1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konferencë gjigande me sukses minimal - Bilanc i samitit të OBT-së

18 Dhjetor 2005

Përfundoi punimet me suksesh të pjesshëm samiti i Organizatës Botërore të Tregtisë në Hongkong. Vendet e industrializaura bëjnë lëshime duke premtuar shkurtimin e subvencioneve për produktet agrare duke filluar nga viti 2013.

https://p.dw.com/p/Aqh4
Kundërshtarë të globalizimit protestojnë në Hongkong kundër OBT-së
Kundërshtarë të globalizimit protestojnë në Hongkong kundër OBT-sëFotografi: AP

Samiti i OBT-së u mbyll nën atmosferën e turbullt të protetstave jashtë sallës. Protetsuesit ishin disa qindra vetë, kryesisht bujq dhe kundërshtarë të OBT-së që iu drejtuan godinës së konferencës. Policia u detyrua të përdorë gazin lotësjellës. Kjo konsiderohet si një nga protestat më të ashpra në Hongkong qysh nga viti 1967.

Ndonëse bisedimet gjatë një jave të punimeve të konferencës së OBT-së në Hongkong ishin mjaft të vështira, aq sa pati edhe krizë, pjesëmarrësit së fundi mundën të bien dakord për një kompromis që konsideorhet si minimal krahasuar me përmasat e konferencës. Çështja më e debatueshme midis 150 shteteve pjesëmarrëse ishin subvencionet agrare të vendeve të pasura, kryesisht në BE dhe ShBA, gjë që pengon futjen e produkteve agrare nga vendet në zhvillim dhe vendet e varfëra në tregjet perëndimore. Por më në fund vendet e pasura ranë dakord për shkurtimin e subvencioneve agrare deri në vitin 2013.

Drejtori i Përgjithshëm i OBT-së, Paskal Lami i cilësoi bisedimet si një shtysë për të ardhmen: "Kjo javë na tregoi, se aty ku ekziston vullneti i përbashkët ka edhe një rrugëzgjidhje."

Ministri i jashtëm i Brazilit, ndonëse jo plotësisht i kënaqur, vuri në dukje, se në të gjithë këtë proces ka një farë besueshmërie. Ai nënvizon, se është e rëndësishme që së paku tani u përcaktua një afat. Edhe shtetet afrikane prodhuese të pambukut patën disa probleme me tekstin e deklaratës përfundimtare. Ndonëse ShBA premtojnë, se do të heqin subvencionet për eksportet e pambukut, afrikanët kërkojnë që të shkurtohen edhe të tjera subvencione të brendëshme.

Në samitin e OBT-së në Hongkong pjesëmarrësit nuk mundën të bien dakord mbi modalitetet e doganave për bujqësinë dhe sektorin e industrisë. Sa u përket shërbimeve publike teksti i deklaratës nuk përmban asgjë konkrete. Megjithatë pjesëmarrësit arritën suksesin minimal: që duke filluar nga viti 2008 97% e mallrave të tyre do të kenë akses të lirë në tregjet e vendeve të industrializuara.

Në këtë mënyrë mundi të evitohet dështimi i raundit të hapur qysh në samitin e Dohasë në Katar. Por as Hongokongu nuk solli suksesin e madh të shumëpritur. Gjithësesi pranverën e vitit të ardhshëm do të zhvillohet një tjetër raund i OBT-së.