1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova dominon samitin e Ohrit për energjinë

Milço Jovanovski21 Prill 2007

Të premten u mblodhën në Ohër të Maqedonisë krerët e shteteve të Evropës Juglindore në takimin e tyre vjetor. Këtë radhë tema kryesore ishte politika energjetike. Në fund ata nënshkruan një deklaratë për sigurimin e furnizimit të rajonit me energji, krijimin e një tregu rajonal për energjinë, nxitjen e investimeve në këtë sektor si dhe solidaritet mes vendeve. Por samiti i kushtoi një vëmendje të veçantë edhe çështjes së statusit të Kosovës.

https://p.dw.com/p/ArWJ

Samiti i Ohrit ku merrnin pjesë presidentët e vendeve të Evropës Juglindore iu përkushtua problemeve të energjisë. Sipas presidentit maqedonas, Branko Cervenkovski, ky samit dëshmoi se rajoni e ka pranuar domosdoshmërinë e një zhvillimi dinamik dhe të bashëpunimit konkret mes vendeve për këtë çështje: "Ishim të një mendimi se furnizimi i qendrueshëm i rajonit me energji në të ardhmen duhet të jetë në krye të axhendës", - tha presidenti maqedonas, njëheraz dhe mikpritës i takimit.

Në deklaratën përfundimtare të tyre krerët e shteteve u zotuan për bashëpunim intensiv, i cili bazohet në parimin e solidaritetit, në funksion të kapërcimit dhe zgjidhjes së problemeve energjetike si një parakusht për një integrim më të shpejtë në Bashkimin Evropian.

Por samiti i energjisë ra disi nën hijen e çështjes së statusit të Kosovës. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, e ripërsëriti qendrimin se Kosova është pjesë e pandashme e territorit të Serbisë. Ai tha më tej se rreziku i shpërthimit të dhunës nuk mund të shërbejë si argument për zgjidhjen e statusit: "Në se dhuna në territorin e ish Jugosllaivësë deri tani ka shërbyer si argument për ndarjen e territoreve dhe shpërbërjen e shteteve aktuale, tani ajo nuk mund të shërbejë sërish si argument për ruajtjen e territorit apo krijimin e shteteve të reja. Në politikën moderne dhuna nuk mund të jetë kurrsesi argument."

Kosova është një problem i brendshëm i Serbisë dhe vendet e Evropës Juglindore e mbështesin dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës si edhe vendimet që do të marrë Këshilli i Sigurimit i OKB-së, kjo ishte përgjigja e shumicës së të pranishmëve.

Kryetari i presidiumit të shteteve të Bosnjës dhe Hercegovinës, Nebojsha Radmanoviç, nuk pret që zgjidhja e Kosovës të reflektohet menjëherë në vendin e tij: "Ne në Bosnjë nuk presim ndonjë efekt të menjëhershëm revolucionar. Por vendimi për Kosovën mund të sjellë më pas dhe gradualisht efekte domino jo vetëm në Bonsjë dhe Herzegovinë, por edhe në Evropë. Ky është shkaku, se përse çështja e Kosovës duhet trajtuar me qetësi", tha Radmanoviç.

Cervenkovski gjithashtu nuk e shikon të rrezikuar integritetin territorial të Maqedonisë nga propozimi i ndërmjetësuesit të OKB-së për Kosovën, Martti Ahtisaari. "Maqedinia nuk është pjesë e problemit të Kosovës dhe nuk ka pretendime për t’u bërë e tillë. Ne jemi fqinj dhe duam të kemi marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin, duam stabilitet dhe paqe në kufirin tonë verior, gjë që do të jetë gjithsesi me përparësi për të gjithë rajonin", tha Cervenkovski.

Përveç Kosovës dhe energjetikës, presidentët i kushtuan vëmendje edhe temës së mbrojtjes së ambjentit me një gjest simbolik, duke hedhur në liqenin e Ohrit koranë të vegjël. Në këtë mënyrë ata donin t’u dërgonin një sinjal të gjithë aktivistëve në rajon që angazhohen për mbrojtjen e gjallesave të rralla dhe ruajtjen e tyre për brezat e ardhshëm.