1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kritikë me zë të ulët

Mathias Bölinger23 Janar 2016

Gjermania dhe Turqia janë të varur nga njëra-tjetra në krizën e refugjatëve. Prandaj kush donte të dëgjonte tone kritike pas takimit qeveritar duhej të ishte shumë i vëmendshëm. Por dallimet ekzistojnë ende.

https://p.dw.com/p/1Hifw
Deutschland Angela Merkel und Ahmet Davutoglu mit Kabinettsmitgliedern
Konsultimet e para qeveritare gjermano-turke (22.01.2016)Fotografi: Reuters/H. Hanschke

Në fund i ftuari i nivelit të lartë nga Ankaraja përdori edhe njëherë fjalë të mëdha. Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu bëri fjalë për „hap historik në kuadrin e ndërgjegjes së njerëzimit“ dhe se do të kujtohet „gjithmonë ky kontribut pozitiv i Gjermanisë“. Me këtë Davutoglu kishte parasysh pranimin e qindra mijëra refugjatëve në muajt e fundit. Shumica prej tyre kanë ardhur përmes Turqisë.

Në fakt pyetja në konferencën e shtypit nuk i ishte drejtuar Davutoglusë. Një gazetar pyeti kancelaren Merkel nëse ajo po ndjehej gjithnjë e më e vetmuar, duke pasur parasysh humbjen e përkrahjes në politikën ndaj refugjatëve. „E di që shumë njerëz pyesin veten, se ç‘ do të bëhet më tej në Gjermani“, tha Merkel me gjakftohtësi dhe sqaroi edhe njëherë hapat e politikës së saj, ku bën pjesë edhe bashkëpunimi me Turqinë.

Kritikë me zë të ulët

Por ky nuk ishte i vetmi ton miqësor mes dy politikanëve të premten në Berlin. Vetë takimi konsultues i qeverive nënkupton një rivlerësim të Turqisë në diplomacinë gjermane. Për herë të parë Gjermania dhe Turqia zhvilluan konsultime qeveritare, ku njëra palë vjen me ministrat më të rëndësishëm. Gjermania zhvillon vetëm me 14 vende një shkëmbim të tillë kaq intensiv. Këto bisedime në të vërtetë ishin planifikuar që para një viti, por tani ato nënkuptojnë një afrim më të madh të qeverive në kontekstin e krizës së refugjatëve. “Sigurisht fakti që jemi të prekur të dyja palët, ka sjellë tani edhe intensifikimin e marrëdhënieve”, tha Merkel duke përkujtuar sulmin terrorist nga një atentator i të ashtuquajturit “Shtet Islamik” në Stamboll, ku humbën jetën 10 turistë gjermanë. Edhe Davutoglu I kujtoi viktimat. “Ata ishin miq tek ne, ndërsa tani janë bërë shokë të përjetshëm.”

Deutschland Angela Merkel mit Ahmet Davutoglu
Merkel dhe kryeministri turk, DavutogluFotografi: Reuters/H. Hanschke

Në vitet e fundit të dyja qeveritë ishin distancuar nga njëra-tjetra. Ndryshe nga ish-kancelari Gerhard Schröder, Merkel ka bërë pjesë gjithmonë tek skeptikët e një anëtarësimi të Turqisë në BE. Ndërkohë me stilin autoritar të Erdoganit, rritjen e numrit të gazetarëve dhe intelektualëve në burgjet turke dhe shkallëzimin e konfliktit kurd, Ankaraja nuk gëzonte shumë simpati në Berlin. Megjithatë kritikat për politikën e brendshme turke u dëgjuan me zë shumë të ulët për shkak të interesave të përbashkëta në kapërcimin e krizës së refugjatëve. Kemi prekur edhe pika kritika si „çështjen e punës së gazetarëve“ apo „ruajtjen e masës në veprimet kundër PKK-së“, tha Merkel. Megjithatë „ka sunduar ajo që është e përbashkët“.

Deutschland Angela Merkel und Ahmet Davutoglu mit Kabinettsmitgliedern
Fotografi: Getty Images/M. Hiti

Premtime financiare

Merkel siguroi Davutoglunë se Europa dhe Gjermania do ta mbështesin financiarisht Turqinë në kapërcimin e krizës së refugjatëve. Në tetor Merkel dhe presidenti turk, Erdogan ranë dakord për ndihma financiare në vlerë tre miliardë dollarë për përmirësimin e gjendjes së 2,5 milionë refugjatëve sirianë. Davutoglu shprehu gatishmërinë për kufizimin e udhëtimit të refugjatëve në Turqi nga vende të tjera përmes futjes së vizës. Kështu sirianët që kanë qenë të strehuar më parë në një vend tjetër, duhet që të aplikojnë për vizë në Turqi. Që tani shifrat janë ulur dukshëm.

Më pak ujdi mes palëve ekziston në zgjidhjen e konfliktit të Sirisë. Sërish Davutoglu kërkoi rrëzimin e presidentit Asad. „Për sa kohë Asadi ndodhet në Damask, asnjë sirian nuk do të dojë të kthehet“, tha ai duke theksuar kërkesën turke për krijimin e një „zone sigurie të ndalim fluturimit“. Turqia i drejtohet me këtë kërkesë Rusisë që sulmon herë pas herë objektivat e grupeve rebele. Merkel nga ana e saj theksoi se mund të ketë një zgjidhje për Sirinë vetëm me Rusinë dhe paralajmëroi nga shpallja e zonave të sigurta në pjesë të caktuara të vendit. “Nuk ka më keq se kur njerëzit nuk janë aspak të sigurtë dhe as nga jashtë nuk mund të ndërhysh dot.”