1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Liberalin apo nacionalisten? - Franca voton

7 Maj 2017

Në balotazhin e së dielës (07.05), 48 milionë francezë janë thirrur të votojnë për kandidatin liberal Emmanuel Macron apo nacionalisten, Marine le Pen. Macron kryeson, por surprizat janë të mundshme.

https://p.dw.com/p/2cWh8
Kombobild Macron Le Pen

Gazeta satirike franceze, "Charlie Hebdo", e cila në vitin 2015 u kthye në objekt sulmi terrorist në Paris, në numrin e saj para zgjedhjeve të balotazhit pyet: „Duhet vërtet të dalim me një karikaturë? Redaksia heq dorë nga karikatura dhe paralajmëron votuesit të shkojnë të votojnë, me qëllimin pengimin e Marine Le Pen. Gjithkush duhet ta ketë të qartë, se të dielën bëhet fjalë për të mbrojtur demokracinë. Dueli mes socialliberalit, Emmanuel Macron dhe nacionalistes radikale, Marine Le Pen të "Front National" nuk është vetëm një vendim historik për Francën, por edhe për Europën.

Sipas sondazheve të fundit, Macron udhëheq me 60% kundrejt 40%, por a mund të ketë ndonjë surprizë? Si ekspertët e politikës ashtu edhe ata zgjedhorë janë të kujdesshëm. " Vivien Pertusot nga „Instituti Francez për Marrëdhënie Ndërkombëtare" në Paris mendon se „gjithçka varet nga ajo, se sa e lartë do të jetë nga pjesëmarrja nga zgjedhje”.  Nëse kjo është e vogël, atëherë Marine Le Pen përfiton më shumë, sepse ndryshe nga Macron, ajo ka një parti të mirëorganizuar me votues tradicionalë. Macron varet nga votat e konservatorëve, socialdemokratëve dhe radikalëve të majtë.

Pa front republikan

Të gjithë kandidatët me përjashtim të politikanit në vend të tretë në raundin e parë, komunistit të vjetër Jean-Luc Mélenchon, kanë bërë thirrje për mbështetjen e Macon. Mélenchon me këtë qëndrim del nga „fronti republikan" i njohur në vend, që organizohet kundër populistëve të djathtë. Ai thotë, se është sigurisht kundër Le Pen, por edhe kundër Macron. Kjo mund të bëjë që shumë francezë të mos votojnë asnjërin, pra të kthejnë letrën e votimit të bardhë, pa asnjë zgjedhje, ose të mos votojnë.

Politologu, Vivien Pertusot thotë se sistemi partiak francez këtë herë është përzierë i gjithi. Asnjë nga partitë tradicionale nuk ia doli të nxjerrë kandidatin e saj në balotazh, gjë që analisti e sheh si shenjë të pasigurisë brenda shoqërisë franceze. "Jemi në gjendje hutimi, ku nuk dallohet dot qartë drejtimi. Kjo reflekton një shoqëri tërësisht të polarizuar, ku prej kohësh shohim humbës dhe fitues. Humbësit e harruar nga elita politike, po ngrihen tani për të ndryshuar gjendjen.” Edhe kisha franceze duhet të dëgjojë shumë kritika, sepse nuk është pozicionuar qartë për zgjedhjen e Emmanuel Macron. Kur në vitin 2002, babai i Marine Le Pen doli në balotazh, ipeshkëvt bënë thirrje për pengimin e Front National.

Frankreich En Marche: Rund 260.000 Mitglieder innerhalb eines Jahres
En marche!Fotografi: En Marche Gironde

Macron dhe Le Pen - luftë e ashpër

Në një fushatë të shkurtër, por të ashpër, kandidatët kanë akuzuar njëri tjetrin për gënjeshtra. Macron thotë, se Le Pen ngjall frikë dhe manipulon votuesit. Le Pen akuzon për gënjeshtra Macron. "Gjithmonë avazi i vjetër. Nga jashtë duken të rinj, por janë të vjetër nga brenda. Argumentat tuaj janë dyfish më të vjetra se ju", iu drejtua Le Pen, Macron në duelin televiziv.

Emmanuel Macron, që paraqitet si reformues i shoqërisë akuzon Le Pen, se nxit urrejtjen kundër myslimanëve. "Lufta kundër terroristëve nuk duhet të na çojë të biem në grackën e tyre. Grackë do të thotë luftë qytetare, ndarje, të cilën ju e përcillni në vend. Ju bëni thirrje duke ofenduar francezët për shkak të fesë apo prejardhjes. Këtë nuk do ta bëja kurrë”, tha Macron në duelin televiziv.

Fitorja e Le Pen mund të shkaktojë trazira

Marine Le Pen punon me të njëjtat koncepte si Donald Trump. Ajo paraqet një gjendje të rëndë të Francës dhe e shet veten si shpëtimtarja që mund të ngrejë sërish lart vendin. Edhe për Gjermaninë ajo nuk gjen fjalë të mira. "Kemi përjetuar një deindustrializim. Kemi parë largimin nga puna të fuqisë punëtore dhe zhvendosje masive të firmave. Sot zoti Macron, francezët vuajnë për shkak të Europës. Po, për shkak të Europës!"

Drejtuesi i Institutit Gjermano-Francez, Frank Baasner, beson se Franca mund të zhytet në krizë të rëndë me një presidente si Le Pen. „Vendi do të izolohej menjëherë, sikur ajo si presidente të bënte realitet vetëm gjysmën e premtimeve zgjedhore. Le të kujtojmë paralajmërimet për daljen nga unioni. Por Gjermania –ashtu si në rastin e presidentit Trump –fillimisht do të presë zhvillimin e gjërave”, thotë Baasner për DW. Eksperti i trembet madje edhe trazirave në rastin e fitores së Le Pen, pasi shumë vetë janë që tani të pakënaqur e nuk duan të vendosin mes Le Pen dhe Macron.

Frymë e re me Macron?

Anhänger von Marine le Pen und dem Front National am Maifeiertag in Villepinte
Fotografi: Reuters/P. Rossignol

Emmanuel Macron është qartazi në anën e Bashkimit Europian dhe euros për të mbrojtur Francën nga konkurrenca globale me Kinën, SHBA, Indinë apo Rusinë. "Dua një Europë që punon më shpejt, një Europë që mbron dhe është më pak burokratike. Po, pikërisht tani në kohën e globalizimit kemi nevojë për Europën”, kërkon Macron. Frank Baasner mendon se "fitorja e Macron dhe një shumicë në parlament do të ishte si një erë e re në marrëdhëniet gjermano-franceze. Kjo do t'i jepte Europës impulse të reja.”

Por pavarësisht kush është president i Francës më 7 maj, ai ose ajo nuk kanë shumicën parlamentare në zgjedhjet parlamentare të qershorit. Pra qeverisja nuk ka për të qenë e lehtë dhe do të jetë e nevojshme krijimi i koalicioneve dhe kompromiseve, por këto mund të shërbejnë edhe si sinjale frenuese për ambiciet e presidentes apo presidentit të ri. Prognozat e para priten menjëherë pas mbylljes së kutive zgjedhore rreth orës 08:00 të mbrëmjes.

 

Bernd Riegert' Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE