1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova përgatitet për pavarësinë

Bekim Shehu/Arapi20 Dhjetor 2007

Pas dështimit të negociatave për gjetjen e një zgjidhje kompromisi për të ardhmen e Kosovës të mërkurën në Këshillin e Sigurimit, autoritetet në Prishtinë kanë filluar të hartojnë deklaratën e pavarësisë.

https://p.dw.com/p/Ce8P
Këshilli i SigurimitFotografi: AP

Në KS-it dështoi edhe përpjekja e re për nxjerrjen e një rezolute që do ta legjitimonte planin e statusit të ndërmjetësit ndërkombëtar, Marti Ahtisari.

Dështimi i seancës

Pozicionet e serbëve dhe shqiptarëve ishin "të papajtueshme" u shpreh të mërkurën në Nju Jork ambasadori belg në OKB, Johan Verbeke, në emër të anëtarëve perëndimorë të Këshillit të Sigurimit. Gjendjen aktuale Verbeke e cilësoi "të pamundur për t'u zgjatur më tej". BE-ja megjithatë është e gatshme të marrë një rol udhëheqës në Kosovë. Nga ana e tij ambasadori amerikan në OKB, Zalmay Khalizad u shpreh për pavarësinë e Kosovës mbi bazën e rezolutës të vitit 1999. "Ka ardhur koha të ecim përpara", kërkoi Khalizad.

Reagimet nga Kosova

Autoritetetet në Kosovë kanë filluar të hartojnë deklaratën për shpalljen e pavarësisë se Kosovës pas dështimit të negociatave Prishtinë-Beograd me ndërmjetësimin ndërkombëtar për gjetjen e një zgjidhje kompromisi për të ardhmen e Kosovës.

Arsim Bajrami, anëtar i komisionit për hartimin e kushtetutës së Kosovës është shrehur që deklarata e pavarësisë të përmbajë edhe elemente kushtetuese ku do të kërkohet njohje ndërkombëtare. Pas shpalljes së pavarësisë, ekspertët juridikë thonë se, kuvendi i Kosovës duhet të fillojë me miratimin e ligjeve të pakos së Marti Ahtisarit, kjo pas miratimit të kushtetutës së Kosovës puna rreth së cilës tashmë ka përfunduar.

Vështirësitë e miratimit të kushtetutës

Mirëpo analistët parashohin vështirësi në miratimin në kuvend të kushtetutës dhe simboleve të Kosovës. Kjo për faktin që kërkohet pëlqimi ndërkombëtar si dhe një shumicë votash të deputetëve përfshirë edhe ata të pakicës serbe. Këta të fundit tashmë janë deklaruar se nëse Kosova në mënyrë të njëanshme shpallë pavarësinë, atëherë ata nuk do të jenë pjesë e kuvendit të Kosovës. Deputetët serb kanë 10 vende të rezervuara në kuvendin e Kosovës.