1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koptët largohen nga Egjipti

24 Tetor 2011

Që prej rrëzimit të Mubarakut, në Egjipt janë shtuar sulmet kundër të krishterëve koptë. Shumë prej tyre ndihen të rrezikuar dhe largohen nga vendi.

https://p.dw.com/p/12xne
Në Egjipt janë shtuar sulmet kundër të krishterëve koptë.
Ägypten Kairo Kopten AnschlagFotografi: AP

Valixhet Tamer Refaat Seleme i ka bërë tashmë gati. Në ditët e ardhshme do t'i vijë viza, atëherë ai do të niset. Do të emigrojë në Amerikë. Për këtë i krishteri kopt ëndërron prej kohësh. Kjo është një ëndërr e barazisë, e lirisë fetare. "Në Egjipt unë si kopt ndjehem i diskriminuar," thotë ai, "sidomos në punë."

Tamer nuk është i vetmi i krishterë, që ia kthen shpinën Egjiptit. Sipas organizatës egjiptiane për të Drejtat e Njeriut "Egyptian Union for Human Rights", që prej rrëzimit të Mubarakut rreth 100.000 koptë janë larguar nga vendi. Si 29-vjeçari Tamer, shumica e tyre janë të rinj dhe me kualifikim të lartë, nuk shohin mundësi në vendin e origjinës, ndihen të kërcënuar nga muslimanët radikalë dhe ushtarakët. Ata i frikësohen së ardhmes.

Diskriminimi i koptëve

Koptët në Egjipt që nga grushti i shtetit i Nasserit, në fillim të viteve 50-të, janë diskriminuar sistematikisht: Ata lejohen të ndërtojnë vetëm pak kisha, nga pozitat udhëheqëse në shtet janë praktikisht të përjashtuar. Nuk kalon një vit pa sulme të dhunshme ndaj komunitetit fetar. Rreth tetë milionë koptë ka në Egjipt, ata përbëjnë rreth dhjetë për qind të të gjithë popullatës egjiptiane.

Që nga përmbysja e Mubarakut janë shtuar sulmet. Ata janë bërë më radikale, më të përgjakshme: Në fillim të marsit në periferi të Kairos u dogj një kishë, pasuan përleshje në rrugë, 13 vetë humbën jetën. Dy muaj më vonë u dogjën dy kisha të tjera. Luftimet disaorëshe midis të krishterëve dhe muslimanëve i kushtuan jetën 15 vetëve. Në fillim të tetorit salafistët demoluan në jug të Egjiptit një kishë. Koptët dhe muslimanët protestuan kundër kësaj së bashku në Kajro, por demonstrata përfundoi më 9 tetor në masakrën më të madhe që nga fundi i revolucionit. 24 vetë humbën jetën. Me organizatën "Egyptian Union for Human Rights" Naguib Gabriel angazhohet ndër të tjera për të drejtat e koptëve. E ardhmja e të krishterëve në Egjipt i duket atij e zymtë. "Para revolucionit të krishterët diskriminoheshin vetëm në mënyrë indirekte, që prej revolucionit salafistët dhe Vëllazëria muslimane sulmojnë hapur dhe direkt të krishterët."

Përleshje midis të krishterëve koptë dhe forcave të sigurisë në Kairo
Përleshje midis të krishterëve koptë dhe forcave të sigurisë në KairoFotografi: dapd

Fajtorët nuk ndëshkohen

Janë radikalë muslimanë ata, që sulmojnë të krishterët dhe kishat, dhe ata tolerohen nga ushtria, në qoftë se nuk inkurajohen dhe nxiten. Sepse fajtorët nuk vihen para përgjegjësisë. Këshilli ushtarak nuk ka nxjerrë deri më tani askënd para drejtësisë, ndërsa aktivistët dhe blogerët gati çdo ditë merren në pyetje dhe burgosen në procedurë të përshpejtuar. Autorët e krimit kanë dorë të lirë, ata nuk ndëshkohen. Kjo i inkurajon myslimanët radikalë.

Videot dëshmojnë se ushtria ka qëndruar duarkryq pothuajse në të gjitha incidentet. Ajo nuk ka ndërhyrë, kur të krishterët linçoheshin. Në atë të diel të përgjakshme tetori njësia e ushtrisë, e ndodhur në vendngjarje, madje u bë vetë iniciatore, qëlloi mbi të krishterët e paarmatosur, apo i shtypi me automjete të ushtrisë.

Nga trazirat, dhuna dhe kaosi përfitojnë këshilli ushtarak dhe garda e vjetër. Sepse shumë egjiptianë dëshirojnë siguri, stabilitet, dhe një dorë të fortë – vetëm kështu mund të qëndrojë në pushtet këshilli ushtarak. Por jo të gjithë koptët duan të ikin nga Egjipti. Beshoy Fayez qëndron. Ai dëshiron ta ndryshojë vendin. "Unë do të qëndroj këtu për ta zgjidhur problemin, edhe në qoftë se ne kemi fe të ndryshme. Ne jemi të gjithë egjiptianë."

Dhunë midis të krishterëve koptë dhe ushtrisë në Egjipt
Dhunë midis të krishterëve koptë dhe ushtrisë në EgjiptFotografi: dapd
Përleshje midis të krishterëve koptë dhe ushtrisë në Egjipt
Përleshje midis të krishterëve koptë dhe ushtrisë në EgjiptFotografi: DW

Angazhim për lirinë dhe barazinë

Beshoy Fayez angazhohet për një Egjipt pa paragjykime, pa diskriminim. Ai shkon në rrugë dhe shpjegon, ai lufton për të drejtat e tij si kopt, për lirinë në Egjipt. Shumë të tjerë e kanë humbur tashmë besimin. Sigurinë dhe lirinë fetare kopti Tamer shpreson ta gjejë tani në Amerikë. "Atje ka edhe kisha ortodokse, një jetë fetare si në Egjipt," thotë ai, "atje kemi të gjitha të drejtat tona."

Vetëm një vizë dhe disa mijëra kilometra e ndajnë Tamarin nga ëndrra e tij - një jetë në liri. Për popullin në Egjipt kjo është një rrugë shumë e gjatë. Tamar mendon se mund të kthehet një ditë. Por vetëm atëherë, thotë ai, në qoftë se Egjipti është me të vërtetë i lirë, në qoftë se ai mund të jetojnë këtu pa frikë.


Autor: Viktoria Kleber/Angjelina Verbica
Redaktoi: Aida Cama