1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Korrupsioni sëmundje e kohës" - Papulias shpreh keqardhje për "përmasat e korrupsionit"

Niko Anagnosti / Athinë16 Janar 2008

Greqia, që vazhdon të tronditet nga skandali më i madh i dekadave të fundit, do të jetë vendi ku do të mbahet për katër ditë rresht Konferenca e Transparencës Ndërkombëtare.

https://p.dw.com/p/CqTO
Fotografi: Bilderbox

Orteku i zhvillimeve të skandalit më të madh gjatë dekadave të fundit në ministrinë e Kulturës, me seks, shantazhe, dy tentativa për vetëvrasje dhe abuzime fondesh, po mban peng jetën politike në Greqi dhe ka vendosur qeverinë me shpatulla pas muri. Në vorbullën e tij përfshihet tani dhe masmedia me njërin prej tre botuesve të gazetës "Tema" të përfolur për shantazh dhe pazar me qeverinë për të evituar investigimin e një shume të dyshimtë prej 4.5 milionë eurosh të depozituar në një bankë franceze në emrin e tij. Paralelisht me referimin në parlament të të gjithë ministrave të Kulturës që nga viti 1996 për menaxhimin e fondeve, sot në një mbledhje urgjente diskuton dhe organi sindikalist i gazetarëve me temë "fenomene të rrezikshme në fushën e gazetarisë".

Opinioni: Ngrehina që të shpëtojë duhet restauruar apo shembur?

Bildgalerie Wahl neue Weltwunder - Akropolis
Partenoni në AkropolFotografi: AP


Spektri i majtë flet për një krizë të thellë politike dhe morale, analistët shtrojnë pyetjen në se ngrehina që të shpëtojë duhet restauruar apo shembur dhe opinioni i zhgënjyer dhe i revoltuar shokohet dhe më tepër nga një studim i organizatës Transparenca Ndërkombëtare-Hellas se 613 milionë euro janë dhenë si ryshfet gjatë vitit 2007 nga qytetarët. Vetë presidenti i Republikës Papulias shprehu keqardhjen e tij për "përmasat e korrupsionit", e cilësoi "sëmundje të kohës" dhe luftën kundër saj "detyre demokratike".

"Lufta kundër korrupsionit zhvillohet pandërprerje" vazhdon të insistojë njëkohësisht kryeministri Karamanlis, në përpjekjen e tij për të rifituar besimin e opinionit si në vitin 2004 kur fitoi zgjedhjet me parullën "tolerancë zero ndaj korrupsionit" dhe premtimin për "rikrijimin e shtetit". Këtë kuptim ka dhe vendimi për mbajtjen në Athinë të Konferencës Ndërkombëtare të Transparencës më 30 tetor dhe për katër ditë rresht sipas memorandumit të nënshkruar me kryetaren e organizatës Iget Label që u prit nga e gjithë kupola politike. E majta foli për "paradoks" që arrin caqet e "anektodës".