1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova mbetet një hapësirë e vetme

25 Gusht 2010

Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Markus Bentler, në fillim të shtatorit do të largohet nga Kosova pas një viti në krye të forcave paqeruajtëse në Kosovë.

https://p.dw.com/p/OwTn
Gjenerali Markus Bentler do të largohet nga Kosova
Gjenerali Markus Bentler do të largohet nga KosovaFotografi: Bekim Shehu

Komandanti i forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë gjenerali gjerman, Markus Bentler, thotë se trupat e KFOR-it janë të gatshme të përballen me çfarëdo situate, që mund të paraqitet në veri të Kosovës. Ky rajon i vendit i njohur për trazira të kohë pas kohshme që nga përfundimi i luftës, për komandantin e KFOR-it, vazhdon të jetë një rajon me potencial për dhunë. Kjo për faktin që në qytet vazhdon të ketë konflikte e përplasje të interesave në midis banorëve shqiptarë e serbë, si pasojë e koncepteve të ndryshme politike.

“Mendoj se ekziston potencial për dhunë. Vetëm shikoni statistikat e incidenteve të dhunshme, në të cilat janë përdorur edhe armët e zjarrit, për shembull në maj, qershor dhe korrik, por të tilla ngjarje ka pasur edhe më parë. Pra, nëse shikohen këto statistika mund të gjeni se me çfarë lidhen. Është e qartë se lidhen me çështjen e pazgjidhur për këtë pjesë dhe kjo i shtyn disa njerëz të shprehin dallimet në mes vete dhe këtë e bëjnë me masa të dhunshme”, thotë gjenerali Markus Bentler.

Prioritet Veriu i Kosovës

Komandanti i KFOR-it thotë se NATO-ja aktualisht ka në Kosovë 10 mijë trupa, ndërsa prioritet dhe nën mbikqyrje të vazhdueshme e kanë pjesën veriore të Kosovës. Një mbikqyrje e veçantë kësaj pjese po i kushtohet në këtë fazë, në prag të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku çështja e Kosovës do të diskutohet me nismë të Serbisë dhe një rezolute të saj, me të cilën synon që të sigurojë mbështetjen e Kombeve të Bashkuara për nisjen e bisedimeve të sërishme për statusin e Kosovës.

„Mendoj se në veri të Kosovës kjo do të ketë efektin e saj dhe në këtë linjë pika e orvatjeve më të mëdha do të duhej të ishte veriu dhe padyshim që do të jetë veriu. Në të ardhmen, sipas konceptit të KFOR-it, që është fleksibiliteti, mobiliteti dhe shkathtësia, ne jemi të interesuar të jemi të pranishëm në atë zonë. Natyrisht se jemi të gatshëm të zhvendosemi sipas nevojës, por është e parashikueshme që do të sfidohemi kryesisht në veri”, thotë gjenerali Markus Bentler.

Kosova është hapësirë e vetme

Komandanti i KFOR-it thotë se trupat që ai i komandon i kanë përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit në Veri të Kosovës, sidimos informatat që qarkullonin kohë më parë nëpër media ku thuhej se në veri të Kosovës po bëhen përgatitjet që kjo pjesë ta shpallë pavarësinë nga Kosova. Gjenerali Markus Bentler, thotë se rezoluta 12 44 vazhdon të mbetet baza vepruese e misionit të NATO-s në Kosovë dhe ajo e përcakton Kosovën si të pandarë.

“Unë e përjashtoj mundësinë që këto forca apo siç thuhet deklarata e pavarësisë do të ketë ndonjë efekt, sepse njerëzit nuk e mbështesin këtë. Për ne, çdo deklaratë e tillë është jorelevate, sepse mendojmë se bazuar në kornizën ligjore të rezolutës 1244, Kosova është një hapësirë e vetme apo sido që të quhet dhe nuk duhet të ndahet”, thotë komandanti KFOR-it, Markus Bentler.

Forcat paqerujatëse të KFOR-it, në këtë fazë kanë filluar të bartin përgjegjësitë te policia e Kosovës për ruajtjen e disa objekteve kulturore dhe fetare serbe. Ky proces është kundërshtuar nga kisha ortodokse serbe, e cila thotë se akoma nuk janë krijuar kushtet që policia e Kosovës t'i ruajë kishat dhe manastiret ortodokse serbe në Kosovë. Mirëpo komandanti i KFOR-it është i bindur se policia e Kosovës mund ta bëjë një gjë të tillë.

“Natyrisht, nuk është sekret që ky do të jetë qëllimi i fundit, por gjithmonë kemi thënë se do ta bëjmë në mënyrë transparente, të hapur, graduale dhe të përgjegjshme. Përsa i përket informimit të Kishës ortodokse serbe për këtë proces ne e kemi bërë dhe do ta bëjmë, do ta informojmë për çdo hap.Procesi gradual i transferimit të përgjegjësive te policia e Kosovës për ruajtjen e monumenteve fetare do të vazhdojë, sepse ne jemi të bindur se policia e Kosovës është a aftë të bëjë një gjë të tillë“, thotë komandanti i KFOR-it, gjenerali Markus Bentler.

Gjenerali gjerman, në filim të shtatorit largohet nga Kosova pas një viti udhëheqje të trupave të KFOR-it. Atë do ta zëvendësojë prapë një ushtarak gjerman, gjeneral majori Erhard Buhler.

Autor: Bekim Shehu/Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi