1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

181108 Wirtschaftskrise Branchen

Henrik Böhme19 Nëntor 2008

Nuk kalon asnjë ditë pa lajme të këqija nga ekonomia gjermane. Më rëndë është prekur industria e prodhimit të automobilëve. Por kush e ka rradhën më pas?

https://p.dw.com/p/Fxc8
Industria e çelikut viktima e rradhës?Fotografi: AP

Nëse në fillim ishin bankat të cilat u prekën nga valët e tronditjes së tregjeve dhe ishte e nevojshme të shpëtoheshin nga shteti, tani lajmet e këqija vijnë nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Opel ishte kompania e parë që pranoi se është në vështirësi ekonomike: pa një garanci shtetërore në shumë disa miliardëshe, firma nuk ka të ardhme. Prodhuesi i automobilëve është goditur rëndë nga kriza e koncernit mëmë General Motors me qendër në SHBA. Për të gjithë ata që nuk besonin, rasti i Opelit është një dëshmi e pakundërshtueshme: valët e tronditjes nga kriza financiare po i marrin frymën ekonomisë gjermane, kampioni botëror për eksportet gjendet në recesion. Sektori i automobilëve ishte viktima e parë, këtu kriza financiare veproi si një katalizator dhe vetëm i ashpërsoi problemet egzistuese. Pas prodhuesve të automobilëve viktima e rradhës është industria e çelikut dhe goditja do të jetë e fortë. Në rast se prodhohen më pak makina atëherë nevojitet edhe më pak metal. Situata në librat e porosive të këtyre firmave është katastrofale, thuhet në sektor. Kësaj i shtohet edhe rënia e çmimit në tregun botëror.

Ausländer und Deutsche in der Wirtschaft
Fotografi: dpa Zentralbild

Koha e bumit ka përfunduar

Po fillon të kriset kështu edhe një tjetër shtyllë mbajtëse e bumit ekonomik disa vjeçar. Meqënëse marrja e kredive është më e vështirë dhe perspektiva e zymtë, firmat nuk kanë stimuj për të blerë makineri dhe pajisje të reja. Hans-Günther Vieweg, i cili analizon zhvillimin konjukturor të kompanive industriale në institutin "ifo" në Mynih, thotë: "Investimet kryhen gjithnjë në mënyrë shumë ciklike dhe industria e mallrave të investimit do të preket me siguri nga dobësimi i ekonomisë botërore. Aktualisht porositë janë ende mjaft të mëdha dhe ato do të përpunohen gjatë vitit të ardhshëm. Por parashikimi është që prodhuesit e mallrave të investimeve shpejt do të lundrojnë në ujëra shumë të vështira. Vendimtare do të jetë koha që rënia ekonomike do të zgjasë."

Shprehur në shifra, parashikimet flasin për një rritje prodhimi prej 5 për qindësh gjatë këtij viti, ndërsa vitin e ardhshëm në rastin më të mirë, stanjacion. Këtu shfaqet edhe një problem strukturor i ekonomisë gjermane ku eksportet përbëjnë gati gjysmën e gjithë performancës ekonomike. Kampioni i eksporteve, Gjermania, përfiton në kohëra të mira mbi mesataren nga bumi ekonomik botëror. Por po kështu vuan mbi mesataren kur kohërat janë të këqija. Një spirancë shpëtimi mund të ishte konsumi privat. Por kjo nuk vlen për ekonominë gjermane. Nëse në fillimin të vitit konsumi ra për shkak të rritjes së fortë të çmimeve të energjisë dhe produkteve ushqimore, sot është frika nga humbja e vendit të punës që i bën konsumatorët dorështrënguar.

Deutsche Wirtschaft wächst
Ka shpresa që tregtia me pakicë të mos preket shumë nga krizaFotografi: picture-alliance/ dpa

Megjithatë tregtia me pakicë nuk do të preket shumë fort nga kriza, mendon eksperti Hans-Günther Vieweg: "Sektori i tregtisë me pakicë nuk ka natyrë shumë ciklike, dhe kjo do të thotë se ai nuk vuan nga një rënie ekonomike në atë masë që shohim tek kompanitë industriale, sidomos ato që punojnë në sektorin e makinerive dhe pajisjeve."

Firmat gjermane mund ta përballojnë krizën

Në përgjithësi eksperti mynihas nuk e vlerëson tepër alarmante situatën. Rënia ekonomike është pjesë e një cikli normal biznesi. Nga ana tjetër edhe në rast rënieje të fortë prodhimi, ai do të mbetej në nivel historik të lartë. Vieweg e krahason situatën aktuale me atë në fillim të viteve '90. "Mendoj se kemi një rënie shumë të fortë konjukturore. Megjithatë unë besoj se firmat gjermane janë të pozicionuara mirë dhe pritjet e tyre për performancën ekonomike janë shumë të kujdesshme. Në vitin 1992 firmat nuk besonin se punët do të shkonin keq dhe reaguan me vonesë ndaj rënies, ndërsa aktualisht sipërmarrësit i kanë ulur shumë pritjet e tyre. Unë shpresoj që tani ata të reagojnë me shpejtësinë e duhur ndaj kësaj situate të vështirë. Kjo do të ndihmonte që problemet ekzistenciale që patëm ne vitet 1992/1993 të mos përsëriten gjatë këtij recesioni."

Këtë optimizëm të përmbajtur shprehën javën e kaluar edhe të ashtuquajturit "ekspertë të ekonomisë" në ekspertizën e tyre aktuale. "Një krizë ekonomike mbarëbotërore si ajo e viteve '30 nuk do të ketë", shkruajnë studiuesit. Një nga arsyet është se ndryshe nga kriza e viteve '30, tani qeveritë po ndihmojnë me programe konjunkturore dhe bankat qëndrore me ulje të interesave.