1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

090209 Euro Stabilität Konjunkturprogramme

Christoph Hasselbach11 Shkurt 2009

Ministrat e financave të 16 vendeve të zonës së euros në BE të hënën (09.02) u takuan në Bruksel për të folur mbi recesionin dhe reformat e tregjeve të punës. Eurozona me gati 330 milionë njerëz gjendet në krizë.

https://p.dw.com/p/GrXC
Pamje simbolikeFotografi: AP Graphics

Kriza mbarëbotërore financiare vjeshtën e vitit të kaluar shumë shpejt u shtri në një krizë ekonomike botërore. Pasi shtetet e BE-së fillimisht koordinuan masat për shpëtimin e bankave, u ofrua mundësia për një koordinim më të gjerë. Ajo që vlen të theksohet në retrospektivë është, se veçanërisht politikanët konservatorë i trembeshin shumë fjalës program koniunkturor, me sa duket për shkak të nuancave socialiste. Kristiandemokrati luksemburgas dhe presidenti i Grupit të Euros, Jean-Claude Juncker, në fillim të nëntorit deklaroi: „Ne nuk besojmë, që në hapësirën e euros kemi nevojë për një program klasik koniunkturor, por në shtetet e veçanta anëtare është e rëndësishme që të ndërmerren masa të kufizuara në kohë dhe konsekuente, që duhet të vlejnë për një afat të shkurtër. “

Jose-Manuel Barroso gestikuliert
Jose Manuel BarrosoFotografi: AP

Dy javë më pas edhe Presidenti i Komisionit, José Manuel Barroso, ndonëse kishte pak problem me termin koniunkturë, shprehu thuajse të njëjtin mendim: „Në çdo rast ne kemi nevojë për një program koniunkturor në Evropë, por ky nuk duhet të jetë një program për të gjithë, sepse rrethanat në vendet në veçanti janë të ndryshme. Ne jetojmë në kohë të jashtëzakonshme dhe në kohë të tilla duhen edhe masa të jashtëzakonshme. Natyrisht që këto masa duhet të vihen në veprim në kohën e duhur dhe vetëm përkohësisht.“

Gjermania shihet në BE si vend me financa më të stabilizuara

Qeveria gjermane në fillim ishte shumë e ngurtë ndaj një programi koniunkturor. Një paketë e parë masash u vlerësua në BE si shumë pak, aq më tepër që shumë politikanë të BE-së mendonin, se Berlini për shkak të financave relativisht të shëndosha mund t´i lejonte më shumë vetes e si rrjedhojë ai ka edhe më shumë përgjegjësi për unionin në tërësi.

Joaquin Almunia EU Ecofin Rat
Komisari i BE-së për çështjet monetare, Joaquín AlmuniaFotografi: AP

Komisari i BE-së për çështjet monetare, Joaquín Almunia kishte parasysh në radhë të parë Gjermaninë, kur në nëntor indirekt u bëri thirrje vendeve anëtare: „Ju mund ta quani veten me fat, sepse keni hapësirë veprimi, që të tjerët nuk e kanë, sepse ato nuk mund t´i konsolidonin financat publike gjatë ripërtëritjes ekonomike."

Në fillim të këtij viti edhe Gjermania prezantoi një paketë të dytë mjaft të gjerë. Edhe vetë BE-ja do të paraqesë një program dhe ta financojë atë pjesërisht nga mjetet e pashfrytëzuara. Por shumë qeveri kërkojnë, që këto para t´u kthehen vendeve anëtare.

Solidariteti brenda eurozonës

Ndërkaq në eurozonë po duken çarje gjithnjë e më të mëdha. Disa vende anëtare si borxhlinj kanë një prestigj aq të keq, sa që kreditë shtetërore ato mund t´i garantojnë vetëm me një risk të lartë, gjë që e ngarkon edhe më shumë aftësinë e ripagimit të tyre. Tashmë nuk duket absurde pyetja, nëse shtete të tëra në BE apo edhe në eurozonë mund të falimentojnë. Të tilla spekullime e dëmtojnë stabilitetin e monedhës së përbashkët.

Finanzminister der Euro Länder in Brüssel
Takimi i ministrave të BE-së, 09.02.2008Fotografi: AP

Qeveritë në eurozonë vërtetë duan ta shmangin patjetër falimentimin shtetëror në radhët e veta, por këtë e bëjnë edhe për interesin e tyre. Nga ana tjetër vendet me financa më solide rastet problematike nuk duan t´i zgjidhin me paratë e taksapaguesve të tyre. Deri tani të tilla skenarë kanë qenë thjeshtë teorikë. Por shumë shpejt mund të dëshmohet, se sa i madh mund të jetë solidariteti ndër vendet anëtare në periudha krizash.