1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kroacia në rrugë drejt Bashkimit Evropian!

Bettina Burkart21 Prill 2004

Komisioni Evropian ka reaguar pozitivisht ndaj kërkesës së Kroacisë për antarësim në Bashkimin Evropian. Ky sinjal i Komisionit duhet të jetë një shtysë për reformat e nevojshme të shoqërisë kroate

https://p.dw.com/p/ArHY


Urime të përzemërta, reagimi i Bashkimi Evropian ishte pozitiv dhe deri në fund të vitit mund të caktohet edhe data për fillimin e negociatave në mes të Brukselit dhe Zagrebit për anëtarësimin e Kroacisë në BE. Në të vërtetë që tani mund të flitet për një histori suksesi: vetëm pas largimit nga Bashkësia demokratike Kroate - HDZ e autokratit nacional Franjo Tuxhman në vitin 2000, qeveria nën drejtimin e kryeministrit Ivica Racan u angazhua për integrimin sa më të shpejtë të vendit në Nato dhe BE.

Një objektiv ky që përkundër të gjitha vështirësive brenda koalicionit të trazuar qeveritar, nuk u la në harresë asnjëherë. Për këtë merita të veçanta ka ministri për çështje evropiane Neven Mimica i cili përkundër problemeve të politikës së përditshme e kreu me përkushtim punën e tij. Në këtë mënyrë që në tetor të vitit 2001, Kroacia nënshkruajti Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit me Bashkimin Evropian.

Kur vitin e fundit në prag të zgjedhjeve parlamentare u bë një kthesë politike në të mirë të Bashkësisë së reformuar Demokratike Kroate nën drejtimin e Ivo Sanader, kundërshtarët politikë brenda vendit si dhe vëzhguesit ndërkombëtarë tërhoqën vërejtjen se një qeveri e djathtë do të pengonte afrimin e vendit me Bashkimin Evropian. Sanader në vend të kësaj zhvilloi një fushatë elektorale proevropiane, fitoi zgjedhjet dhe vazhdoi ruugën e nisur nga qeveria paraardhëse. Posaçërisht qeveria e tij është lavdëruar pa masë nga kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës për krime lufte në ish Jugosllavi, Karla del Ponte, një kthesë kjo ironike në politikën kroate po të kihet parasysh refuzimi i mëhershëm i Bashkësisë Demokratike Kroate për bashkëpunim me Tribunalin.

Edhe nëse gëzimi në Kroaci sot mund të jetë i madh prapëseprapë rruga deri në Bashimin Evropian është e gjatë dhe e vështirë. Me arritjen aktuale mund të thuhet se vetëm fillon puna e vërtetë. Jo vetëm që në të ardhmen secili kapitull duhet të përpunohet pikë për pikë por edhe të gjitha ato që në letër janë shkruar bukur duhet të implementohen në të vërtetë dhe tu ipet jetë. Për ndërmjetësuesit e Brukselit nuk mjaftojnë vetëm shprehjet dhe pajtimet me gojë. Tani duhet të fillojnë reformat e vërteta. Aparati shtetëror duhet të bëhet më efektiv dhe reformat tjera duhet të bëhen ashtu si në ushtri edhe në sektorin e shëndetësisë, drejtësisë dhe arsimit.

Diçka është nisur por ende duhet bërë shumë. Çdo hap që do të ndërrmirret tash do të sjell shkurtime të dhimbshme që do të hetohen prej secilit kroat. Poashtu probleme të shumta duhet zgjidhur edhe në politikën e jashtme, si përshembull me Slloveninë. Dhe Kroacia e cila veten e sheh me kënaqësi si motor të rajonit duhet në përgjithësi të përmirësoj dhe intensifikoj bashkëpunimin me të gjithë fqinjët e saj.