1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova pret përgjigje për anëtarësim në FMN dhe BB

Bekim Shehu/Prishtinë 5 Shkurt 2009

Qeveria ka përgatitur kuadrin ligjor, që i mundëson Kosovës të jetë pjesë e FMN dhe BB. Ndaj pret që kërkesa të bëhet shpejt realitet.

https://p.dw.com/p/GnoI
Fondi Monetar Ndërkombëtar ndihmon për kapërcimin e krizave
Fondi Monetar Ndërkombëtar ndihmon për kapërcimin e krizaveFotografi: DW

Autoritetet e Prishtinës shpresojnë që në gjysmën e parë të këtij viti, Kosova do të jetë pjesë e mekanizmave financiarë ndërkombëtarë, Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Zyrtarët e qeverisë thotë se ata kanë përgatitur të gjithë kuadrin ligjor. Ka muaj që Kosova ka aplikuar për anëtarësim në këto mekanizma, por janë disa procedura që duhet kaluar. Zyrtarë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe ata të Bankës Botërore, tashmë kanë konfirmuar se e kanë marrë kërkesën për aplikim të Kosovës, por akoma nuk është shqyrtuar në tërësi.

Anëtarësimi në organizmat financiare botërore vështirëson ekonominë informale
Anëtarësimi në organizmat financiare botërore vështirëson ekonominë informaleFotografi: picture-alliance/ dpa

Gjatë një vizite që pati zhvilluar muaj më parë në Kosovë zëvendëspresidenti regjional i Bankës Botërore, Shigeo Katsu, pati thënë se procedurat për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore janë në rrugë të mirë, por, kjo çështje sipas tij do të marrë kohë.

"Mund ta konfirmoj se procesi i anëtarësimit të Kosovës në Bankën Botërore është duke vazhduar. Por, siç e dini, procesi i anëtarësimit merr pak kohë, afërsisht gjashtë deri në nëntë muaj, sepse procedurat janë të atilla, kërkohen shumë kalkulime dhe kjo natyrisht merr kohë", thotë Shigeo Katsu.

Qeveria e Kosovës ka hapur një zyrë të posaçme, që angazhohet vetëm për të ndjekur procedurat që kërkohen për anëtarësim në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Driton Qehaja e udhëheq këtë zyrë:

"Me Fondin Monetar Ndërkombëtar jemi në kontakte të vazhdueshme. Presim prej FMN-së që ata të formojnë komitetin për anëtarësim dhe të vazhdojë puna. Deri tani kemi përgatitur ligjin për anëtarësim dhe opinionin ligjor. Që të dyja janë memorandume ligjesh, të cilat duhet të nënshkruhen nga autoritetet më të larta të Kosovës. Kështu që ne besojmë se në pjesën e parë të vitit do të jemi anëtarë të plotë të Fondit Ndërkombëtar", thotë Qehaja.

Driton Qehaja shpjegon se menjëherë pas pranimit të kërkesës për anëtarësim fillon faza e diskutimeve, brenda këtyre mekanizmave. Pastaj pritet që një delegacion i Kosovës të vizitojë selinë e Bankës Botëre dhe atë të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ekspertë të ekonomisë, ndërkaq, thonë se Kosova duhet të bëjë të pamundurën që të jetë sa më shpejt pjesë e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Kjo për faktin që kriza financiare botërore mund ta prekë shumë shpejt edhe Kosovën dhe në këtë rast shpëtimi duhet kërkuar pikërisht në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Flamur Keqa, është ekspert për analiza ekonomike.

Konferenca e donatorëve për Kosovën, korrik 2008: Olli Rehn dhe Hashim Thaçi
Konferenca e donatorëve për Kosovën, korrik 2008: Olli Rehn dhe Hashim ThaçiFotografi: picture alliance/dpa

"Efektet do të ishin shumë pozitive, sepse Kosova mund të përkrahej nga këto mekanizma. Marrim shembull krizën financiare botërore, ku shumë shtete edhe më të avancuara dhe ekonomikisht të zhvilluara kanë kërkuar ndihmën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, në mënyrë që të lehtësojnë krizën", thotë Keqa.

Banka Botërore mbështet prej vitesh Kosovën.
Banka Botërore mbështet prej vitesh Kosovën.Fotografi: picture-alliance/dpa

Pjesë e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar është edhe Serbia. Menjëherë pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim, Serbia pati kërkuar nga këto mekanizma që mos ta shqyrtojnë fare kërkesën e Kosovës për anëtarësim, sepse Kosova nuk njihet si shtet nga shumica e vendeve të botës. Por, përgjigjja e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombërar ishte se këto mekanizma nuk funksionojnë mbi bazën e ndonjë rregulloreje të Kombeve të Bashkuara. Ato mund ta marrin në shqyrtim kërkesën e Kosovës për aplikim, sepse që nga përfundimi i luftës, Banka Botërore ka ndihmuar me projekte në Kosovë, ndërsa, Fondi Monetar Ndërkombëtar vazhdon të mbikqyrë buxhetin e Kosovës, i cili është i ndarë nga Serbia.