1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ku gjenden bazat e nacionalizmit në Serbi?

16 Janar 2010

Pas paraqitjes së kandidaturës së Serbisë për anëtarësim në BE, shumë vende perëndimore kanë paralajmëruar se Serbia ende është tepër e ngarkuar me nacionalizëm.

https://p.dw.com/p/LXW0
Beograd
BeogradFotografi: Petar Labrador

Koha e sundimit të Sllobodan Millosheviçit do të mbetet në Serbi e njohur si periudha e nacionalizmit më të rëndë, i cili sipas shumë vlerësimeve, ka qenë edhe gjeneratori kryesor i konflikteve të armatosura në hapsirat e ish - Jugosllavisë. Për këtë periudhë janë shkruar shumë libra dhe studime, por debati ende nuk ka përfunduar.

Dhjetë vjet pas Millosheviçit, Serbia ka paraqitur kandidaturën për anëtarësim në BE, ka një president dhe qeveri demokratike dhe janë hequr vizat për udhëtime në vendet e zonës së Shengenit, por vlerësohet se Serbia ende nuk është çliruar nga nacionalizmi.

Tomislav Nikolic, Partia Ultranacionaliste e Serbisë.
Tomislav Nikolic, Partia Ultranacionaliste e Serbisë.Fotografi: AP

Mbeturinat e nacionalizmit radikal nga vitet 90-të ekzistojnë ende në Serbi, pohon Andrej Nosov, nga Inciativa e të rinjve për të drejtat e njeriut. Megjithatë, nacionalizmi më nuk është fuqia kryesore nxitëse e dukurive negative. „Nacionalizmi është i pranishëm dhe është pjesë e opinionit të gjërë. Në shoqëri ende kemi disa trajta të politikës nacionaliste, siç janë për shembull ksenofobia dhe mosdënimi i elitave politike apo përfaqësuesve të institucioneve. Më parë mund të thuhet se po jetojmë në mbeturinat e një politike nacionaliste, se sa që nacionalizmi sot është ideja kryesore që e udhëheq jetën politike në Serbi.“

Serbia është futur në një fazë tjetër

Analiza e shkallës së nacionalizmit dhe influenca e tij në shoqëri shtjellohet në të gjitha raportet vjetore të Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi. Kryetarja e tij Sonja Biserko, pohon se nacionalizmi e ka arritur pikën kulmore në kohën e qeverisë së Vojisllav Koshtunicës. Pas zgjedhjeve të vitit 2008, Serbia është futur në një fazë tjetër: „Që nuk do të thotë se nacionalizëm më nuk ka, por në sipërfaqe po depërton një orientim tjetër i qytetarëve. Shteti për herë të parë po përpiqet që të vendosë një rend në kaosin e përgjithshëm dhe të tejkalojë gjendjen e dhunës që kemi jetuar një kohë shumë të gjatë, që ishte rezultat i politikës së Millosheviçit. Dy - tri vitet e fundit ka pasur përparime në reformën e ushtrisë dhe policisë, ndërsa arra më e fortë ka mbetur gjendja në organet juridike, ku ende ekziston një rezistencë e fuqishme ndaj reformave“.

Sonja Biserko viziton Kosovën.
Sonja Biserko viziton Kosovën.Fotografi: Refki Alija

Biserko pohon se kriza e përgjithshme ekonomike ka bërë që Serbia të largohet nga nacionalizmi, sepse e ka kuptuar pozitën e saj. Rezistenca ende ekziston, por afrimi i Serbisë me BE-në ka shtuar besimin e qytetarëve ndaj bashkësisë ndërkombëtare. „Kjo ka këndellë jo vetëm qytetarët por edhe elitën, e cila mban përgjegjësinë për këtë gjendje. Është dëshmuar se BE-ja i ofron Serbisë zgjidhje konkrete dhe solidaritet. Ky shans duhet të shfrytëzohet, sepse para qeverisë gjenden shumë elemente obstruktive të pjesës konservatore të shoqërisë“.

Paragjykime të shumta ndaj shqiptarëve, romëve dhe homoseksualëve

Distanca etnike në Serbi manifestohet çdo ditë përmes incidenteve të ndryshme, pohon Andrej Nosov. „Dua t'ju kujtoj studimet që janë bërë në universitete, ku të rinjtë dhe studentët kanë paragjykime të shumta ndaj shqiptarëve, romëve apo homoseksualëve. Kjo më nuk lidhet vetëm me përkatësinë kombëtare, por ekziston një lloj ksenofobie që dëshmon për gjendjen e përgjithshme të sistemit dhe vlerave në shoqërinë serbe."

Pllakat në Beograd kundër BE-së.
Pllakat në Beograd kundër BE-së.Fotografi: DW

Shumëkush i var shpresat tek gjeneratat e reja, por nuk duhet harruar se pikërisht ata janë aktorët e shumë trendeve negative. Dhuna në manifestimet sportive, kërcënimet ndaj mediave, pjesëmarrja në aktivitetet e organizatave të djathta, raporti adhurues ndaj kriminelëve të luftës... janë vetëm disa nga treguesit që dëshmojnë se gjenerata e re ka nevojë për një vëmendje të posaçme. Andrej Nosov rikujton se Serbia ka humbur shumë gjenerata të reja dhe se promovimi i vlerave evropiane ndonjë herë duket si punë e kotë.

Në Perëndim ekziston përshtypja se në Serbi ende ka një shkallë tepër të lartë nacionalizmi, që vështirëson edhe raportet me vendet fqinje. Nosov pohon se baza e nacionalizmin ende gjendet tek disa parti politike. Ndërkohë që ky fenomen gjen mbështetje edhe tek kisha, Akademia e Shkencave dhe Arteve dhe disa institucione që e shohin Serbinë si viktimën e vetme të ish - Jugosllavisë.

Autor : Ivica Petroviq / Bahri Cani

Redaktoi : Aida Cama