1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Shtyhet vendimi për targat për 48 orë

Bekim Shehu
22 Nëntor 2022

Pasi nuk u arrit marrëveshje për targat me Serbinë në Bruksel qeveria e Kosovës e shtyu për 48 orë zbatimin e vendimit për gjobat. Kryeministri Kurti: "Jam i gatshëm të punoj me SHBA dhe BE për të gjetur zgjidhje”.

https://p.dw.com/p/4JrZN
Kosovo Bildgalerie 9
Fotografi: Filip Slavkovic

Qeveria e Kosovës e ka shtyrë edhe për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe, që parashihte nisjen e gjobitjes së shoferëve që qarkullojnë me targa ilegale. Këtë shtyrje, kryeministri Kurti e bëri pas një kërkese të bërë në mesnatën e shkuar  nga ambasada e SHBA-së në Prishtinë. Kurti tha se "është i gatshëm të punojë me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur zgjidhje në dy ditët e ardhshme”.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se "Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës shtyrje 48-orëshe të vendimit për shqiptimin e gjobave, për t'i lejuar zyrtarët evropianë dhe ata amerikanë që të angazhohen me Kosovën dhe Serbinë për të gjetur zgjidhje për këtë çështje”. Departamenti amerikan i Shtetit (DAS) u shpreh i zhgënjyer me mosarritjen e marrëveshjes mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për çështjen e targave.

"Kurti dhe Vuçiq duhet të bëjnë koncesione për të siguruar që nuk rrezikojnë paqen e arritur me vështirësi në një rajon veçse të brishtë”, tha zëdhënësi i DASH, Ned Price.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shprehu zhgënjimin e tij për mosarritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave. Sipas tij, misioni i aleancës veri-atlantike në Kosovë, KFOR, vazhdon të jetë vigjilent.

"Tani është koha për përgjegjësi dhe zgjidhje pragmatike. Përshkallëzimi duhet të shmanget”, shkroi Stoltenberg në Twitter, pas një bisede që zhvilloi me kryediplomatin e Bashkimit Evropian, Josep Borell.

Borrel: Kurti nuk e pranoi propozimin e BE-së Vuçiq Po

Takimi urgjent, që u organizua në Bruksel (21.11) ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit për targat, dhe që rezultoi pa marrëveshje, u organizua nga shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell.Ky i fundit, fajin për mosarritje të një marrëveshjeje në bazë të një propozimi të BE-së e hodhi te kryeministri Kurti, ndërkohë, që bëri përgjegjës të dyja palët nëse situate në veri eskalon në dhunë.

"Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi", tha Borrell. Sipas tij, "të dy palët nuk u pajtuan për zgjidhjen dhe një gjë e tillë lë vakum shumë të rrezikshëm sigurie në një situatë tashmë të brishtë".

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se "pala serbe do t'i respektojë këshillat dhe kërkesat e kryediplomatit evropian, Borrell”.

"Duhet të përpiqemi të tregojmë se nuk donim konflikte as për një sekondë. Nëse protestojnë, duhet të protestojnë në mënyrë paqësore dhe demokratike. Le të bëjmë çmos për të ruajtur paqen. Ne do të respektojmë kërkesën e Borrellit. Nuk do të nxjerrim targa të reja, dhe as nuk do t'i publikojmë”, tha Vuçiq në Beograd pas një takimi që zhvilloi me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti, tha se "propozimi i Bashkimit Evropian për çështjen e targave ilegale serbe ka qenë i papranueshëm dhe se ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian kanë hequr dorë nga propozimi i tyre për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”. Ndërkohë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se "është i pavërtetë çfarëdo pretendimi se Bashkimi Evropian është duke hequr dorë nga propozimi për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, i cili, sipas tij, mbështetet nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara.

Presidentja Osmani, akuzon Josep Borrellin për njëanshmëri të shpërfaqur haptazi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga ana e saj, duke e mbështetur kryeministrin Kurti në qendrimin e tij, tha se "Kosova nuk do të heqë dorë asnjëherë nga qëllimi i qartë për paqe e stabilitet afatgjatë, ndërsa, kritikoi kryediplomatin e Bashkimit Evropian, Josep Borrell për njëanshmëri.

"Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t'i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t'ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën”, shkroi  Osmani në Facebook, duke përmendur disa marrëveshje të arritura mes Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje këto që sipas saj, nuk i ka respektuar Serbia.

Opozita thotë se qeveria duhet të koordinohet me SHBA-në

Partitë politike opozitare në Kosovë ndërkaq, thanë se Qeveria e Kosovës do të duhej të ndiqte këshillën e Shteteve të Bashkuara për çështjen e targave ilegale serbe. Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës "që ta pezullojë zbatimin e vendimit për targat deri në arritjen e marrëveshjes për njohje të ndërsjellë”.

"Është momenti i fundit që qeveritë në Beograd e në Prishtinë, të ulen e të bien në ujdi për marrëveshjen e paqes për njohje, e të heqin dorë nga veprimet që rrezikojnë jetët e njerëzve”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Ish-kryeministri tjetër nga LDK,  shkroi se "Edhe pse Kosova është në të drejtën e saj kur insiston në vendosjen e ligjshmërisë, kjo qasje na kthen prapa tek dialogu teknik për kthim të serbëve në institucione, tek dialogu për menaxhim të situatave, e jo dialog për marrëveshje finale për njohje reciproke. Kjo situatë i përshtatet Serbisë, jo neve”, shkroi Hoti në Facebook.

Sidoqoftë, sipas një plani në etapa të Qeverisë së Kosovës, shqiptimi i gjobave për shoferë që ngasin makina me targa të paligjshme, parashikohej të  niste më 22 nëntor. Nga 1 nëntori deri mesnatën e 21 nëntorit ishte në fuqi faza e qortimit të shoferëve. Sipas planit, pas fazës së gjobave, do të nisë shpërndarja e targave provuese, ndërsa nga 21 prilli i vitit 2023, në komunikacion përfundimisht do të lejohen vetëm makina me targa RKS. Serbia e kundërshton këtë plan, duke thënë se ata mund të pranojnë vetëm targa me iniciale neutrale ndaj statusit të Kosovës.