1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kush pengon në hartimin e ligjit të spiunëve në rradhët e politikës në Shqipëri?

Arben Muka / Tiranë30 Korrik 2008

Mazhoranca dhe opozita në Shqipëri po hedhin akuza të ndërsjellta për arsyet se përse është shtyrë shqyrtimi dhe votimi në parlament i ligjit të ish bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit.

https://p.dw.com/p/EmXH
Duke luajtur domino, Tiranë
Duke luajtur domino, TiranëFotografi: Aida Cama

Shtyrja e diskutimit dhe votimit në parlament të ligjit për pastërtinë e figurave të poltikanëve dhe zyrtarëve të lartë, ose siç thirret ndyshe ligji i ish bashkëpunëtorëve të ish Sigurimit famëkeq të Shtetit në kohën e diktaturës, është shndërruar në një çështje të akuzave të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës në Tiranë.

Pas mbylljes së sezonit parlamentar, kur ligji në fjalë nuk u përfshi në axhendën e punës së deputetëve duke u shtyrë në vjeshtë, Partia Socialiste në opozitë nepërmjet sekretarit për çështje ligjore, Ylli Manjani fajësoi kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e parlamentit Jozefina Topalli që qëllimisht, sipas tij po e zvarrisin këtë problem, duke e përdorur atë si mjet presioni ndaj deputetëve të djathtë.

"Prej dy vjetësh kryetarja e Kuvendit ka në sirtarin e saj një projektligj të PS për këtë çështje. Ky projektligj kërkon të nxjerrë spiunët nga politika. Projektligji është dhe tashmë kryetarja e Kuvendit dhe kryeministri, që është padroni i saj politik, po përpiqen të shmangin vëmendjen nga problemet reale që ka Shqipëria me dosje sigurimi e sigurimsash", tha Manjani i PS-së.

Por menjëherë ka ardhur reagimi i zëdhënëses së kryetares së Kuvendit, Suela Ruseti, e cila deklaroi se kërkesa për shqyrtimin e kalimit të ligjit për pastërtinë e figurave, ose siç quhet ligji i spiunëve, "është kërkuar për tu shtyrë me ngulm pas bojkotit që deputetët e saj bënë në komisionin e ligjeve. "Dua të siguroj Edi Ramën se konsensusi është shumë i çmuar, por jo më i çmuar se verifikimi dhe vërteta për këtë proces", tha në Tiranë, Suela Ruseti, zëdhënëse e kryetares së Kuvendit.

Gjatë këtyre replikave ka patur dhe akuza të drejtëpërdrejta për prezencën e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit. Ylli Manjani, i PS-së thotë se "nëse zonja Topalli është realisht e shqetësuar për këtë çështje do të bëjë mirë që të hedhë më shumë dritë me dosjen e saj". Por Suela Ruseti, në emër të kryetares së Kuvendit, përgjigjet se kjo akuzë personale është fabrikuar nga kryetari i PS-së, Edi Rama. "Dua t`i them këtij tellalli të mashtrimit se pastërtia e figurës së kryetares së Kuvendit është kontrolluar tre herë nga komsione që janë ngritur dhe nga PS dhe nga PD vitet e fundit. Ajo është e gatshme që këtë të bëjë dhe treqind herë të tjera. Ndërkohë që kryetari i PS, Edi Rama nuk është verifikuar asnjëherë".