1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Riaktivizim i opozitës për rezolutë kundër Thaçit

Bekim Shehu
26 Tetor 2018

Partitë opozitare në Kosovë kërkojnë që përmes vazhdimit të seancës së jashtëzakonshme ta rikthejnë rezolutën e tyre në kuvend përmes së cilës ta ndalojnë presidentin të diskutojë në çfarëdo forme për kufijtë e Kosovës.

https://p.dw.com/p/37FDb
Kosovo Parlament
Fotografi: DW/B. Shehu

Ky riaktivizim i opozitës për rezolutë kundër Thaçit, bëhet pasi ai mori ftesë nga Presidenti i Francës për të marrë pjesë në Paris në manifestimin e kremtimit të 100-vjetorit të armëpushimit, i nënshkruar në mes të Forcave Aleate dhe Gjermanisë për përfundimin e Luftës së Parë Botërore. Në media të ndryshme është raportuar për mundësinë e një takimi ndërmjet Thaçit dhe presidentit të Serbisë,  Vuçiq, i cili po ashtu, është i ftuar në Paris.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së në opozitë, Avdullah Hoti, thotë se do të dorëzojnë kërkesën e re në kryesinë e Kuvendit për të kërkuar vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme dhe miratimin e rezolutës, e cila kërkon që çështja e kufijve të Kosovës të mos diskutohet në dialogun me Serbinë. Presidenti Thaçi vazhdon të këmbëngulë për korrigjim kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

"Ne jemi të shqetësuar me insistimin e vazhdueshëm të presidentit Thaçi që në mënyrë kundër kushtetuese, pavarësisht që nuk ka asnjë deputet të vetëm të Kosovës që e mbështet idenë e tij, ai ende vazhdon me atë qëndrim. Tash është paralajmëruar edhe një konferencë e paqes në Paris, ne nuk mund të lejojmë që një person i vetëm të marrë në dorë fatet e Kosovës dhe të vendosԹ ashtu siç i teket atij", u shpreh Avdullah Hoti.

"Nga 120 deputetë të Kuvendit, asnjë nuk e gjen të gatshëm që të mbështesë idenë e tij. Atij që do ta çojë këtë përpara, ne duhet të mblidhemi dhe t'i themi këtij njeriu stop përmes një rezolute të thjeshtë, me një pikë ku thuhet se çështja e kufijve nuk është çështje e dialogut me Serbinë", thekson shefi i grupit parlamentar të LDK-së.

Kundër idesë së presidentit është edhe lëvizja Vetëvendosja, e cila një muaj më parë organizoi edhe protesta kundër idesë për korrigjim, apo ndryshim kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu kundër idesë së presidentit që Lugina e Preshevës duhet t'i bashkohet Kosovës me një marrëveshje paqeje Kosovë-Serbi është shprehur edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj. Ky i fundit thotë, se "kufijtë e Kosovës mund të ndryshohen vetëm me luftë", prandaj nuk e mbështet idenë e presidentit për korrigjim kufiri.

Edhe deputeti gjerman Peter Beyer, i cili qëndroi dy ditë më parë për një vizitë në Kosovë, i përcolli presidentit Thaçi qëndrimin e Gjermanisë kundër korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi", si një ide që bart me vete rrezik të madh".

"Kam dëgjuar disa shprehje si korrigjim i kufijve, shkëmbim i territoreve. Kjo është ndarje. Nuk është e shëndetshme, është shumë e rrezikshme. Të zgjedhurit duhet të kujdesen për qytetarët e tyre. Deputetët janë ata që përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve", tha deputeti gjerman Peter Beyer, në një deklaratë para gazetarëve, duke e bërë të qartë qëndrimin e Gjermanisë, "kundër shkëmbimit të territoreve apo korrigjimit të kufijve" dhe se sipas tij, "normalizimi i marrëdhënieve kërkon zgjidhje të qëndrueshme".

Sidoqoftë, i ndodhur para një kundërshtimi të shumicës së deputetëve të kuvendit që çështja e kufijve të mos diskutohet në dialogun e Brukselit, Presidenti i Hashim Thaçi, tash e dy muaj ka shtruar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim të Nenit 18 të Kushtetutës së Kosovës. Presidenti ka kërkuar të saktësohet "nëse marrëveshjet ndërkombëtare konsiderohen të ratifikuara vetëm me nënshkrimin e presidentit ose duhet edhe votimi i 2/3-ve të deputetëve të Kuvendit. Nga Gjykata Kushtetuese kanë thënë se "kërkesa e presidentit mbi këtë çështje është në shqyrtim e sipër", citojnë mediet në Prishtinë. E Ky veprim i Presidentit të Kosovës, sipas opozitës "paraqet vetëm një tendencë të presidentit për ta anashkaluar Kuvendin e Kosovës".