1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kushtetuta e parë evropiane

Bernd Riegert29 Tetor 2004

Mbi nënshkrimin e kushtetutës evropiane në Romë

https://p.dw.com/p/ArFz
Nënshkrimet e udhëheqësve evropianë
Nënshkrimet e udhëheqësve evropianëFotografi: dpa

Kushtetuta e parë evropiane, e nënshkruar solemnisht në Romë, nuk është në fakt kushtetutë e mirëfillte. Nga pikëpamja kushtetuese dokumente të tilla përbëjnë bazën e sistemit politik me një shtet komb. Për këtë as që mund të bëhet fjalë në rastin e Bashkimit Evropian.

Etiketa "kushtetutë" emërton në Romë një marrëveshje të së drejtës ndërkombëtare midis shteteve sovrane, e cila i bashkon në një dokument të vetëm marrëveshjet e deritashme që nga ajo e Romës e deri tek ajo e Mastrihtit, nga ajo e Amsterdamit deri tek ajo e Nicës.

E drejta evropiane thjeshtohet. Marrëdhëniet e institucioneve përshkruhen për të parën herë në mënyrë të plotë, por emërimi i Komisionit Evropian, që ka ngecur tani, mbetet në fushën e tensionit midis Këshillit dhe Parlamentit Evropian. Shtohen dy poste drejtuese. Një president i BE-së, i përcaktuar nga Këshilli dhe që e përfaqëson atë për dy vjet e gjysmë, si dhe një ministër i jashtëm evropian, i cili duhet të formulojë politikën e jashtme të përbashkët, sot ende e pjesshme.

Diçka e re është procesi i votimit. Shumica e dyfishtë prej 55 për qind të shteteve dhe 65 për qind të popullsisë duhet t'i bëjë në të ardhmen më të thjeshta dhe më të tejdukshme vendimet në BE. Në disa sektorë të BE-së do të futen për të parën herë vendimet me shumicë votash. Në sektorë të tjerë si në politikën e jashtme, atë financiare dhe të mbrojtjes ato përjashtohen shprehimisht. Parlamenti, që sapo tregoi muskujt në miratimin e Komisionit Evropian, do të forcohet edhe më, për shembull në të drejtën e buxhetit. Roli udhëheqës i përfaqësimit të shteteve anëtare, i Këshillit, mbetet i njëjtë.

Përkrahësit e kushtetutës shpresojnë të ketë një identifikim më të madh të shtetasve evropianë me bashkimin e tyre historikisht të vetëm dhe të pakrahasueshëm. Kundërshtarët e kushtetutës besojnë më tepër se marrëveshja komplekse do të përgatisë edhe më shumë terrenin për sundimin e burokratëve të Brukselit që po i kalon kufijtë. Se si do të zhvillohet realiteti kushtetues është e vështirë të parashikohet, por ishte e domosdoshme të krijohej një bazë ligjore e njësuar dhe më lehtë e përdorshme për BE-në 25-she që po bëhet më e ndërlikuar.

E pasigurt është nëse kushtetuta do të hyjë ndonjëherë në fuqi, sepse në dy vitet e ardhshme ajo duhet ratifikuar në të gjitha shtetet anëtare. Në thuajse gjysmën e tyre janë parashikuar referendume për këtë. Përvoja me referendume të tilla në Francë, Irlandë, Danimarkë dhe Suedi tregon, se ndonjëherë zgjedhësit nuk e ndjekin elitën politike.

Natyrisht që teksti i kushtetutës, i hartuar nga një grup pune dhe i ndryshuar nga konferenca ndërqeveritare, është një kompromis. Në rrethanat e dhëna më e mira që mund të arrihej.

Edhe diçka, në rast se kushtetuta nuk hyn në fuqi në 2007-ën, ky nuk do të ishte fundi i Bashkimit Evropian, marrëveshjet e vjetra mbeten në fuqi. Si edhe shumë herë të tjera pas një goditjeje prapësuese Evropa duhet të riçohej me mund dhe të provonte një nisje të re.

Ajo që filloi në 1957-ën në Romë me një bashkësi gjashtëshe po vazhdohet po në Romë. Kushtetuta tregon se sa ka përparuar integrimi paqësor i Evropës pas qindvjeçarit të luftës. Rruga është e pakthyeshme dhe megjithë problemet e përditshme duhet të jetë shembull për rajone të tjera të botës.

Një ngushëllim mbetet për euroskeptikët: për të parën herë kushtetuta parashikon edhe të drejtën për të dalë jashtë Bashkimit Evropian.