1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komisioni Evropian porosit: Vazhdoni punën në plotësimin e standardeve

Bekim Shehu24 Nëntor 2006

Zhvillohet takimi i mekanizmit përcjellës të stabilizim asocimit për Kosovën. Institucioneve të Kosovës KE-ja u rekomandon që të angazhohen më shumë në zhvillimin e organeve të drejtësisë, në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikimit

https://p.dw.com/p/Araw
Komisioni Evropian, Bruksel
Komisioni Evropian, BrukselFotografi: AP

Komisioni Evropian e vlerëson përparimin e shënuar në Kosovë gjatë këtij viti, dhe në këtë mes veçon, kalimin e përgjegjësive nga UNMIK-ut tek institucionet e Kosovës, përkatësisht krijimin e ministrisë së drejtësisë dhe ministrisë së rendit. Ndërsa, në fushën e ekonomisë, komisioni vlerëson hartimin e politikave afatmesme, privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore si dhe korporatizimin e disa ndërmarrjeve publike në Kosovë.

Këto vlerësime u dhanë në takimin e mekanizmit përcjellës të stabilizim asocimit për Kosovën që zhvilloi punimet në Prishtinë. Përfaqësuesja nga Komisioni evropian për Ballkanin perëdimor, Ruiz Calavera, tha se institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë punën në plotësimin e standardeve, sepse kjo është e vetmja rrugë që Kosova në të ardhmen të mund të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

"Përkushtimi në këtë drejtim nuk duhet të jetë vetëm i udhëheqësve politik dhe qeverisë së Kosovës por i të gjithë qytetarëve. Pra udhëheqësit dhe shoqëria kosovare duhet të mbesin të përkushtuar në përmbushjen e standardeve, si rruga më e mirë për të arritur një status të qëndrueshëm në të ardhmen, si dhe për ta bërë Kosovën një vend më të mirë për të gjithë", tha Ruiz Calavera.
Ndërsaa kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, nga ana e tij tha se, qeveria e tij ka vizionin për integrimin në Bashkimin Evropian, mirëpo, nga Unioni kërkoi që të jetë më zemërgjerë në raport me ballkanin perëndimor.

Në raportin e fundit të mekanizmit përcjellës të stabilizim asocimit për Kosovën, kërkohet nga institucionet e Kosovës angazhim më i madh në zhvillimin e organeve të drejtësisë, në luftimin e korrupsionit, krimin e organizuar dhe trafikimin. Thuhet se përqendrimi i institucioneve të Kosovës në çështjen e statusit nganjëherë ka vonuar disa reforma të rëndësishme, si reformat e gjithanshme në shërbimin civil, ndërsa, theksohet se pakicat vazhdojnë ende të jetojnë në kushte të vështira.

Komisioni Evropian, thuhet në raport, do të vazhdojë ta mbështesë Kosovës. Ndihma financiare e BE-së për Kosovën në vitin 2006 kap shumën prej 59.5 milionë eurosh. Përfaqësuesit e Komisionit Evropian, theksuan rëndësinë e dialogut dhe të monitorimit të rregullt për zhvillimet në Kosovë, siç është theksuar edhe në raportin e fundit mbi përparimin e Kosovës. Autoritetet e Kosovës thuhet në raport duhet ta përdorin këtë si një standard themelor në përpjekjet për të forcuar qeverisjen e mirë.