1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza greke prek edhe bizneset në jug të Shqipërisë

12 Maj 2010

Rreth 29% të sistemit bankar shqiptar, sidomos në jug të vendit e përbëjnë bankat bija të bankave të mëdha greke. Emigrantët shqiptarë që punojnë e jetojnë në Greqi herë pas here depozitojnë kursimet e tyre në këto banka

https://p.dw.com/p/NMKa
Dyqane të mbyllura në Pazarin e Gjirokastrës
Dyqane të mbyllura në Pazarin e GjirokastrësFotografi: DW

Kriza greke ka zbritur dhe në Shqipëri e sidomos në rajonin jugor. Ajo ka prekur biznesin, sistemin bankar, prodhimin dhe ka rritur ndjeshëm papunësinë e rajonit. Kryetari Dhomës së tregëtisë e biznesit, Mustafa Devolli thotë:

"Aktualisht kriza greke ka dhënë efektin e saj negativ në rajonin e Gjirokastrës, në aftësinë paguese që kanë bizneset, gjithashtu në uljen e shitjeve të produkteve, si rezultat i uljes së fuqisë blerëse"

Kriza ka sjellë tërheqje parash

Sistemi bankar shqiptar, në rreth 29% të saj përbëhet nga filiale bija të bankave greke të nivelit të dytë. Në jug të vendit kriza edhe bankare greke, ndihet më tepër kur mijëra emigrantë shqiptarë kanë depozituar aty kursimet e tyre. Kriza ka ngjallur frikë e pasiguri. Qytetarë të thjeshtë kanë nisur të tërheqin kursimet nga këto banka. Të ndrojtur, ata kanë shqiptuar disa nga arsyet e këtij veprimi:

"Kriza ekonomike. Marrim paratë e na detyron që të kthehemi përsëri. Punësimi ka rënë, lekë nuk ka, prandaj kemi frikë nga falimentimi bankave. Prandaj marrim lekët".

"Duke u nisur nga kriza greke ne jemi të detyruar që të gjitha lekët që kemi depozituar në bankat greke, jemi të detyruar që ti tërheqim. Çfarë të bëjmë ? Sepse ato nuk duam që t'i humbasim. Më mirë t'i kemi, se jemi më të sigurtë që t'i kemi me vete, se sa ti kemi të depozituara në ato banka."

Ndërkohë kriza greke duket se iu ka dhënë fund dërgimit të remitancave të emigrantëve për familjet e tyre. Fredi Gozhita në Gjirokastër drejton biznesin e transfertave të parave nga Greqia në Shqipëri:

"Ka rënie të madhe. Ka rënie në transfertë për familje, por dhe për njerëz që bënin biznes. Nuk ekzistojnë fare tani. Edhe ata që iu dërgonin prindërve, që kanë ngelur këtu, 100, 200 euro thuajse nuk ka më".

Bizneset e lidhura me Greqinë ndiejnë krizën

Krizën po e ndiejnë sidomos bizneset, që kanë lidhje e kontrata me firmat e kompanitë greke. Në jug të vendit operojnë rreth 2500 biznese të tilla. Mërkur Llapi ka një biznes të lidhur me kompani greke:

"Është e vërtetë që ka ulje të xhiros mujore dhe e shikojmë se do të vazhdojë kjo krizë. Nuk erdhi euro nga Greqia, normal që do të ndihet dhe këtu. Kjo është logjike".

Në këto kushte mjaft nga bizneset në jug kanë nisur shkurtimin e puntorëve e deri në falimentim. Figali Caro që ka ndërmarje konfeksioni:

"Kam filluar të shkurtoj punëtorë ditë pas dite. Ndërkohë është e vështirë për të siguruar më punë".

Situatën e recesionit ekonomik e të ndikimit të thellë të krizës greke në ekonminë e rajonit e pohon dhe Kryetari Dhomës së Tregtisë e Biznesit, Mustafa Devolli:

"Kjo patjetër ka ndikuar edhe në uljen e punës. Duke u shkurtuar mjaft njerëz nga puna. Efektivisht, konkretisht duket se efektet e krizës shfaqen në të gjithë aktivitetet ose fushat që operon biznesi në rajonin e Gjirokastrës".

Kësisoj kriza komplekse greke, bankare e tregtare, tashmë po ndikon fuqishëm në ekonominë shqiptare e sidomos në atë të rajonit jugor.

Autor: Odise Kote/Gjirokastër

Redaktoi: Auron Dodi