1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kursimet dhe falja e borxheve

16 Janar 2012

Përfaqësues të trojkës ndërkombëtare prej kësaj të hëne (16.01) fillojnë të kontrollojnë në Athinë përparimet që ka bërë vendi në rrugën e reformave. Temë bisedimesh e trojkës është edhe falja e borxheve Greqisë.

https://p.dw.com/p/13kOY
Ministri grek i Financave, Evangelos Venizelos
Ministri grek i Financave, Evangelos VenizelosFotografi: dapd

Përfaqësues nga BE-së, Banka Qendrore Europiane dhe FMN qëndrojnë në Athinë nga  e hëna për të vëzhguar rrugën e reformave të vendit të zhytur në borxhe dhe realizimin e  masave të kursimit. Ky është edhe kushti i vënë për livrimin e paketës së re të ndihmës për Greqinë. Vendit të zhytur në borxhe i duhen shumë shpejt edhe 5 miliardë euro të tjera, në mënyrë që të mos falimentojë. Trojka europiane do të qëndrojë në Greqi një javë dhe do të bisedojë konkretisht me kreditorët për mundësinë e faljes së borxheve Greqisë, me qëllim të bërjes realitet të këtij projekti të debatuar. Bisedimet për faljen e borxheve hyjnë këtë javë në një fazë vendimtare.

Trojka do të kontrollojë edhe hapat që janë bërë në drejtim të privatizimit dhe "hollimit" të aparatit shtetëror. Më 20 Janar pritet të publikohet edhe konkluzioni përfundimtar i trojkës, propozimet e reja që përmbajnë edhe shkurtime në sektorin privat. Me këtë synohet të rritet aftësia konkurruese e Greqisë.

Lucas Papademos
Lucas PapademosFotografi: dapd

Papademos megjithatë optimist

Ndërkohë që sindikatat në Greqi ndezën valën e re të protestave të dielën, kryetari i qeverisë greke Lucas Papademos është optimist, se në javët e ardhshme do të vendosen piketat e duhura për të ardhmen e vendit. Greqia do të qëndrojë në eurozonë, tha Papademos në televizionin amerikan CNBC, "Mendoj se dalja nga euro nuk është vërtet opcioni i duhur." Megjithatë sipas njoftimeve të agjencive negociatat janë shumë të vështira

Aktualisht nga Greqia vazhdojnë transferimet e parave jashtë vendit. Gazeta greke "To Thema" ka njoftuar në Dhjetor se gjatë muajve të kaluar gati gjysmë milioni grekë kanë tërhequr paratë nga institutet financiare vendase. Sipas statistikave të Bankës Qendrore Greke në dy vitet e kaluara transferimet e parave jashtë kapnin shifrën 62 miliardë euro. Vetëm në shtator dhe tetor të këtij viti kjo shumë ishte rreth 14 miliardë euro. Në nëntor kjo tendencë ka vazhduar me intensitet të lartë.

Autor: AG/Arapi

Redaktoi: Bahri Cani