1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rritet presioni ndaj "evropianes së fundit"

11 Maj 2016

Angela Merkel ishte forca shtytëse e marrëveshjes BE-Turqi për refugjatët. Në rast se ajo dështon, është në rrezik edhe pozita e kancelares brenda partisë së saj CDU, mendon Christoph Strack.

https://p.dw.com/p/1IlJf
Deutschland Angela Merkel besucht französisches Gymnasium in Berlin
Fotografi: picture-alliance/dpa/K. Nietfeld

Marrëveshja për refugjatët mes BE-së dhe Turqisë e nënshkuar në mars ishte si një lloj korsie shpëtimi për kancelaren gjermane. Kjo marrëveshje ishte një rrugëdalje nga një situatë politike në dukje të pashpresë. Por kjo marrëveshje kishte për Angela Merkelin çmimin e saj. Fyerjet politike të Erdoganit kundër Evropës, kriza në drejtim, injorimi i lirisë së shtypit dhe të shprehjes, dhe çështja Böhmermann.

Kështu dështimi që pritet lidhur me marrëveshjen me Turqinë e hedh edhe Merkelin tej. Për shkak se ajo konsiderohet si forca themelore pas marrëveshjes me Ankaranë. Dhe është gjithashtu një largim i përgjegjësisë kur zëdhënësi i saj tani thekson se partner bisedimesh i udhëheqjes turke lidhur me zbatimin e mëtejshëm është Komisioni Evropian. Kur ai shton se ka "një arsye të mirë për të besuar ende në zbatimin e kësaj marrëveshjeje" - atëherë mund të dëgjosh fishkëllima të zbehta në pyllin evropian.

Christoph Strack
Christoph StrackFotografi: DW

Megjithë procesin e ashpër dhe të shoqëruar me dhimbje koke të marrëveshjes BE-Turqi - muajt e fundit koha luajti vërtet në favor të kancelares. Së pari qe Austria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor që mbyllën kufijtë. Pastaj edhe gatishmëria turke për të pranuar përsëri refugjatë, të cilët ose donin të ktheheshin në vendin e tyre ose donin të largoheshin nga lufta civile në Siri për të shkruar në një vend pritës të Bashkimit Europian. Por përndryshe në Evropë ka shumë rezistencë që nga qëndrimi bllokues i Evropës Qendrore dhe Lindore deri në pajtimin me fatin në jug. Pasiguria po shtohet, sikurse tregon dhe dorëheqja e kancelarit të Austrisë, Verner Fejman (Werner Faymann). Vendimi i tij u tregon jo vetëm socialdemokratëve në Vjenë dhe Berlin se sa dramatike është situata politike aktuale.

Angela Merkel ka prej kohësh një rol të veçantë në Evropë. "Ajo konsiderohet si përfaqësuese e një vizioni që mban emrin e saj dhe citohet shpesh në Evropë (" Ne jemi të bashkuar për fatin tonë të mirë "). Asnjë kryeministër tjetër në Evropë nuk është prej kaq shumë kohësh në post sa ajo. "Ta mbajmë Evropën të bashkuar" - këtë përmendi ajo të premten si një prej temave të bisedimeve në Romë.

Kur bëhet fjalë për "evropianin" e fundit, shpejt përmendet emri i saj. Dhe me të drejtë, sepse deri tani qëndrimi i saj i qartë për çështjen e refugjatëve dhe këmbëngulja e saj për një kurs të përbashkët evropian i mbizotëruan pyetjet e bëra fillimisht qetë, e që tani po bëhen me zë gjithnjë e më lartë. Kancelarja është e njohur për atë se ajo nuk ankohet për të kaluarën, por sheh gjithmonë në mënyrë pragmatike për mundësinë e hapit të ardhshëm dhe punon në atë drejtim. Por tani tensioni dhe presioni po shtohen për të ringjallur tani një ide evropiane dhe për ndjekur në të njëjtën kohë një rrugë të përgjegjshme lidhur me refugjatët.

Kryeministrja e Sarlandit, Annegret Kramp-Karrenbauer, shoqe e ngushtë e Merkelit në presidiumin e CDU-së, tha në fundjavë një të vërtetë të rëndomtë. "Askush në këtë botë nuk është i pazëvendësueshëm. As në CDU dhe as edhe Angela Merkel. Askush nuk e di këtë më mirë se ajo vetë" - tha ajo për gazetën "Bild am Sonntag ". Annegret Kramp-Karrenbauer nuk është ndoshta puçiste. Por në rast dështimi të marrëveshjes BE-Turqi dhe përplasjes tjetër të madhe anëtarë të tjerë të Unionit CDU/CSU, dhe tani jo vetëm nga radhët e CSU-së, do t'u vijë në mendje kjo e vërtetë e rëndomtë.

Strack Christoph Kommentarbild App
Christoph Strack Gazetar, autor dhe korrespondent i lartë që shkruan për çështjet fetare.@Strack_C