1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konferenca e APEC-ut dhe roli i Bushit - Bundesveri gjerman dhe Afganistani

DW20 Nëntor 2006

Nga shtypi i ditës veçojmë komente mbi temat: Tregtia Botërore dhe roli i presidentit të SHBA-ve, Xhorxh Bush në sfondin e konferencës së APEC-ut që zhvilloi punimet në Hanoi. Në fokus të analistëve është edhe diskutimi për shtrirjen e misionit të trupave të Bundesverit, ushtrisë gjermane në Afganistan edhe në zona të tjera më të nxehta të vendit në malësinë e Hindukushit.

https://p.dw.com/p/Armu

Lidhur me temën e tregtisë botërore e përditshmja "Frankfurter Allgemeine Zeitung" komenton: "Vitin e ardhshëm përfundon mandati i bisedimeve për presidentin amerikan Bush. Do të pasojnë bisedimet agrare në Evropë, e më pas zgjedhjet në Amerikë. Ndaj diplomtët e tregtisë në verën e 2007 duhet të bien dakord. Fjala është për heqjen e barrierave tregtare dhe për përkufizimin e një marrëveshjeje të pranuar nga të gjitha palët për shkëmbimin ndërkombëtar të mallrave. Duhet gjithashtu, që ideja e tregtisë së lirë të shtrihet përtej marrëveshjeve tregtare bilaterale dhe rajonale. Sepse çdo marrëveshje bilaterale e tregtisë krijon kufizime për shtetet e treta dhe diskriminon vende të tjera, të cilat izolohen në tregjet e veta. Tek e fundit koston edhe për këtë formë të proteksionizmit e paguajnë konsumatorët. Vetëm tregtia e lirë rrit në mënyrë të qëndrueshme mirëqenien globale. Gjithçka tjetër mbetet një vepër jo e plotë", vëren "Frankfurter Allgemeine Zeitung".

Ndërsa gazeta e Regensburgut "Mittelbayerische Zeitung" ndalet tek roli i presidentit, Xhorxh Bush duke komentuar: "Këto janë ditët e pashpresa të Xhorxh Bushit. E gjithë bota pret vetëm largimin e tij. Askush nuk e merr më seriozisht të vetëshpallurin si presidenti i luftës. Shtypi vendas dhe ndërkombëtar e ironizon burrin më të pushtetshëm të botës duke e cilësuar atë si një rosë e paralizuar. Bushi, i cili e percepton veten si të dërguarin personalisht të Zotit, për ta drejtuar vendin e vet drejt lartësive të parajsës, ndodhet përballë rrënojave të politikës së tij. Pretendimi i drejtimit global të SHBA gjithnjë e më shumë po dëshmohet si vetëmashtrim. Kjo u bë mëse e qartë gjatë turneut të presidentit në Azi", nënvizon "Mittelbayerische Zeitung".

Kalojmë në temën e dytë: diskutimi mbi shtrirjen e zonës së angazhimit të Bundesverit në Aganistan edhe në rajonet më problematike. Citojmë së pari gazetën "Neue Westfälische" të Bielefeldit: "Një javë përpara samitit të NATO-s amerikanët dhe britanikët kërkojnë që edhe trupat luftarake gjermane të angazhohen në Jug të Afganistanit. Kjo temë stilizohet si një rast prove për solidaritetin në aleancë të gjermanëve. Një manovër e kuptueshme kjo. Deri tani ushtarët gjermanë në Veri të vendit me rafinesë diplomatike e kanë mbajtur gjendjen të qëndrueshme. Trupa e mban situatën ushtarakisht nën kontroll dhe njëkohësisht u përkushtohet projekteve civile. Prej kësaj nuk duhet hequr dorë me mendjelehtësi. Për më tepër Bundestagu e ka skicuar qartë mandatin, e kjo madje në marrëveshje me NATO-n", shkruan "Neue Westfälische".

Ndërsa "Handelsblatt" e Dyseldorfit komenton: "Nëse vihet në rrezik jeta e ushtarëve gjermanë, Berlini duhet që më me këmbëngulje se deri më sot të insistojë për saktësinë e kuadrit të përgjithshëm të përballimit të konflikteve. Në harkun e krizave nga Palestina deri në Afganistan partneri më i madh perëndimor, SHBA, prezantohet shumë pasiv kundrejt Izraelit, ndërsa në të kundërt në Irak dhe në Afganistan shfaqet ushtarakisht në dimensione të njënashme. Nëse ne do ta pranojmë këtë atëherë do të ishim vetëm plotësues të boshllëqeve ushtarake pa influencë politike, do të humbisnim kapital në politikën e jashtme, pa përmirësuar përballimin e krizave", thekson "Handelsblatt".

Së fundi edhe një vlerësim nga komentatori i "Abendzeitung" që del në Mynih: "Natyrisht që është e kuptueshme indinjata e ushtarëve të trupës ISAF në Jug të Afganistanit, që në territorin e angazhimit gjerman situata është e qetë. Akuzat kundër Bundesverit janë megjithatë të pajustifikueshme. Bundesveri - pavarësisht nga skandali me fotografitë me të vdekurit - gëzon një imazh të mirë në Afganistan. Ushtarët japin ndihmë për rindërtimin, forocjnë ekonominë lokale, kujdesen për një klimë bashkëpunimi në radhët e popullsisë. E si rrjedhojë popullsia s´ka interes që të mbështesë terroristët. Ndërkohë që strategjia e SHBA-ve dhe Britanisë së madhe kufizohet vetëm tek bombardimet. Ndaj s´të habit fakti përse nuk rivendoset qetësia", vëren "Abendzeitung".