1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konferencë ndërkombëtare në Madrid - vihen themelet për një strategji mbarëbotërore në luftën kundër terrorizmit

Oliver Glap11 Mars 2005

Në konferencën ndërkombëtare në Madrid kundër terrorizmit, Kombet e Bashkuara vendosën themelet e një strategjie të përgjithshme për luftimin mbarëbotëror të tij. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan madje bëri thirrje për miratimin e një konvente ndërkombëtare, e cila cilëson si ilegal çdo lloj terrori në botë. Ministri i Jashtëm gjerman Joshka Fisher e mbështeti këtë kërkesë. Por është mjaft e rëndësishme që të gjendet një emërues i përbashkët në atë se çfarë do të cilësohet terrorizëm

https://p.dw.com/p/ArEz

Konferenca e Madridit u përshkua si një fill i kuq nga fakti se problemi i përcaktimit të terrorizmit është i vështirë dhe mjetet për të luftuar atë janë të kufizuara. Kryeministri spanjoll, Jose Luis Zapatero theksoi, se terrorizmi nuk mund të lidhet me asnjë ideologji, kulturë apo fe:
"Do të ishte e gabuar nëse besojmë se pas terrorizmit ndërkombëtar fshihet një ideologji e re apo një luftë mes qytetërimeve. Do të ishte një gabim që do të çonte në moskuptimin mes kulturave dhe më këtë tek përçarja. Përçarja do të sillte urrejtjen me vete dhe urrejtja hap sërish derën e dhunës."

Nga ana tjetër ekspertët në këtë konferencë theksuan se lufta kundër terrorizmit është jo vetëm e vështirë, por ka edhe kufijtë e saj. Sepse në luftën kundër terrorizmit shtetet demokratike nuk mund të përdorin çdo lloj mjeti, por vetëm ato, të cilat nuk i prekin të drejtat themelore njerëzore.
Lidhur me këtë Ministri i Jashtëm gjerman, Joshka Fisher theksoi:
"Do të ishte fitorja më e madhe e terrorizmit, po qe se ne do të shkelnim vlerat themelore, pikërisht ato që e bëjnë shoqërinë tonë të lirë aq të vlefshme. Dhe për të arritur këtë balancë, që nuk mund ta arrihet teorikisht, ne do të vazhdojmë të jemi në kontakt me miqtë dhe partnerët tanë amerikanë."

Siguria në shekullin e 21 do të vendoset në zonën e Mesdhuet dhe të Linjës së Mesme, deklaroi Ministri i Jashtëm gjerman. Në konferencë u theksua, që të mënjanohen të gjithë ata faktorë, të cilët e favorizojnë terrorizmin. Një opinion ky, të cilin e mbështeti edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të bashkuara, Kofi Anan:
"Grupet përdorin taktika terroriste, sepse mendojnë se këto taktika janë efektive. Detyra jonë është që t'u tregojmë atyre pa hezitim se gabohen"- tha Anan.

Terroristëve u duhen refuzuar mjetet, me të cilat ata realizojnë aktet terroriste, shtoi Anan. Konkretisht kjo do të thotë që atyre t'u kufizohet liria e lëvizjes, t'u bllokohen burimet financiare dhe mënyrat e rënies në dorë të armëve. Anan e cilësoi si mjaft të rëndësishme luftimin energjik të pastrimit të parave, por më e rëndësishmja është që të pengohet që ata të marrin në dorë armë atomike. E rëndësishme është që të nxitet arsimimi, që favorizon mendimin e lirë:
"Grupet terroriste gjejnë më së lehti pasardhësit e vet, tek njerëzit me botëkuptim të ngushtë"- tha Kofi Anan.

Thellë në shoqëri dhe mbi kufijtë gjeografikë - këto ishin piketat kryesore të konferencës ndërkombëtare të Madridit në luftën kundër terrorizmit.