1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kronikë marrëdhëniesh të vështira - BE dhe presidenti Bush

Christoph Haselbach7 Tetor 2008

Pavarësisht se kush do t'i fitojë zgjedhjet në SHBA, demokrati Obama apo republikani Makejn, marrëdhëniet midis BE-së dhe SHBA-ve do të përmirësohen, sepse nën presidentin Bush ato ishin më keq se kurrë më parë.

https://p.dw.com/p/FVYV
Flamujtë e SHBA-ve dhe të BE-së
Flamujtë e SHBA-ve dhe të BE-sëFotografi: AP

"Çdo komb dhe çdo rajon duhet të vendosë vetë, të jetë me ne ose me terroristët." - Xhorxh Bush kishte ardhur në postin e presidentit të SHBA-ve para gjashtë muajsh, kur sulmet në Nju Jork dhe Uashington e vendosin para një prove të madhe. Çdo komb duhet të vendosë se me cilin është, tha Bush. Dhe kjo ndarje në miq dhe armiq karakterizon politikën amerikanë prej disa vitesh, edhe në raportet me BE-në.

Ndarja në miq dhe armiq karakteristikë e politikës së Bushit

Në grindjet për luftën e Irakut në vitin 2003 ndodhi krisja e madhe. Kjo krisje përfshiu marrëdhëniet midis SHBA-ve dhe partnerëve më të rëndësishëm evropian, por edhe brenda për brenda BE-së. Kancelari i atëhershëm gjerman Gerhard Shrëder tha në vitin 2003:

"Evropa është përçarë dhe ky nuk është rezultat i politikës sime. Ju e dini se 15 ministrat e jashtëm evropianë, ndër të cilët edhe ai yni, vendosën për një politikë të përbashkët evropiane. Kjo duhet të ndodhë. Për më tepër kjo tregon se ne jemi në fillesat e një politike të përbashkët evropiane."

Shrëder dhe presidenti francez Zhak Shirak megjithëse larg njeri-tjetrit nga politika partiake dhe personale, gjejnë në çështjen e Irakut një linjë të përbashkët kundër Bushit: „Sa i përket kësaj çështjeje ne nuk shohim arsye për të ndryshuar logjikën tonë, që është logjikë e paqes dhe ta kthejmë në logjikë të luftës."

Brenda Natos krisja e arritur thellohet edhe më prej prej ministrit të mbrojtjes së Bushit, Donald Rumsfeld : „Kur mendoni për Evropën ju mendoni për Gjermaninë dhe Francën. Unë nuk e bëj këtë. Unë mendoj se kjo është Evropa e vjetër. Nëse ju sot vëzhgoni të gjithë Evropën e Natos, atëherë shihet se qendra e gravitetit zhvendoset në drejtim të lindjes."

Videot e Abu Ghreibit diskretitim për Bushin në Evropë

Armët e pretenduara të dëmtimit në masë nuk u gjetën kurrë në Irak. Kur në vitin 2004 u shfaqen videot e të burgosurve irakianë të keqtrajtuar në burgun Abu Ghreib, duket se Bush diskretitohet krejtësisht në Evropë. Por keqësimi i marrëdhënieve aktualizon njëkohësisht një pohim të vjetër. Presidenti i Komisionit të BE-së, José Manuel Barroso në fillim të 2005-ës: "Vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Evropa nuk mund të mposhtin sfidat në gjithë botë, prandaj na lini të bisedojmë, sepse vlerat tona kryesore janë të njëjta."

Gjeste pajtimi

Në shkurt të 2005-ës, pas pak fillimit të periudhës së dytë Xhorxh Bush shkon në Bruksel, në kryeqytetin e BE-së

"Amerika përkrah forcimin e Evropës sepse për detyrat ë vështira që kemi përpara si vendosja e lirisë dhe paqes në botë, na duhet një partner i fortë." Ky gjest i menduar për të arritur pajtimin, duartrokitet nga palët zyrtare. Por Bush nuk e ka bërë për vete popullsinë e Evropës. Në shumë vende anëtare të BE-së zhvillohen demostrata kundër tij, kur ai vjen për vizitë.

Sot, në vjeshtë të 2008-ës, për Bushin nuk flitet shumë në Evropë, po ashtu si nuk flitet për Irakun. Interesimi është më i madh për krizën financiare dhe për pasuesin e mundshëm të Bushit, Barak Obamën apo Xhon Mak Kejn.