1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papunësi e lartë tek të rinjtë në BE

22 Maj 2012

Komisioni i BE-së ka nisur një projekt pilot për të ndihmuar të rinjtë e papunë, që të gjejnë punë në vende të tjera të BE-së.

https://p.dw.com/p/14zb2
Demonstrata e të rinjve spanjollë kundër papunësisë dhe masave të kursimeveFotografi: Reuters

Komisioni i BE-së nuk do që të vihet në shënjestër të kritikës sikur ka bërë sehir duke mos reguar, në një kohë që gjithnjë e më shumë të rinj mbeten pa punë dhe pa perspektivë për të ardhmen. Pesë milinë e gjysmë të rinj në BE janë aktualisht në këkrim të një vendi pune ose të kurseve të arsimit profesional - 5000 syresh duhet të mbështeten tani, në mënyrë që të gjejnë punë në një vend tjetër të BE-së.  Kjo masë merret në kuadë rtë projektit pilot, në të cilin fillimisht do të përfshihen katër administrata kombëtare pune, ndër to edhe Agjencia Federale gjermane e Punës. Të rinjtë nga e gjithë BE-ja mund të aplikojnë për ndihmë financiare, siç sqaroi zëdhënësi i Komisionit të BE-së, Jonathan Todd: "Synohet që 18 deri në 30 vjeçarët të mbështeten në aplikimet që bëjnë jashtë vendit të tyre si dhe t'u mbulohet një pjesë e shpenzimeve për të marrë pjesë në intervistat për aplikim si dhe për shpërnguljen jashtë vendit. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme mund të aplikojnë për një fond për mbulimin e shpenzimeve për kurset e kualifikimit profesional, në rast se ato pranojnmë një të ri nga ky grup në ndërmarrjen e tyre. Ndër këto shpenzime p.sh. përfshihen edhe kostot për kursin e gjuhës."

Logo ILO International Labor Organization
Logoja e Organizatës Botërore të Punës (ILO International Labor Organization)Fotografi: AP GraphicsBank

Projekti nuk është zgjidhje, por vetëm zbutje e problemit

Katër milionë euro janë vënë në dispozicion për fazën pilot - kjo është si një pikë uji në det, për këtë është i vetëdijshëm zëdhënësi i komisionit Todd: "Ky projekt nuk do të jetë zgjidhja për 54 % të rinisë greke, që aktualisht është papunë."

Edhe në Spanjë ndërkohë një në dy të rinj është i papunë - mesatarja në 17 vendet e euros është tronditëse me 22%. Gjermania me gati 8% është në këtë drejtim si një ishull i bekuar. Organizata Ndërkombëtare e Punës në raportin tërheq vëmendjen për rezikun e këtij brezi, që mund të konsiderohet si gjenerata e humbur në Evropë. Të paktën teorikisht, organizata e OKB-së e ka portën e hapur tek instancat përgjegjëse në BE. 

Mundësi të kufizuara për BE-në - Tregu i punës çështje kombëtare

Presidenti i Komisionit të BE-së, Hose Manuel Barroso: "Unë besoj se çështja më emergjente sociale është të gjesh një përgjigje ndaj frikës që kanë të rinjtë, se nuk do të gjejnë punë." Por në praktikë mundësitë e BE-së janë të kufizuara. Politika e tregut të punës vazhdon të jetë kompetencë e vendeve anëtare. Brukseli në rastin më të mirë mund të japë rekomandime. Të njëjtën gjë bën edhe Organiazata Ndërkombëtare e Punës, e cila stimulon qeveritë për të ndjekur një politikë aktive përmes suplementit të pagave apo favoreve në tatime për ato ndërmarrje, të cilat punësojnë të rinjtë.

BE-ja përpiqet, që mjetet e kufizuara nga fondi social evropian t'i orientojë më shumë në luftën kundër papunësisë tek të rinjtë. Krahas mbështetjes në gjetjen e një vendi pune jashtë atdheut, synohet edhe krijimi i një rrjeti vullnetar evropian, ose gjetja e bursave për financimin e praktikave nëpër ndërmarrje në vende të tjera të BE-së. Për disa mijë të rinj, që përfitojnë prej këtyre masave, kjo është vërtetë e dobishme, por jo e mjaftueshme për zgjidhjen e problemit në tërësi.

Autor: Martin Bohne / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Elert Ajazaj