1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kontroll i përbashkët rrugësh Kosovë- Shqipëri

13 Korrik 2010

Për herë të parë, policitë rrugore të Shqipërisë dhe Kosovës po kryejnë shërbime policore të përbashkëta. Destinacioni kryesor mbetet pikëkalimi kufitar i Morinit në Kukës dhe autostrada e re që lidh dy vendet.

https://p.dw.com/p/OHn9
Kufiri Shqipëri- Kosovë
Kufiri Shqipëri- KosovëFotografi: DW

Rritja e fluksit të turistëve, por dhe i qarkullimit të automjeteve që vijnë nga Kosova, ka bërë që dy policitë rrugore të të dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës, të kryejnë shërbime të përbashkëta në autostradën e re nga Morini deri në drejtim të kryeqytetit dhe bregdetit shqiptar. Kjo është hera e parë që policia e Kosovës, arrin të kryejë shërbime provizore jashtë territorit dhe vlerësohet si një tregues i besimit dhe sigurisë së udhëtarëve që vijnë nga Kosova, por edhe nga e gjithë Shqipëria.

"Në autostradë dhe në akset kryesore, sheh patrulla policore Shqiptare të qarkut të Kukësit dhe të Kosovës njëkohësisht që patrullojnë së bashku dhe kjo është shumë e rëndësishme. Rruga është brënda të gjitha parametrave, prandaj i ftojmë të gjithë që të vijnë për të kaluar pushiumet në Shqipëri , " thonë udhëtarët.

Marrëveshja është nënshkruar në pikë-kalimin kufitar të Morinit, porta më e madhe lidhëse mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe parashikon vetëm një kontroll në kufi dhe jo dy si më parë. Memorandumi për patrullim të përbashkët të akseve rrugore mes dy policive, gjatë sezonit veror, është vlerësuar nga ministrat e brendshëm të dy vendeve, jo vetëm si hap i madh bashkëpunimi, por dhe integrimi, ashtu siç veprohet në këto raste edhe në shumë vënde të Bashkimit Evropian.

Lulzim Basha, ministër i Brendshëm i Shqipërisë, beson në suksesin e këtij bashkëpunimi, duke falenderuar dhe qeverinë e Kosovës për gatishmërinë e treguar: “Shpreh bindjen se kjo do të përmirësojë cilësinë dhe transparencën e këtij shërbimi, duke ulur në minimum ankesat e qytetarëve dhe duke shtuar në maksimum sigurinë e lëvizjeve të tyre, në territorin e Republikës së Shqipërisë”.

Edhe homologu i tij kosovar, Bajram Rexhepi tha se “ ne jemi në proçesin e lëvizjes së lirë dhe të lehtësimit të kalimit të kufirit. Patrullat e përbashkëta në trafikun rrugor, do të parandalojnë aksidentet dhe do të rrisin gjithashtu edhe besimin e qytetarëve “Memorandumi i bashkëpunimit është në vazhdën e marëdhënieve institucionale mes dy shteteve. Ne po punojmë njëkohësisht edhe në drejtim të lehtësimit të lëvizjes së lirë të udhëtarëve. Bashkëpunimi i dy patrullave sjell edhe një siguri më të madhe në trafikun rrugor “.


Sipas pikave të memorandumit, patrullimet e përbashkëta do të jenë deri në fund të sezonit turistik dhe do të shtrihen në të gjitha rrugët nacionale të Shqipërisë, sidomos në ato që çojnë drejt pikave turistike. Hapja e tunelit të Kalimashit dhe vënia në punë e autostradës, do t'i sjellë turistët nga Kosova brënda tri orëve, për të kaluar pushimet në brigjet e detit Joni dhe atij Adriatik.

Autor: Leka Plani

Redaktoi: Aida Cama