1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovës i duhet revolucioni social dhe institucional në fshat

18 Shtator 2006

Gazeta FAZ, boton në numrin e sotëm artikullin me titull "Maksimum". Artikulli i shkruar nga Michael Martens, korrespondenti i gazetës në Ballkan, i kushtohet zhvillimeve demografike në Kosovë. Kosova ka nivelin më të lartë të lindjeve në Europë

https://p.dw.com/p/Arns
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Kosova nuk ka problemet demografike që ka Europa. Në Kosovë fëmijët nuk mungojnë, përkundrazi sfida shoqërore ka të bëjë më numrin e madh të tyre. Numri i anëtarëve të një familjëjë është sot në Kosovë 6,4 persona, po aq sa ka qenë në vitin 1948.

Shumica e kosovarëve jetojnë në fshat, qytetet në Kosovë janë fshatra të bëra bashkë. Në Prishtinë dhe në qytete të tjera të mëdha mund të kenë ndodhur ndryshime viteve të fundit sa i përket strukturave familjare, por në fshatra gratë vazhdojnë të mos shqetësohen për të bërë bashkë profesionin dhe familjen. Ashtu ashtu, shanse për punë nuk ka, ndaj shpesh ato ndjekin rrugën e martesës së të zgjedhurit dhe bëjnë fëmijë, djem mundësisht, dhe nëse duhet edhe vajza, që më vonë martohen dhe shkojnë në familjen tjetër e nuk mund të kujdesen më për prindërit në pleqëri.

Meqenëse ventili historik për shpërbërjen e popullsisë kosovarë është mbyllur, meqenëse emigracion nuk ndodh më, zhvillimi demografik ka pasoja të rënda për rajonin. Në kohën e Turqisë të rinjtë kosovarë shkonin në Selanik ose Stamboll, më vonë në Beograd, pastaj pasoi koha e gastarbeiter-ve, e cila po ashtu ka përfunduar. Tregjet perëndimore të punës janë ezauruar. Vetëm tregu kosovar i lindjeve lulëzon si dhe më parë. Çdo vit në tregun kosovar të punës hyjnë djem dhe vajza të reja, të cilat tregu nuk është në gjendje t`i marrë.

Martens e bazon artikullin e tij në një studim të kryer nga grupi studimor Nisma e Stabilitetit Europian (ESI), i cili bëhet sot publik. Ky grup studimor ka analizuar strukturat familjare dhe të ardhurat në dy fshatra të Kosovës dhe ka ardhur në përfundimin se: Kosova është sot kështjella e fundit e një forme patriarkale strukture familjare, e cila ka qenë dikur e përhapur në gjithë Ballkanin. Ambienti më i rëndësishëm që ofron sigurinë sociale dhe stabilitetin mbetet një nga institucionet më të vjetra dhe konservative të Europës, familja tradicionale patriarkale ballkanike. Familja patriarkale me shumë kurora ka çuar në nivelin më të ulët të punësimit të grave ne Europë, në boshllëqe serioze arsimi dhe në mungesë inovacionesh.

Pasi bën një përshkrim të zhvillimeve historike prej të cilave ka lindur fenomeni i pasurimit me fëmijë të Kosovës, Martens i kthehet sërish autorëve të ESI-it, të cilët mendojnë se si vendosja e stabilitetit nga ushtarët ndërkombëtarë ashtu edhe bllokimi që përpiqet t`i bëjnë emigracionit nga Ballkani ministrat e brendshëm të BE-së, do të jenë detyra të vështira për tu kryer në Kosovë.

Për autorët e studimit, edhe shoqëria kosovare duhet të ndryshojë, në mënyrë që të lirohet nga varësia e saj prej migracionit. Kosova ka nevojë për një revolucion social dhe institucional në fshat, fillesa e të cilës do shënohej me refleksionet mbi gjendjen e gruas.