1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kuvendi I Kosovës dhe Komisioni Parlamentar për persona të zhdukur bien dakord që çështja e personave të zhdukur të futet për diskutim në një seancë të poasaçme në Parlamentin e Kosovës

Bekim Shehu4 Korrik 2005

Disa deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe Komisioni Parlamentar për persona të zhdukur u dakorduan sot, në një takim që cështja e personave të zhdukur të futet për diskutim në një seancë të poasaçme në Parlamentin e Kosovës. Në këtë mënyrë, kërkohet që përfundimisht të dilet me një qëndrim të përbashkët zyrtar dhe të kërkohet nga autoritetet e Beogradit që të japin përgjigje mbi fatin e mijëra personave nga Kosova që konsiderohen të zhdukur.

https://p.dw.com/p/Aqtx

Çështja e personave të zhdukur nga Kosova të cilët rezultojnë me mijëra, pritet së shpejti të futet për diskutim në kuvendin e Kosovës dhe e gjithë kjo me qëllim që të bëhet presion mbi autoritetet e Beogradit që kufomat e shqiptarëve të zbuluara në disa varrëza masive në Serbi, të kthehen menjëherë në Kosovë dhe të jepën informacione të sakta edhe mbi vendndodhjen e mijëra kufomave të tjera. Komisioni qeveritar për persona të zhdukur zhvilloi sot një takim me një grup deputetësh të kuvendit të Kosovës dhe nga takimi u konkludua se çështja e personave të zhdukur nga Kosova duhet të gjejë përgjigje, në mënyrë që të marrë fund ankthi që akoma po përjetojnë familjarët e personave të pagjetur.

Autoritetet e Prishtinës dhe ato të Beogradit, në kuadër të grupeve punuese në mars të këtij viti, nisën dialogun për çështjen e personave të zhdukur nga Kosova. Sipas Ragip Zekollit, i cili kryeson grupin e Prishtinës nga dy takime që janë mbajtur deri tash, një në Beograd dhe një në Prishtinë, janë shënuar rezultate pozitive.

Çështja e personave të zhdukur në Kosovë, ndërkaq vazhdon të jetë një nga çështjet më të ndjeshme në vend. 6 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, mbi 3000 persona u deklaruan të zhdukur, shumica prej të cilëve shqiptarë të Kosovës, mirëpo edhe afro 1000 të komuniteteve joshqiptare. Rreth një 1000 trupa shqiptarë të Kosovës deri tash janë gjetur në disa varreza masive në Serbi, transferimi i të cilëve për në Kosovë kohë pas kohë bëhet nga autoritetet serbe. Më këtë ritëm të kthimit sic thuhet të ngadalshëm, nuk janë të kënaqura as autoritetet vendore dhe as autoritetet ndërkombëtare, të cilët kërkojnë nga Beogradi zyrtar që ta përshpejtojë kthimin e kufomave nga Serbia për në Kosovë.