1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryesia e Kuvendit të Kosovës vizitoi Bundestagun

Anila Shuka21 Mars 2007

Në Bundestag qendroi të hënën dhe të martën një delegacion i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga kryetari i tij, Kolë Berisha.

https://p.dw.com/p/ArXW
Bundestag
BundestagFotografi: dpa

Qëllimi i vizitës dyditore të delegacionit ishte njohja nga afër me funksionimin e administratës së parlamentit gjerman dhe vjelja e përvojës me synim përmirësimin e praktikës së punës së Kuvendit të Kosovës. Por gjatë këtyre dy ditëve delegacioni pati edhe takime me karakter politik.

Të hënën delegacioni pati një bisedë me zëvendëspresidentin e Bundestag-ut, Wolfgang Thierse, ndërsa të martën me komisionin për politikë të jashtme. Kryetari i kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, i ka informuar deputetët gjermanë për gjendjen aktuale në Kosovë në prag të zgjidhjes së statusit. „Gjermania do ta kryejë detyrën e vet, është e përkushtuar ta zgjidhë statusin e Kosovës, edhe për atë, se është krysuese e radhës, kështu që qendrimi i Gjermanisë është qendrim pozitiv,“ – është përfundimi në të cilin arriti Berisha mbas takimeve.

Programi i vizitës së katër anëtarëve të kryesisë së kuvendit dhe disa punonjësve të administratës ishte i ngjeshur: Brenda dy ditësh ata vizituan sektorë të ndryshëm të administratës së Bundestagut. Xhavit Haliti anëtar i kryesisë së Kuvendit, nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se rregullorja e Bundestagut, përkundër nga ajo e parlamentit të Kosovës, mundëson respektimin e çështjeve të parashtruara edhe nga partia më e vogël opozitare: „Propozimi i një grupi parlamentar qoftë edhe i vogël, këtu duhet të merret parasysh patjetër, ndërsa në parlamentet tona propozimi i një grupi parlamentar e ka shumë të lehtë që të mbetet i arshivuar në arkivin e parlamentit e të mos e shohë asnjëherë dritën e parlamentit për t’u debatuar,“ – thotë ai.

Nëpërmjet afateve të caktuara me ligj, maxhorancës në Bundestag nuk i jepet mundësia të manipulojë rendin e ditës, sqaron Haliti më tej: „Këtu rregulli është që një çështje e shtruar duhet të trajtohet brenda tri javësh në parlament, kurse tek ne shumë herë çështjet që ka ngritur opozita ose grupet e veçanta parlamentare janë shtyrë derisa u ka humbur aktualiteti dhe ne si opozitë jemi detyruar t’i tërheqim vetë nga debati.“ Bundestagu është stacioni i fundit i delegacioneve të kryesisë së Kuvendit të Kosovës me qëllim përmirësimi të punës së kuvendit të Kosovës. Më parë përfaqësues të kryeisë kanë vizituar parlamentet belge, franceze dhe sllovene. Së bashku me Bundestagun këto tre parlamente janë pjesë e një konsorciumi të përbashkët të financuar nga Bashkimi Evropian, që ndihmon parlamentin në sektorë të ndryshëm, në atë të deputetëve, legjislacionit, bilibotekës, arkivës dhe marrëdhënieve me publikun.

Gazmdend Muhaxheri, anëtar i kryesisë dhe njëherësh deputet i Lëvizjes „Ora“ sqaron dobinë e këtyre vizitave: “Shpresojmë që pas kësaj vizite do të aprovojmë rregulloren e re të stafit të kuvendit dhe do të zyrtarizojmë një organogram të ri, të punuar me ndihmën e këtyre parlamenteve, të cilat e ndihmojnë parlamentin e Kosovës, Bundestagut, parlamentit francez, parlamentit belg dhe atij slloven.“ Muhaxheri thekson gjithashtu se përpilimi i rregullores nuk është kopjuar direkt nga ndonjë parlament i huaj. Ai bazohet në praktikën e krijuar tashmë në Kosovë. Përvoja e vjelur nga vizitat nëpër parlamente shërben më tepër për të përmirësuar disa pika të dobëta të punës së Kuvendit të Kosovës.