1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kush e ka pushtetin në Evropën Juglindore?

20 Tetor 2010

Kush është më i fortë? Parlamenti? Qeveria? Në Evropën Juglindore janë ende të paekuilibruara raportet e pushtetit, kritikojnë ekspertët në një konferencë në Dubrovnik. Por ç' pasoja ka kjo për integrimin në BE?

https://p.dw.com/p/PiWw
Nga konferenca ndërkombëtare e parlamentarëve në Dubrovnik, Kroaci (tetor 2010), organizuar nga fondacioni Friedrich-Ebert
Nga konferenca ndërkombëtare e parlamentarëve në Dubrovnik, Kroaci (tetor 2010), organizuar nga fondacioni Friedrich-EbertFotografi: Friedrich-Ebert-Stiftung Zagreb

Në shumicën e vendeve të Evropës Juglindore parlamentet ndodhen nën hijen politike të qeverive: Ekzekutivin nuk e kontrollojnë parlamentet, por ndodh e kundërta, në këtë konkluzion arrin politologu nga Zagrebi, Nenad Zakosek në konferencën ndërkombëtare të parlamentarëve, që i zhvilloi punimet në mes të tetorit në Dubrovnik. Varësia e legjislativit nga ekzekutivi i ka shkaqet ndër të tjera tek kushtete e këqia të punës dhe tek kualifikimi paraprak i deputetëve. Nëse këta duan të informohen për ligjet e reja që duhen miratuar, atyre shpesh herë u mungojnë kompetencat dhe kapacitetet e nevojshme. Kësaj i shtohet edhe presioni i madh për reforma në vendet në tranzicion, të cilat për shkak të integrimit në BE duhet të përmbushin një sërë kushtesh.

Deputeti rumun, Adrian Severin
Deputeti rumun, Adrian SeverinFotografi: dpa

Humbje e besimit

Njëkohësisht deputetëve në parlamentet e vendeve të Evropës Juglindore u duhet të luftojnë me imazhin negativ, siç dëshmojnë anketimet aktuale. Pavarësisht shumë reformave gjithnjë e më shumë njerëz humbasin besimin tek politika, konstaton Adrian Severin, një deputet rumun në Parlamentin Evropian. Sipas mendimit të tij në shumë vende paralelisht me parlamentet janë krijuar platforma të reja të ballafaqimit politik, si p.sh. tryezat e rrumbullakëta politike nëpër talkshow-t e mediave elektronike. Por këto platforma kontribuojnë shumë pak në sqarimin e temave të posaçme, mendon Severin.

Skepticizmi ndaj BE-së po rritet. Në Kroaci vetëm 38% e njerëzve e duan anëtarësimin
Skepticizmi ndaj BE-së po rritet. Në Kroaci vetëm 38% e njerëzve e duan anëtarësiminFotografi: DW

Në Kroaci p.sh. nga humbja e besimit politik krijohen fushata populiste të personalizuara me parrulla të tilla si: "Njeriu - jo partia!“. "Ne duhet të komunikojmë më mirë me njerëzit për politikën“, pranon me tone vetëkritike Neven Mimica, zëvendëspresident i Parlamentit të Kroacisë.

Eksperti gjerman për Ballkanin Gernot Erler (SPD)
Eksperti gjerman për Ballkanin Gernot Erler (SPD)Fotografi: picture-alliance/ dpa

E njëjta gjë ndodh edhe me skepticizmin në rritje të kroatëve ndaj BE-së. Megjithëse Kroacia ka shanse të mira, që të mund të anëtarësohet në vitin 2012 në BE, aktualisht vetëm 38% e kroatëve janë për anëtarësimin e vendit në BE. Pritja e gjatë, bllokadat në bisedime, kushtet e forta të anëtarësimit si dhe frika, se politika kroate duhet t' ia nënshtrojë interesat e veta kombëtare politikës së Brukselit, kanë influencuar në krijimin e skepticizmit.

BE-ja të angazhohet për çështjet e pazgjidhura

Njëkohësisht nga ana e BE-së shtohet lodhja nga zgjerimi sa më shumë që zgjat politika e bllokadës në disa vende të Evropës Juglindore. Si shembull eksperti gjerman për Ballkanin, Gernot Erler përmendi „kantierin e hapur politik“ Bosnje-Hercegovinën. Sipas mendimit të tij republikat pasuese të ish-Jugosllavisë - me përjashtim të Sllovenisë - në krahasim me Rumaninë dhe Bullgarinë kanë premisa më të këqia për ta pranuar demokracinë.

Arsyeja për këtë është, se shpërbërja e Jugosllavisë pjesërisht është perceptuar si humbje e rendit. Joshja nga jashtë nuk është e mjaftueshme sa duhet, për ta vënë në lëvizje politikën për ndryshimin e qëndrimit të saj, thekson Erler. "Vendet kandidate për anëtarësim në Ballkanin Perëndimor kanë nevojë për një kuadër të qëndrueshëm për perspektivë në BE. " Ky kuadër është politika e paqes. Gjithashtu kërkesat për anëtarësim duhet të përpunohen shpejt. BE-ja duhet t' u kushtojë rëndësi dhe të angazhohet në mënyrë aktive për konfliktet e pazgjidhura si grindja për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë, kërkon Erler.

Tranzicioni i zvarritur në Ballkanin Perëndimor ka krijuar një „mentalitet të indiferentizmit“ në Evropën Perëndimore. Ndaj është e nevojshme, që pikërisht në nivelin e parlamentarëve të vazhdojë dialogu dhe në të ardhmen madje ai të zgjerohet edhe me parlamentarët evropiano-perëndimorë, thotë Erler. Konferenca e parlamentarëve në Dubrovnik qysh prej dymbëdhjetë vjetësh ofron mundësi për shkëmbime dhe në të ardhmen, ajo do të jetë edhe një platformë e sprovuar për dialogun e aktorëve politikë në rajon.

Autor: Verica Spasovska/Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Lindita Arapi