1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kthim në realitet pas pesë vjetësh mision në Afganistan

Bernd Riegert29 Shtator 2006

Bilanc i takimit të ministrave të mbrojtjes të Natos

https://p.dw.com/p/ArKM
A do të heqë dorë Perëndimi nga Afganistani?
A do të heqë dorë Perëndimi nga Afganistani?Fotografi: AP

Gjermania do të dërgojë ushtarë edhe për një vit në Afganistan dhe Nato planifikon t'i dërgojë trupat e saj edhe në Lindje të vendit. Bashkësia ndërkombëtare ende nuk pranon ta quajë të humbur vendin megjithëse gjendja e sigurisë po bëhet gjithnjë e më delikate. Kjo tingëllon si shpresë, por nuk mjafton.

Nato ende nuk ka hequr dorë nga Afganistani. Aleatët megjithatë po hasin në gjithnjë e më shumë vështirësi në përmbushjen e premtimeve të tyre. Pesë vjet pas rrëzimit të rregjimit të talebanëve dhe me shtimin e dhunës në vend është e vështirë të sigurohen kontigjentet e nevojshme të trupave për luftën e vështirë kundër kryengritësve dhe të sigurohet rindërtimi i vendit. Vullneti politik në vendet anëtare po bie. Sekretarit të Përgjithshëm të Natos, Jaap de Hoop Skefer dhe komandatit të lartë në Evropë, gjeneralit amerikan Xhejms Xhons, iu duhet të shëtisnin sërish me shportën e parave në dorë për të mbledhur nga vendet anëtare trupa, armatime e para së gjithash helikopterë dhe avionë për misionin në Afganistan.

Britania e Madhe, Kanadaja dhe Hollanda mbajnë peshën kryesore në Jug. Ata kërkojnë solidaritetin e partnerëve në Aleancë si Gjermania trupat e së cilës janë të stacionuara në Veriun relativisht më të qetë. Por ministri gjerman i mbrojtjes Franc Jozef Jung nuk pranon të angazhojë ushtrinë gjermane në frontin e nxehtë me talebanët. Ai nuk ka asnjë dëshirë të mbledhë pakënaqësi të tjera me ushtarë të vrarë gjermanë. Por sa kohë do të arrijë të mbajë këtë pozicion përballë presionit në rritje të aleatëve?

Një dalje nga kriza aktuale Nato e sheh në bashkimin e operacioneve deri tani të ndara të Aleancës dhe SHBA në Afganistan. Trupa mbrojtëse e drejtuar nga Nato, ISAF, konsiderohet si ushtri e helmetave të kaltra. Amerikanët kanë qenë përgjegjës për luftën në Lindje të vendit. Tani kjo do të ndryshojë. Nga pikpamja ushtarake është diçka e mirë pasi me një kontigjent të bashkuar prej 32.000 vetësh komandantët mund t'i angazhojnë në mënyrë fleksibile trupat e tyre.

Por problemi themelor mbetet fakti që Nato dhe SHBA kanë në Afganistan shumë pak burra e gra për një fitore ushtarake kundër talebanëve të forcuar rishtaz. E meqënëse ky numër nuk pritet të shtohet së shpejti Natos i mbetet të shpresojë që shoqëria civile dhe ekonomia e Afganistanit të zhvillohen, sigurisht nën patronazhin e Natos. Këto zhvillime megjithatë kanë patur një ritëm shumë të ngadaltë vitet e fundit. Shumë shtete kanë premtuar ndihmë por ende nuk e kanë lëvruar atë. Ato nuk duan të paguajnë apo koordinojnë ndihmën e tyre në Bashkimin Evropian apo Nato. Bëhet fjalë për të njëjtat vende që dërgojnë trupa në Afganistan. Një situatë absurde e cila duhet ndryshuar urgjentisht, kërkon me insistim Sekretari i Përgjithshëm i Natos de Hoop Skefer.

SHBA duan tani ta rindërtojnë sa më shpejt të jetë e mundur Lindjen e Afganistanit. Por për trupat amerikane është frustruese të shohin se si talebanët djegin deri në thelemel qendrat e komuniteve të sapo ndërtuara nga ushtarët. Eshtë e pamunduar të ruash me armë çdo shkollë në Afganistan. Shoqëria afganase duhet ta mbështesë më fort se deri tani rindërtimin e vendit. Por analizat e Natos mbi këtë temë janë shqetësuese. Njerëzit në Afganistan duket se vetëm pak i ndan nga heqja dorë prej shpresës në një demokraci sipas modelit perëndimor. Ata janë të detyruar të shohin se kush u ofron jetë më të mirë. Fiset lokale dhe fondamentalistët islamistë duket se janë më të përshtatshëm në këtë drejtim se ushtarët e huaj dhe qeveria e largët qëndrore në Kabul. Misionit të drejtuar nga Nato në Afganistan po i skadon afati. Janë të nevojshme përparimet ndryshe detyra e marrë përsipër në Afganistan mund të kthehet në një ëndërr të keqe. Atëherë ka mundësi që bashkësia ndërkombëtare të tërhiqet nga Afganistani dhe vendi të bjerë në Mesjetën e talebanëve.

Shqetësues për Naton është edhe konflikti i ashpërsuar mes Afganistanit dhe fqinjit të tij lindor Pakistanit. Akuzat e ndërsjellta mes presidentëve të të dy vendeve që i vënë fajin njëri tjetrit për kryengritjen e talebanëve të Lindje nuk është aspak shenjë e mirë. Me shumë mundim po arrijnë SHBA të vënë politikisht nën kontroll konfliktin mes dy vendeve. Në rajon pohojnë oficerët e Natos, konflikti nuk luan ndonjë rol. Rajoni kufitar me reliev tepër të thyer nuk kontrollohet as nga qeveritë afganase e pakistaneze e as nga SHBA. Atje komandojnë talebanët, fise të lidhura me njëri-tjetrin dhe milici të tjera. Një rezultat dezilusionues pas pesë vjetësh luftë kundër terrorit.