të tjera Zyra Kancelarore. Në këtë bashkëveprim shumë të dukshëm, disa vëzhgues thonë se shohin një komplot gjigand: Në Siri, bombat e Vladimir Putinit kundër kundërshtarëve të Bashar al- Assadit prodhojnë gjithnjë e më shumë refugjatë, vërshimi i të cilëve drejt Gjermanisë e dobëson Merkelin dhe ndoshta e rrëzon. Gjë me të cilën do të konfirmohej, se Putini si një aktor me kukulla është në gjendje të drejtojë vërshime refugjatësh dhe të vendosë fate kancelarësh. Edhe po të mos mendosh kaq larg, rezultati i analizës nuk është neutral: pa dyshim që Rusisë i intereson dobësimi i Merkelit; por nga ana tjetër, edhe vetë SHBA janë të shqetësuara që kriza e refugjatëve mund të kërcënojë të gjithë projektin evropian dhe në mënyrë akute postin e kancelares Merkel.

Kjo gjendje e ndërlikuar në politikën botërore depërtoi madje deri në sallën festive të Konferencës së Sigurisë. Për shkak të politikës së saj ndaj refugjatëve, Merkelin e kritikon në Gjermani para së gjithash kryeministri i Bavarisë, Horst Seehofer. Ai e qëlloi pas shpine edhe në politikën e jashtme Kancelaren, me vizitën te Putini në Moskë. Kjo vizitë, nga ana tjetër, senatorit John McCain iu duk kaq e pështirë, sa të shtunën në darkë ai nuk e pranoi ftesën e Seehoferit për darkën solemne.