1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Krizë besimi midis ushtarëve dhe udhëheqjes ushtarake izraelite

Torsten Teichmann21 Gusht 2006

Një javë pas përfundimit të luftës në Liban, në bazë të një armëpushimi, në ushtrinë izraelite ka dalë në pah një krizë besimi, midis ushtarëve dhe udhëheqjes ushtarake. Në një letër të hapur, ushtarët e një brigade rezerviste kritikojnë atë që ata e quajnë "dobësi drejtimi" të drejtuesve ushtarakë

https://p.dw.com/p/ArKa
Ushtarë izraelit
Ushtarë izraelitFotografi: AP

Rezervistët janë mobilizuar - kundër udhëheqjes së ushtrisë së vet. Paaftësi, paaftësi për të parashikuar dhe përgatitje të pamjaftueshme- këto janë pikat kritike të luftëtarëve të rangjeve të larta të ushtrisë izraelite. Gati të gjitha gazetat e përditshme e kanë botuar letrën e një brigade rezerviste të hënën.

Kemi të bëjmë me një shpërthim zemërimi dhe një larje hesapesh me proceset e javëve të fundit: vendimmarrësit kanë treguar frikë në një konflikt të dhunshëm, kjo qe ndierë kudo, thuhet në tekst. Dhe më tej: "Ne nuk jemi të gatshëm të pranojmë pavendosmëri. Synimi i luftës, i cili nuk qe përcaktuar në mënyrë të saktë, u ndryshua madje edhe gjatë luftimeve."

Qeveria izraelite e justifikoi angazhimin e ushtrisë në fillim me rrëmbimin e dy ushtarëve izraelitë nga luftëtarët e Hizbollave. Kur Hizbollatë sulmuan me raketa qytete në veri të Izraelit, kjo luftë u kthye në një luftë kundër pozicioneve të udhëheqjes militante libaneze. Hizbollatë duhet të dëboheshin dhe të çarmatoseshin. Në fund, zëvendkryeministri Shimon Peres deklaroi pak para vendosjes së armëpushimit se fushata ushtarake synoi vetëm të përgatisë rrugën për një zgjidhje diplomatike.

Deri sot, ushtarët e rrëmbyer nuk janë liruar. Prej tyre nuk ka asnjë shenjë jete. Në vend të kësaj, në Libanin e Jugut janë stacionuar trupa izraelite, pa detyrë të qartë, ankohen rezervistët: "Pavendosmëria ka cuar në një stacionim të vazhdueshëm në territor armiqësor, pa një synim operativ, nisur nga vendime joprofesionale dhe pa kërkuar betejë me armikun."

Rezoluta e OKB-së u kërkon ushtarëve madje që të shmangin cdo armiqësi- në territor të huaj. Edhe prej disa ushtarakëve të lartë vijnë kritika, madje edhe ndaj vetvetes. Gjeneral-brigada Yossi Hyman, deri të dielën shef i këmbësorisë - deklaroi se përgjegjësia qëndron në supet e tij, ai nuk i ka përgatitur sa duhet trupat.

Por ky është një përjashtim. Shefi i ushtrisë ndodhet vërtet nën breshërin e kritikave, por vetëm sepse para shpërthimit të luftimeve shiti një paketë aksionesh.Kryeministrit Ehud Olmert i duhet të shpjegojë biznese që ka bërë me toka. Ndërsa ministri i drejtësisë, Haim Ramon ka dorëzuar postin- ai e sheh veten përballë një aktpadije për shkak të ngacmimit seksual.

Të gjitha këto janë vetëm shmangie e vëmendjes, kritikojnë rezervistët në letrën e hapur indirekt: "Tani ne ndodhemi në periudhën më pas, dhe duket sikur sjelljet jo të moralshme dhe mungesa e turpit shërbejnë si fletë fiku, për të mbuluar gabimet. Gabimet e gjashtë viteve të shkuara dhe përgatitja e dobët e ushtrisë kanë rënë mbi kurrizin tonë- mbi kurrizin e luftëtarëve."

Brigada e rezervistëve kërkon konsekuenca. Përndryshe nuk mund të ketë më besim midis udhëheqjes së ushtrisë dhe ushtarëve. Letra përfundon me një kërkesë. Si ushtarë dhe qytetarë nënshkruesit presin një përgjigje, sa më shpejt që të jetë e mundur.