Koment: Pozicioni i Gjermanisë ndaj Venezuelës - Një qendrim, por pa efekt

Gjermania e ka njohur si president të tranzicionit udhëheqësin e opozitës në Venezuelë Juan Guaidó. Por Oliver Pieper shpreh dyshim, nëse presioni diplomatik ndaj Karakasit do të ndryshojë vërtetë diçka në vend.

I pyetur, se sa lëvizje i mendon paraprakisht në shah, legjenda e shahut  Bobby Fisher një herë është përgjigjur: "Unë nuk mendoj aspak në avancë, unë fitoj edhe kështu!" Përgjigja e mjeshtrit të madh Samuel Reshevsky ndaj së njëjtës pyetje nuk ishte me kaq mendjemadhësi kur tha, se: "Një lëvizje më tej se kundërshtari!"

Le t'i analizojmë një herë reagimet e kundërshtarit

Në politikë si edhe në shah: ose je i bindur katërcipërisht, se mund ta realizosh pozicionin dhe mund t'i lejosh vetes edhe ndonjë mendjemadhësi à la Fisher. Ose - skenari, që ndodh më shpesh në politikën reale është, që i kalon një herë nëpërmend reagimet e mundshme të kundërshtarit dhe di të përgjigjesh paraprakisht ndaj tyre. Në radhë të parë, nëse pala në tryezën tjetër është i kokëshkëmb.

Oliver Pieper

Gjermania fillimisht i vendosi një ultimatum kreut të shtetit venezuelan Nicolás Maduro: Atij iu dhanë tetë ditë kohë për të shpallur zgjedhjet e reja - presidenciale kuptohet, jo ato parlamentare. Në rast të kundërt Berlini do të njihte Juan Guaidó si president të tranzicionit. Ndërkohë ministrat e jashtëm të BE-së nuk mundën të bien dakord për një pozicion unik lidhur me Venezuelën dhe kësisoj pozicioni gjerman u dobësua edhe më shumë. Pavarësisht kësaj, ministri i Jashtëm Heiko Maas, i bëri thirrje edhe më tej Maduros, që "të ndryshojë menjëherë kursin" dhe "të nisë një proces të besueshëm politik në kuadër të kushtetutës politike".

Nicolás Maduro u përgjigj ashtu siç e kishte të qartë kushdo në Berlin: Ai refuzoi të shpallë zgjedhje të reja. Zgjedhjet e ardhëshme presidenciale zhvillohen më 2024 dhe Venezuelës nuk i intereson se çfarë do Europa. Ndoshta qeveria gjermane në vetvete ka hamendësuar, se presioni ndërkombëtar ndaj Maduros do të rritej aq shumë, sa ushtarakët e nivelit të lartë njeri pas tjetrit do të ndryhsonin kahun dhe dikur edhe Rusia e Kina do të hiqnin dorë prej mbështetjes së tyre ndaj Maduros. Por a kishte vërtetë gjasë për këtë, pikërisht kur ke të bësh me një mjeshtër të mbijetesës, si pasuesi i Hugo Chávezit? Llogaria e Gjermanisë, se do ta vinte në shah mat Maduron, pa pasur një qendrim më të mirë, nuk doli.

Po tani? Si të reagojmë ndaj lëvizjes tjetër?

Si reagim ndaj refuzimit të Maduros për të shpallur zgjedhjet presidneciale, Gjermania dhe shumë vende të tjera të BE-së tashmë e kanë njohur si president të tranzicionit udhëheqësin e opozitës Juan Guaidó. Kancelarja Angela Merkel tha, se ajo pret nga Guaidó, që ai "mundësisht shpejt të iniciojë një proces elektoral". Gjermania pra u mbahet fjalëve të saj dhe tregon qendrim - por tani e ka radhën Venezuela. E ka pak gjasa, që ndaj përgjigjes tjetër të Venezuelës të jetë e gatshme replika e përshtatshme: Presidenti Maduro do ta përsërisë, që ai është presidenti i zgjedhur, Guaidó do të theksojë, që e konsideron veten si presidentin legjitim të tranzicionit. Mbetet e paqartë, se si Guaidó do të organizojë zgjedhje presidenciale duke anashkaluar Maduron, që ende mund të mbështetet tek aparati shtetëror. E çfarë do të bëjë Gjermania pas kësaj?

Nëse tani nuk e heqim qafe Maduron, atëherë nuk do t'ia dalim asnjëherë tjetër, thonë mbështetësit e Guaidós. Sa më shumë zgjat loja për pushtetin në Venezuelë, aq më shumë rriten shanset e Maduros që të mbetet në krye të vendit. Ndoshta, sepse ai gjithmonë mendon një lëvizje më tej se kundërshtari i tij.

Më shumë për këtë temë