1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kushtetuta Evropiane jo perfekte, por më e mira që mund të arrihej - Parlamenti i BE-së me aprovimin e kushtetutës jep një sinjal të rëndësishëm

Bernd Riegert12 Janar 2005

Parlamenti Evropian në Strasburg u shpreh sot me shumicë dërmuese votash pro projektit të ri të kushtetutës. 500 deputetë votuan për një rekomandim për shtetet anëtare, që ato ta ratifikojnë dokumentin bazë. Vetëm 137 vetë votuan kundër, para së gjithash ata që njihen për qëndrim skeptik ndaj Evropës, populistë të djathtë dhe komunistë.

https://p.dw.com/p/ArFM
Parlamenti i BE-së në Strazburg
Parlamenti i BE-së në StrazburgFotografi: dpa

Parlamenti Evropian duke aprovuar me shumicë të gjerë Kushtetutën e parë Evropiane ka dhënë një sinjal të qartë politik. Me këtë është hedhur edhe një hap i vogël drejt rrugës nga një federatë e shteteve në një shtet federal të Evropës. Brukselit do t´i kalojnë më shumë kompetenca. Bashkëveprimi midis institucioneve, këshillit, komisionit dhe parlamentit duhet të bëhet më transparent dhe më efikas. Më shumë se deri më sot vendimet duhet të merren mbi bazën e shumicës, edhe pse ndonjëherë kjo mund ta komplikojë edhe më shumë procesin e vendimmarrjes.

Kushtetuta kurrësesi nuk mund të thuash që është perfekte, por ajo është më e mira që mund të arrihej në vorbullën e debateve të zakonshme midis qeverive të vendeve antare. Vlen të kujtojmë në këtë kontekst, se kushtetuta u parovua në raundin e dytë. Projektkushtetuta, e paraqitur nga konventi i krijuar enkas, në disa nene ka pësuar ndryshime që e stërhollojnë atë, por disa nene të tjera janë përmirësuar. Megjithatë nuk duhet të mbivlerësohet influenca e deputetëve ndaj formësimit të saj.

Nga ana ligjore miratimi në Strazburg nuk është i detyrueshëm, sepse marrëveshja kushtetuese duhet të ratifikohet vetëm nga shtetet antare të unionit. Por sidoqoftë vota e deputetëve është një pohim i qartë i përfaqësuesve të popujve evropianë për maratonën politike që ka nisur: në disa shtete njerëzit janë shumë kritikë kundrejt kushtetutës dhe Evropës, madje pikërisht në ato vende ku ratifikimi do të bëhet nëpërmjet referendumeve popullore. Nuk është aspak i sigurt rezultati i referendumeve që do të organizohen në Britaninë e Madhe, në Francë, në Poloni, në Danimarkë e ndoshta edhe në Holandë. Do të mjaftonte vetëm një "jo" e njërit prej 25 vendeve antare për ta hedhur poshtë, ose për ta bllokuar për një kohë të gjatë projektin e kushtetutës të arritur pas shumë e shumë vite bisedimesh.

Vendimtare është tani që shtetet evropiane të zhvillojnë një debat të thellë për kuptimin e kushtetutës dhe mënyrën se si do të drejtohet ky projekt evropian. Deputetët e Parlamentit Evropian duhet ta përcjellin këtë debat në vendet e tyre. Ekziston frika që kjo temë nuk do t´u interesojë aq shumë zgjedhësve në vendet antare, ose që mekanizimi i referendumit për Evropën mund të shfrytëzohet si një mjet për konsumimin e grindjeve të politikës së brendëshme. Rezultati i zgjedhjeve direkte për Parlamentin Evropian në qershor të 2004 nuk është shpresëdhënës. Nga pjesëmarrja mjaft e ulët në votime mundën të fitojnë mandate kryesisht euroskeptikët, ose partitë jo aq dashamirës ndaj BE-së. Nëse do të vazhdojë kjo tendencë perspektiva e kushtetutës është e zbehtë.

Në Gjermani ratifikimi do të bëhet nga parlamenti, ashtu siç ndodh rëndom në rastin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Populli për fat të keq nuk do të pyetet. Kjo u vjen për mbarë përkrahësve të kushtetutës, sepse edhe në radhët e popullsisë gjermane interesi për Evropën dhe për njohuritë mbi përmbajtjen e kushtetutës është i kufizuar. Kjo edhe pse identiteti i shumëdëshiruar evropian i qytetarëve nuk mund të arrihet në këtë mënyrë.

Ndryshe nga marrëveshjet e deritanishme të BE-së, kushtetuta është planifikuar si e përhershme. por ajo nuk do të mund të rezistojë 100 vjet në formën që është, ndoshta pas 10 vjetësh mudn të lindë nevoja për ndryshime. Pas një 10 vjeçari do të afrojë edhe antarësimi i Turqisë, gjë që do të bëjë të domosdoshme përshtatjen e kushtetutës me realitetin.