1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Schelewa EU

20 Janar 2010

Ministrja e jashtme bullgare Rumiana Zheleva, e propozuar për postin e komisioneres për bashkëpunim ndërkombëtar, ndihma humanitare dhe kriza, e tërhoqi kandidaturën duke vënë në dispozicion edhe postin e vet qeveritar.

https://p.dw.com/p/LbWk

Dorëheqja e Rumiana Zhelevës është një lajm i mirë, si për BE-në ashtu edhe për Bullgarinë. Pas paraqitjes së turpshme të bullgares gjatë seancës dëgjimore në Parlamentin Evropian javën e kaluar kur për të gjithë u bë e dukshme dhe e dëgjueshme, se ajo nuk zotëron aftësitë e nevojshme, pazarllëku në favor të Zhelevës me të vetmin synim të mosrrezikimit të Komisionit "Barroso 2" do të kishte qenë një goditje e rëndë për imazhin e gjithë BE-së.

Duke bërë të mundur dorëheqjen e Zhelevës, kryetari i caktuar i Komisionit Jose Manuel Barroso nxori në pah pushtetin e zgjeruar të Parlamentit Evropian dhe dha një kontribut të rëndësishëm për më shumë transparencë dhe demokraci në BE. Megjithëse konflikti i interesave doli në plan të dytë si argument kryesor kundër kandidates bullgare, pjesëmarrjet në firma të mbajtura të fshehta nga Zheleva vazhdojnë të jenë rënduese dhe karakteristike për sundimin e ligjit në Bullgari. Kjo sepse autoritetet bullgare, ministria e drejtësisë dhe edhe vetë kryeministri Boiko Borisov, nuk i kanë marrë aq seriozisht rregullat e BE-së në çështjen e konfliktit të interesave dhe janë përpjekur disa herë t`i mbulojnë ose t`i relativizojnë pjesëmarrjet në firma të Zhelevës. Me sa duket për ta ishte më e rëndësishme që të bënin çmos për ta kaluar kandidaten e tyre sesa të tregonin pjekuri evropiane.

Andreev Alexander
Andreev Alexander

Kjo u dallua që gjatë emërimit të Rumiana Zhelevës, kur kryeministri bullgar rrëzoi komisioneren aktuale, shumë të suksesshme, bullgare për mbrojtje konsumatorësh Meglena Kuneva, vetëm sepse ajo kishte librezën e partisë të gabuar. Kjo megjithëse kryetari i caktuar i Komisionit Barroso la disa herë të kuptohej që "Evropianja e vitit 2008" dhe "Komisionerja e vitit 2009" Kuneva mund të priste një portofol kyç në Komisionin e ri. Me që bie fjala, kjo parahistori është mjaft karakteristike për një defiçit tjetër, shumë të dukshëm tek anëtarët e rinj të BE-së: qëndrimin se komisionerët e BE-së janë më shumë përfaqësues të shteteve kombëtare sesa aktorë plotikë mbarëevropianë.

Dorëheqja e Rumiana Zhelevës jep një sinjal të rëndësishëm edhe në Bullgari. Në një vend, që vuan mjaft nga korrupsioni, nepotizmi dhe politika klienteliste, ky vendim është një hap i madh përpara. Ai u tregon qytetarëve se anëtarësia në BE nuk do të thotë vetëm fonde të bollshme, por edhe realizim sundimi ligji, moral politik dhe kompetencë profesionale, edhe në Bullgari.

Edhe emërimi i Kristalina Georgievës, zëvendëspresidentes së Bankës Botërore, është një sinjal në drejtimin e duhur. Pasi me përvojën e saj të madhe ndërkombëtare në zhvillimin e qëndrueshëm Georgieva është siç duket një kandidate kompetente për portofolin e bashkëpunimit ndërkombëtar, ndihmën humanitare dhe përballimin e krizave.

Rasti Zheleva tregoi gjithashtu se ç'rol të rëndësishëm luajnë mediet dhe opinioni publik në Evropën e bashkuar. Sepse pa trysninë e medieve dhe pa kritikë masive ndaj Zhelevës, edhe në Bullgari, me gjasa nuk do të ishte marrë ky vendim. Dhe kjo është një shenjë e mirë si për BE-në ashtu edhe për Bullgarinë.

Autor : Alexander Andreev

Redaktoi : Aida Cama