1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konferencë ndërkombëtare e Koalicionit për lirinë e Irakut në Tiranë

Arben Muka29 Nëntor 2005

Në këtë konferencë merr pjesë edhe numri 2 i Pentagonit, komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së, gjenerali John Abizaid

https://p.dw.com/p/AqsI
Pamje nga Pentagoni
Pamje nga PentagoniFotografi: dpa

30 zyrtarë dhe ushtarakë nga vendet aleate të koalicionit për lirinë e Irakut janë mbledhur në Tiranë, në kuadër të një konference ndërkombëtare që zhvillohet me iniciativën e Komandës Qendrore ushtarake të SHBA. Nën masa super të larta sigurie, të cilat janë marrë prej 48 orësh në Tiranë, Komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së gjeneral John Abizaid, i cili konsiderohet si numri 2 në Pentagon dhe gjenerali George Casey që drejton forcën shumëkombëshe në Irak- kanë ndarë me përfaqësuesit e vendeve aleate një diskutim mbi të ardhmen e prezencës së forcave ushtarake në vendin problematik, si dhe masat që do të merren në të ardhmen e afërt nga njësitë e vendeve të ndryshme që veprojnë në të gjithë territorin e Irakut.

Gjeneral Casey duke folur për vijimin e prezencës së forcës shumëkombëshe në Irak thotë se misioni do të vazhdojë derisa të përmbushen të gjitha objektivat, që të sigurohet zhvillimi ekonomik e politik atje.Të ndërtohen forcat e sigurisë irakene dhe institucionet e tjera dhe të mundim rebelët dhe luftëtarët e huaj të cilët përpiqen të krijojnë një bazë në Irak, u shpreh gjeneral George Casey, komandant i forcës shumëkombëshe në Irak.

Dy shtatmadhorët e ushtrisë amerikane kanë shfytëzuar qëndrimin e tyre në Tiranë për të zhvilluar bisedime dhe me Kryeministrin, Sali Berisha dhe Presidentin Alfred Moisiu, ku i kanë falenderuar ata për rolin e Shqipërisë në koalicionin antiterror.

Presidenti Alfred Moisiu u shpreh se nuk shikon ndonjë rritje të numrit të ushtarakëve shqiptarë në Irak, por gjithesesi kjo do të jetë në varësi të zhvillimeve të ardhshme.

Shqipëria përveç 100 trupave ushatarakë që ka në Irak, merr pjesë dhe në misione të tjera paqeruajtëse si në Afganistan dhe Bosnje- Hercegovinë.