Kosova në rendin e ditës - Pritet mendimi i GJND-së

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë shpall sot mendimin rekomandues për pavarësinë e Kosovës. Ishte ky deri tani procesi i parë në GJND, ku morën pjesë të gjithë anëtarët e përhershëm të KS të OKB-së.

Prishtina dhe Beogradi presin nga Haga përgjigje pozitive, por ajo që është pozitive për njërën palë është negative për tjetrën. Pala kosovare është e bindur se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të konfirmojë se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi këto ditë në Parlament se pas mendimit këshillues do të fillojë një fazë e re.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi

Hashim Thaçi: "Është kjo faza e konsolidimit dhe e forcimit të institucioneve të vendit, faza e integrimeve të Kosovës në NATO, në Bashkimin Evropian dhe në OKB. Gjatë kësaj faze ne do të angazhohemi edhe për zgjidhjen e çështjeve teknike me Serbinë", pohon Thaçi.

Edhe Serbia pret përgjigje pozitive

Serbia pohon se pavarësia e Kosovës është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Serbia pret që pas mendimit këshillues të fillojnë negociatat e reja për statusin e Kosovës, gjë që Prishtina e ka refuzuar.

Ministri i Jashtëm i Serbisë Vuk Jeremiq

Vuk Jeremiq : "Ne kurrë nuk do të pranojmë kërkesat për negociata të reja për statusin e Kosovës", pohon ministri i Jashtëm Skender Hyseni. Gjatë seancës dëgjimore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, në dhjetor të vitit të kaluar, pala serbe edhe një herë përsëriti se "Kosova është djepi historik i Serbisë". Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiq u shpreh: "Kosova ishte, është dhe do të jetë pjesë e Serbisë".

Inernationaler Gerichtshof beginnt Anhörungen zur Überprüfung der Rechtmäßigkeit der Unabhängigkeitserklärung des Kosovos

GJND në Hagë gjatë seancës së dëgjimit të argumentave pro dhe kundër pavarësisë së Kosovës

Kundërshtarët e pavarësisë


Përveç palës kosovare dhe asaj serbe, para 15 gjyqtarëve të GJND-së kanë paraqitur argumentat e tyre edhe 27 vende të tjera. Ishte kjo hera e parë që në një proces në këtë Gjykatë paraqiten të gjithë anëtarët e përhershëm të KS të OKB-së. Palën serbe e kanë mbështetur 12 vende, ndër to edhe Kina dhe Rusia. Përfaqësuesi rus Kiril Gevorgyan theksoi se pavarësia e Kosovës është në kundërshtim me parimin e ruajtjes së integritetit territorial dhe me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së.


Kiril Gevorgyan : "Asnjë institucion nuk ka të drejtën që të shpallë pavarësinë e njëanshme të Kosovës. Federata Ruse është e mendimit se pavarësia e shpallur prej institucioneve të përkohshme kosovare është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Shpallja e pavarësisë nuk është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare", theksoi përfaqësuesi rus.

Argumentat për pavarësi

Megjithatë shumica e vendeve (14) argumentuan në favor të pavarësisë së Kosovës, ndër to edhe SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania dhe Kroacia. Mbështetësit e pavarësisë theksuan se Kosova ishte pjesë e federatës jugosllave. Me dhunën kundër shqiptarëve, Serbia e ka humbur të drejtën e administrimit të Kosovës, ndërsa populli kosovar ka të drejtën e vetëvendosjes. Rezoluta 1244 e KS të OKB-së parashikon zgjidhjen e statusit përfundimtar, ndërkohë që negociatat me Serbinë kanë dështuar. Përfaqësuesja e Gjermanisë në GJND, Susanne Wasum-Rainer theksoi se Kosova nuk mund të shërbejë si shembull për lëvizjet tjera seperatiste.


Susanne Wasum-Rainer : "Kosova nuk është një rast precedent. Fjala është për një rast specifik, ku elementët më të rëndësishme janë: Periudha e dhunës masive dhe sistematike kundër shumicës në Kosovë, administrimi i gjatë i Kosovës prej bashkësisë ndërkombëtare dhe dështimi i përjekjeve për gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi me dialog.“

Kosova pret njohje të reja

Kosovën deri tani si shtet e kanë njohur 69 vende, ndër të cilat edhe 22 anëtare të BE-së. Përfaqësuesi amerikan Harold Hongju Koh, theksoi edhe një element tjetër: "Kosovën në forma të ndryshme e kanë njohur deri tani më shumë se 115 vende. Ato e kanë njohur ose si shtet të pavarur, ose e kanë mbështetur anëtarësimin e saj në institucionet ndërkombëtare financiare."
Autoritetet e Kosovës shpresojnë se pas mendimit këshillues të GJND-së, procesi i njohjeve do të përshpejtohet. Beogradi shpreson të kundërtën.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

Na ndiqni!