1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

KQZ- ja heq shpresën e socialistëve për ndryshimin e rezultatit

Ani Ruci1 Gusht 2005

Në Tiranë është çështje ditësh përfundimi i strukturës së qeverisë së re të kryesuar nga lideri i së djathtës, Sali Berisha. KQZ me vendimet e tij i shuajti shpresat e socialistëve për të rritur numrin e deputetëve në parlamentin e ri. Nga 34 zona të kontestuara prej socialisteve KQZ-ja nuk u dha socialisteve asnjerën prej këtyre zonave. Ndërsa nga kërkesa për përsëritjen e zgjedhjeve në 40 zona, ato do të përsëriten vetëm në dy, kjo më 25 gusht

https://p.dw.com/p/Aqtq
Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike
Sali Berisha, kryetar i Partisë DemokratikeFotografi: AP



Komisioni qendror i zgjedhjeve ua hoqi socialistëve argumentat ligjorë për të ndryshuar rezultatin zyrtar të 3. korrikut, ku ata figurojnë palë e humbur. Nga 107 ankesa që ky komision përfundoi së shqyrtuari para dy ditësh, 34 u përkisnin socialistëve. Në asnjërën prej tyre KQZ nuk ndryshoi vendimin e komisioneve zgjedhore zonale, që kishin shpallur fitues, kandidatët e Partisë demokratike. Sipas kushtetutës së Shqipërisë, socialistët mund të ankohen për vendimet e Komisionit qendror të zgjedhjeve në Kolegjin zgjedhor të apelit. Ky kolegj nga kërkesa e socialistëve për përsëritjen e zgjedhjeve në 40 zona elektorale ka gjetur të argumentuara me prova, për parregullsi vetëm dy prej tyre, zonën 2 dhe atë 64. Në 25 gusht, 50 mijë zgjedhës do të votojnë sërish në këto dy zona. Por vështirë, pothuajse e pamundur që ky votim të ndryshojë rezultatin tanimë të çertifikuar nga institucionet. Ky rezultat thotë se zgjedhjet e 3. korrikut i ka fituar Partia Demokratike e Sali Berishës dhe koalicioni i forcave të djathta. Struktura e qeverisë së re, drejtuar nga Sali Berisha është tanimë një çështje ditësh. Sot nënkryetarja e Partisë demokratike, e piketuar për të qenë kryetare e parlamentit të ri, deklaroi se negociatat me partitë aleate të djathta, pothuajse tanimë kanë përfunduar. Topalli thotë: "Gjatë gjithë kësaj periudhe negociatat kanë shkuar në një drejtim pozitiv. Unë e shoh koaliconin të ndërtuar dhe drejtuar nga zoti Berisha, si një mundësi e sinergjie pozitive të jashtëzakonshme për të ofruar dhe realizuar ato gjëra që ne i kemi premtuar dhe për të cilat na kanë votuar."

Në qeverinë e djathtë të Sali Berishës do të marrin pjesë edhe parti të qendrës së majtë, Partia agrare ambientaliste dhe Partia Bashkimi për të drejtat e njeriut, të cilat në tetë vitet e shkuara bashkëqeverisën me Partinë socialiste. Konfiguracioni politik i parlamentit të ardhshëm të Shqipërisë do të jetë 73 deputetë të koalicionit të djathtë nga të cilët 55 të fituar në mazhorancë në zgjedhje të drejtpërdrejtë dhe 18 deputetë nga proporcionali. 66 deputetë do t'i kenë forcat e majta, të fituara 44 në zgjedhje të drejtpërdrejtë dhe 22 nga proporcionali. Në këtë konfiguracion politik, partia Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës dhe Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos do të jenë në opozitë si me partinë socialiste ashtu edhe partinë demokratike të Berishës dhe me koalicionin e djathtë.