1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

T'i jepet shans diplomacisë në konfliktin e Ukrainës

Ingo Mannteufel15 Korrik 2014

Trupat ukrainase arritën të shënojnë suksese ushtarake kundër separatistëve në Ukrainën Lindore. Por konflikti nuk mund të zgjidhet me dhunë, mendon Ingo Mannteufel.

https://p.dw.com/p/1CdCF
Fotografi: Reuters

Nën hijen e Kampionatit Botëror të Futbollit dhe të shkallëzimit në Lindjen e Mesme, ditët e fundit luftimet në zonat e pushtuara nga separatistët në Ukrainën Lindore janë intensifikuar: në to përdoren armë gjithmonë e më të rënda dhe numri i viktimave, që bëhet i ditur, është gjithnjë e më i lartë. Edhe lufta informative arrin lartësi të reja, para së gjithash shtohet retorika në vend, kur për shembull një deputet rus kërkon goditje precize ushtarake kundër Ukrainës.

Nga pikëpamja ushtarake gjendja në terren ka ndryshuar disi: aktualisht janë trupat qeveritare ukrainase ato, që e kanë në dorë iniciativën dhe ato po u shkaktojnë dëme të konsiderueshme separatistëve. Që kur ata u tërhoqën me ngut nga qytetet me rëndësi simbolike Slovjansk dhe Kramatorsk, forcat e tyre koncentrohen në një rajon bërthamë midis Donjeckut, Luhanskit dhe në një pjesë të kufirit ruso-ukrainas.

Sukseset ushtarake dhe kontrolli i rifituar mbi qytete të caktuara duket se i japin të drejtë strategjisë së presidentit ukrainas, Petro Poroshenko, i cili që prej fillimit të korrikut ndjek një zgjidhje të dhunshme.

Ingo Mannteufel
Ingo MannteufelFotografi: DW

A është e mundur një fitore ushtarake?

Megjithatë një politikë, që mbështetet vetëm tek dhuna, është një sipërmarrje e rrezikshme për udhëheqjen e Kievit: kërcënon një luftë e përgjakshme partizane. Luftimet shtëpi më shtëpi në qytetet e mëdha Donjeck dhe Luhansk mund të shkaktojnë shkatërrime të tmerrshme dhe para së gjithash të rritin numrin e viktimave në radhët e popullatës civile.

Besimi i popullit në Ukrainën Lindore ndaj pushtetit shtetëror të Kievit në këtë mënyrë nuk do të shtohet. Dhe Kremlini në Moskë mund ta shfrytëzojë megjithatë një shkallëzim të dhunës si shkas për të marshuar në Ukrainën Lindore. Pra nëse konflikti në Donjeck dhe Luhansk do të mund të fitohet në fund me mjete ushtarake, kjo është shumë e diskutueshme.

Shanse për ndërmjetësim

Prandaj është një veprim i mirë dhe i drejtë, që të rinisin bisedimet në grupin e kontaktit të Ukrainës midis përfaqësuesve të Ukrainës, të Rusisë dhe të OSBE-së dhe që të shqyrtohen shanset për një armëpushim dhe për një zgjidhje diplomatike. Përfshirja në bisedime e përfaqësuesve të separatistëve, fillimisht përmes një konference me video, më vonë në bisedime direkte, me sa duket është e pashmangshme, por edhe shumë problematike. Në thelb këta guerilas marrin kështu një vlerësim, të cilin nuk e kanë merituar. Sepse ata nuk kanë asnjë mandat, që të flasin për popullatën në zonat e pushtuara prej tyre.

Negociatat në Grupin e Kontaktit nuk duhet të çojnë edhe që separatistët, përmes armëpushimit të arrijnë një ndarje faktike të Donbassit nga Kievi. Synimi në këto bisedime mund të jetë vetëm që separatistët të nxiten të dorëzohen, për të penguar një gjakderdhje të mëtejshme. Por përballë kësaj sfide, heqja dorë krejtësisht nga negociatat me separatistët dhe kërkimi i zgjidhjes vetëm ushtarakisht do të ishte neglizhencë, përballë alternativave të tmerrshme. Që të besosh se në këtë gjendje të ndërlikuar ka një zgjidhje të thjeshtë, siç pohohet kjo në Ukrainë ose në Rusi, do të ishte më se naive.