1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kush do t'i fitojë zgjedhjet?

9 Shtator 2005

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Gjermani janë tema qendrore e komenteve të gazetave të sotme.

https://p.dw.com/p/Artt
Fotografi: dpa zb


E përditshmja «Süddeutsche Zeitung» e Mynihut, përqëndrohet në ndryshimin e disponimit të zgjedhësve javën e fundit.

"Në Gjermani kemi një ndryshim disponimi. Mirëpo në ndryshim nga partitë në pushtet dhe kancelarit Gerhard Shrëder, partitë unioniste dhe liberalët në opozitë, pohojnë se ndryshimi i disponimit të zgjedhësve po shkon në drejtim negativ, për shkak se qeverisja e ardhëshme nuk do të ishte krejt e ndryshme nga ajo e tanishme. Kjo do të thotë se në Gjermani flitet gjithnjë e më shumë për mundësinë e një koalicioni të madh, mes partive unioniste dhe socialdemokratëve të kancelarit Shrëder. Kandidatët opozitarë Angela Merkel dhe Gido Vestervele, duken më të dobët se Gerhard Shrëder dhe Joshka Fisher, në përpjekjet për të fituar votat e zgjedhësve të pavendosur. Kancelari Shrëder po përpiqet tani, që vlerësimet e larta ndaj tij t'i transmetojë edhe në parti, sipas motos: votoni për mua se unë jam SPD. Ndërsa Angela Merkel në anën tjetër, të pavendosurve duhet t'u sugjerojë: pa marrë parasyshë se çfarë mendoni për mua, këtu nuk jam vetëm unë në pyetje. Me fjalë patetike ajo po përpiqet të shpjegojë se fjala është për ndryshimet dhe për Gjermaninë", konstaton kjo gazetë.

Ndërsa në «Hamburger Abendblatt» lexojmë:

"Për partitë politike duket se zgjedhësit po bëhen një enigmë gjithnjë e më e madhe. Kjo për faktin se zgjedhësit gjithnjë e më pak lidhen për një parti, dhe shumë shpesh votojnë për forca të ndryshme. Shumë prej tyre janë të pavendosur deri në ditën e zgjedhjeve. Ata nuk lejojnë të manipulohen dhe nuk i ndjekin urdhërat e partive, por vendosin me kokën e vet. Prandaj, sondazhet e fundit nuk do të thotë se janë të sakta, ndonëse është e qartë se po bie popullariteti i koalicionit të mundëshëm opozitar, mes unionistëve dhe liberalëve dhe po shtohen shansat për një koalicion të madh. Por kujdes. Po harrohet përqindja më e rëndësishme: rreth 20 përqind e zgjedhësve ende nuk kanë vendosur se për cilën parti do të votojnë. Fjala është për 12 milionë njerëz. Ata do të vendosin se kush do t'i fitojë zgjedhjet. Prandaj, të gjitha mundësitë janë të hapura".

Sondazheve të fundit dhe rënjes së popullaritetit të partive në opozitë, i referohet edhe gazeta e Këlnit, "Expres":

"Marrshimi i sigurt në zyrën e kancelarit, i unionistëve dhe liberalëve, pas sondazheve të fundit, po shndërrohet në një ndeshje ku fituesi nuk do të dihet deri në momentin e fundit. Një pjesë të fajit për këtë e ka edhe eksperti i Angela Merkel, për çështje financiare, Paul Kirchhof, i cili me konceptin e tij tatimor ka hutuar shumë njerëz. Një ndër gabimet e tija më të mëdha ishte hartimi i një liste sekrete për shkurtimet financiare. Në këtë mënyrë, Kirchhof është shndërruar në ndihmës të socialdemokratëve, të cilët thonë se ekperti i opozitës zgjedhësve do t'ua marrë edhe këmishën nga krahu. Unioni opozitar kurrsesi nuk mund t'i lejojë vetes edhe ndonjë gabim tjetër".

«Rhein-Neckar-Zeitung» rikujton zhvillimet nga zgjedhjet e kaluara kur opozita poashtu ishte në epërsi, ndërkohë që në fund humbi:

"Në sondazhet parazgjedhore të vitit 2002, opozita kishte një epërsi prej dhjetë përqind. Në fund vendosi epërsia prej 6000 votash e kancelarit Shrëder. Prezantimi në televizion dhe përpjekjet për përmirësimin e imazhit, kanë lënë gjurmët e veta. Mirëpo, zgjedhësit me 18 shtator nuk do të votojnë për strategët më të mirë të fushatës, por do të vendosin se kush ka një politikë më të mirë. Ndryshimi i disponimit të zgjedhësve ka të bëjë me fuqinë e prezantimit të Shrëderit, por edhe me gabimet e kandidates opozitare Angela Merkel, e cila ka prezantuar ekspertin për financa, Paul Kirchhof, pa e lidhur atë për programin e saj partiak. Zgjedhësit janë të frikësuar nga programi i tij tatimor. Merkel duhet të reagojë dhe të paraqesë programin partiak. Ndryshe nuk shihet se si do të ndalojë trendin e humbjes së besimit".

Ndërsa gazeta konservatore, "Frankfurter Allgemeine" i referohet problemit më të ri, i cili mund të vendosë edhe fatin e zgjedhjeve. Në Drezden do të shtyhen zgjedhjet për shkak të vdekjes së një kandidate, që do të thotë se 219.000 votuesit e zonës 160 mund të vendosin zgjedhjet:

"Dhembja qytetare për faktin se nuk do të votojnë kur edhe të gjithë të tjerët, për drezdenasit mund të shdnërrohet në një kënaqësi, sepse ndoshta mund të vendosin se kush do të qeverisë vendin në katër vitet e ardhëshme - opozita apo koalicioni i tanishëm qeveritar. Prandaj ka shumë mendime se rezultatet e zgjedhjeve duhet të mbahen sekrete deri në përfundimin e votimit edhe në Drezden. Mirëpo, propozimet e këtilla janë absurde. Shumë institucione që merren me hulumtimin e zgjedhjeve do të bëjnë të pamundurën për të nxjerrë në opinion rezultatet preliminare të votimit. Ndërkohë që nuk dihet edhe nëse propozimet e tilla janë edhe në harmoni me kushtetutën, sepse nuk mund të mbahet e tërë politika gjermane, për disa javë të tëra, në një komë artificiale."