1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komision i posaçëm për hetimin e rastit të vdekjes së dy personave pas protestave të së shtunës

Bekim Shehu12 Shkurt 2007

Reagon politika kosovare: Protestat e dhunshme të së shtunës në Prishtinë ku humben jetën dy persona, kanë krijuar tensione, të cilat shkojnë kundër stabilitetit dhe interesave të përgjithshme të Kosovës

https://p.dw.com/p/ArYg
Pamje nga demonstrata, 10.02.2007
Pamje nga demonstrata, 10.02.2007Fotografi: AP

Në Kosovë janë shënuar reagime dhe oponione nga më të ndryshmet, pas vdekjes së dy personave nga lëndimet që pësuan gjatë protestës të së shtunës që u zhvilluan në Prishtinë, kundër grupit negociator dhe kundër pakos së ndërmjetësit ndërkombëtar, Marti Ahtisari. Institucionet e Kosovës, duke shprehur ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave, thonë se, protestat e së shtunës kanë krijuar tensione të veçanta, të cilat shkojnë kundër stabilitetit dhe interesave të përgjithshme të Kosovës. Ndërkohë, shoqëria civile, kërkon që të bëhen hetime te hollësishme, të shpejta dhe të pavarura lidhur me protesten e lëvizjes vetvendosje.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se këtë angazhim autoritet ua kanë borxh, jo vetëm familjeve të prekura, por edhe publikut të gjërë me qëllim të ruajtjes së besimit për autoritetet që janë të përkushtuara për sundimin e ligjit. Organizatorët e protestës, aktivistët e lëvizjes vetvendosja, nga ana e tyre akuzojnë policinë për dhunën e tepruar që kanë perdorur kundër protestueve.

Zyrtarë të policisë, thonë se organet e rendit kanë qenë të detyruara të veprojnë për të parandaluar eskalimin e situatës dhe kundër prishjes së rendit dhe qetësisë publike.

Menjëherë pas publikimit të lajmit për vdekjen e dy protestuesve nga lendimet marra gjatë protestës në Prishtinë, grupi negociator i Kosovës, zhvilloi një takim të jashtëzakonshëm dhe analizoi gjendjen e krijuar në Kosovë pas protestës së dhunshme e nxitur nga Albin Kurti dhe lëvizja "Vetëvendosje".

Albin Kurti, udhëheqës i lëvizjes vetvendosje, akuzohet nga policia për prishje të rendit dhe të qetësisë publike si dhe për demonstrata të dhunshme. Protestat e djeshme sipas anëtarëve të grupit negociator të Kosovës kanë krijuar tensione të veçanta, të cilat shkojnë kundër stabilitetit dhe interesave të përgjithshme të Kosovës.

Ekipi negociator ju bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të kontribuojnë ashtu si deri tani për stabilitetin e vendit. Ekipi i Unitetit konstaton se dhuna e orientuar kundër institucioneve dhe prishja e rendit dhe e qetësisë publike, duke thyer ligjin është e papranueshme.

Ngjarjet sikur protestat e së shtunës mund të lënë pasoja negative në procesin e shtetformimit të Kosovës. Ekipi i Unitetit thërret institucionet kompetente që urgjentisht të hetojnë gjithë këtë zhvillim dhe të japin shpjegime për rrjedhat e tij në afat sa më të shkurtër, para qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, është shprehur se do të hetohen të gjitha lëvizjet dhe veprimet që kanë bërë si policia ndërkombëtare ashtu edhe SHPK-së gjatë ndërhyrjes për shpërndarjen e protestuesve.