1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konfirmohet se tërmeti në Azi ka vrarë mbi 1.000 vetë

8 Tetor 2005

Të prekur: Pakistani, India dhe Afganistani

https://p.dw.com/p/ArNq
Shtëpi e shkatërruar në Islamabad
Shtëpi e shkatërruar në IslamabadFotografi: AP

Prej tërmetit të rëndë në veri të Pakistanit mund të kenë humbur jetën disa mijëra vetë. Këtë drojë e shprehu një zëdhënës i presidentit Pervez Musharraf në Islamabad. Autoritetet rajonale konfirmojnë një shifër prej mbi 1.000 të vdekurish. Sipas ministrisë së brendshme pakistaneze në provincën kufitare veriperëndimore u shkatërruan fshatra të tëra. Në Islamabad u rrëzuan dy ndërtesa të larta. Mendohet që nën rrënoja të jenë shumë banorë. U regjistruan disa lëkundje të mëpasme. Qamar Uz Zaman është drejtor i institutit meteorologjik në Pakistan:

"Kemi regjistruar tashmë gjashtë lëkundje të mëdha të mëpasme. Fuqia e tyre ka qenë 5-6 ballë. Presim këkundje të tjera pasuese gjatë 48 orëve të ardhshme."

Tërmeti i fuqisë 7,6 të shkallës Richter ra në orët e para të mëngjesit sipas kohës evropiane në vargmalet e Himalajeve. Qendra e tij ndodhej thuajse 100 kilometra në verilindje të Islamabadit. Sipas ministres pakistaneze të informacionit, Anisa Zeb Tahir Khali:

"Kam dëgjuar për shumë raste fatale, veçanërisht ndër fëmijë e gra, sepse ishte kohë shkolle dhe shumë vdekje u shkaktuan si pasojë e rrëzimit të këtyre ndërtesave. Rrjeti i rrugëve dhe i komunikimit është dëmtuar gjithashtu. Disa fshatra janë rrafshuar tërësisht."

Lëkundjet tronditën edhe Afganistanin e Indinë. Sipas autoriteteve, në pjesën indiane të Kashmirit humbën jetën pothuajse 200 vetë.