1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Frankreich Roma-Politiki

17 Gusht 2010

Javët e fundit Ministria e Brendshme franceze ka urdhëruar që të prishen 40 kampe romësh. Rreth 700 romë do të kthehen në Rumani ose në Bullgari. Kritika ndaj kësaj praktike po rritet.

https://p.dw.com/p/Oozk
Policia prish një ngulim të romëve në Langlet në jugperëndim të FrancësFotografi: AP

Politikanë të partisë konservatore të presidentit francez Nicolas Sarkozy e kritikojnë ndërhyrjen kundër romëve. François Goulard, deputet konservator në Asamblenë Kombëtare, i tha dje (16.08.2010) gazetës "Le Parisien" se "politika ishte shokuese". Qeveria i bën francezët për budallenj, sepse problemet e sigurisë së vendit nuk kanë të bëjnë aspak me kampet e romëve, tha ai.

Presidenti francez Nicolas Sarkozy paralajmëroi në fund të korrikut se do të ndërhynte kundër ngulimeve të paligjshme të sintive dhe romëve. Ngulimet e tyre pa leje dhe grupet e automjeteve-shtëpi janë shpesh burim prostitucioni dhe tregtie me njerëz, tha atëherë Sarkozy-a. Shkelësve të caktuar të ligjit nga familje imigrantësh u duhet hequr nënshtetësia franceze, tha ai. Të premten policë me veshje mbrojtëse shpërndanë kampin e romëve në Langlet në jugperëndim të Francës.

"Si në Luftën e Dytë Botërore"

Frankreich Polizei Räumt Roma Lager in Langlet
Romët kërkojnë në Langlet "vëllazërim"Fotografi: AP

Në fundjavë deputeti konservator Jean-Pierre Grand e cilësoi si të turpshme ndërhyrjen kundër romëve duke e krahasuar me "mbledhjen tufë" të njerëzve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dy kryetarë bashkie nga rajoni i Parisit kanë ngritur strehime urgjence në salla sporti për familjet rome nga kampet e shpërbëra. Sipas të dhënave të organizatave të ndihmave, tani në vend të kampeve të mëdha të romëve po krijohen shumë kampe të vogla me automjete-shtëpi.

Verës, gjatë udhëtimeve të tyre nëpër Evropë romët mblidhen shpesh në Francë. Shumica e romëve që qëndrojnë në Francë kanë pasaporta rumune ose bullgare. Kësisoj si shtetas të BE-së ata mund të hyjnë pa pengesë në shtetet e BE-së, por edhe mund të riatdhesohen, kur kërkojnë asistencë sociale apo kur shkelin ligjin. Veç kësaj ka edhe të ashtuquajtur endacakë, këta janë romë me pasaportë franceze.

Shumica për ndërhyrje të ashpër

Sarkozy / Frankreich / Paris
Sarkozy do të prishë ngulimet e paligjshme romeFotografi: AP

Deputeti i gjelbër evropian Daniel Cohn-Bendit tha në një kongres partie të Të Gjelbërve në Francë, se qeveria konservatore ndjek "populizëm përjashtues në kurriz të pakicave". Edhe vetë Fronti Nacional ekstremist i djathtë sheh në dëbimin e romëve vetëm një shenjë alarmizmi në pallatin presidencial. Në këtë mënyrë këshilltarët e Sarkozy-së vetëm sa duan të largojnë vëmendjen nga skandalet e partisë qeveritare dhe nga financimi i fushatës presidenciale, thotë Fronti.

Ministri i brendshëm francez Brice Hortefeux paralajmëroi javën e kaluar se do të urdhëronte prishjen e 300 prej gjithsej 600 kampeve të romëve në Francë. Në fundjavë demonstruan afër Bordosë romë me bllokada rruge kundër prishjes së kampeve të tyre që kërcënon. Sipas sondazheve pothuajse 80 për qind e francezëve janë për ndërhyrjen e ashpër të qeverisë.

Sipas përllogaritjeve, gjithsesi jo të besueshme, në Evropë jetojnë deri në dymbëdhjetë milionë vetë, që mund të llogariten si pjesëtarë të degëve të ndryshme etnike të sintive dhe romëve. Shumica e romëve jeton në Evropën Juglindore, në Spanjë dhe në Francë. Në Gjermani ka afërsisht 70.000 sinti dhe romë. Romët kanë imigruar në mesjetë nga India në Evropë. Në të kaluarën ka qenë i zakonshëm emërtimi "ciganë", i cili refuzohet sot si diskriminues.

Autor: Bernd Riegert / Elert Ajazaj

Redaktoi: Esat Ahmeti